
Bashkitë e qarkut Shkodër janë përballur me disa problematike me furnizimin me enrgjinë elektrike për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe erërave të forta. Situata më problematike paraqitet në Fushë-Arrëz, ku janë evidentuar dëmtime në çatinë e një shkolle 9-vjeçare, në disa banesa dhe në rrugët rurale.
Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, deri në orën 09:00 të datës 23 nëntor 2026, në bashkinë Shkodër erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve. Shërbimet bashkiake kanë ndërhyrë për largimin e tyre.
Në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera, përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike. Ndërsa në bashkinë Vau i Dejës, reshjet intensive dhe erërat e forta janë shoqëruar gjithashtu me ndërprerje të furnizimit me energji.
Problematikat më të shumta janë regjistruar në bashkinë Fushë-Arrëz. Si pasojë e motit të keq, është dëmtuar çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe disa banesa.
Gjithashtu, prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar dëmtime në rrugët rurale. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.
Edhe aksi Fushë-Arrëz–Bardhet është bllokuar përkohësisht gjatë natës për shkak të rrëzimit të një peme, por është bërë i kalueshëm pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.
Problematika nga moti i keq janë evidentuar edhe në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku ka pasur rënie gurësh dhe prurje inertesh. Aktualisht vijon puna për pastrimin e tyre.
Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm. Ndërkohë, sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen problematika në veprat ujore. Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në rrjetin elektrik.
Prefektura e Shkodrës bën me dije se po monitoron situatën në bashkëpunim me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura.