
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përgënjeshtruar raportimet e disa mediave të huaja, sipas të cilave sulmi me dron detar ndaj një anijeje luftarake ruse në Libi ishte nisur nga territori shqiptar. Përmes një deklarate zyrtare, Ministria i cilësoi këto pretendime të pavërteta dhe të pambështetura në prova, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pasur asnjë rol në organizimin apo realizimin e sulmit.
“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në reagim.
Institucioni u kërkoi gjithashtu mediave që kanë publikuar këto informacione t'i korrigjojnë, duke bërë thirrje për saktësi dhe përgjegjshmëri në raportimin e çështjeve të ndjeshme. Reagimi vjen pas raportimeve për një sulm me dron detar ndaj korvetës ruse “Mercury” në portin e Bengazit, në lindje të Libisë, ku anija dyshohet se pësoi dëmtime të rënda. Ministria e Jashtme ritheksoi se pretendimet për përdorimin e territorit shqiptar janë publikuar pa prova të verifikueshme dhe i hodhi poshtë kategorikisht.