Vllaznia triumfon 2-1 ndaj Dinamos, në ndeshjen e fundit të javës së 23, në një ndeshje emocionuese, që nuk do t'i shpëtojë polemikave për episodet që kërkuan ndërhyrjen e VAR. Shkodranët kthehn kështu në vendin e tretë në renditjen e Superiores, ndërsa nuk ka fund kriza e Dinamos, në tetë ndeshje radhazi pa fitore. Skuadra e Devollit përfundon në zonën e rënies nga kategoria: pas pesë ndeshjes në krye të bluve gjirokastriti ka vetëm një barazim e katër humbje.
Në emergjencë pikësh, Dinamo ishte e detyruar të bënte një ndeshje ofensive, por tentativave të para të kryeqyetasve iu përgjigj goli i avantazhit të Vllaznisë, që krijoi edhe polemikat e para. Kuqeblutë kërkuan penallti pas kontaktit mes Lilajt dhe Latifit në zonën dinamovite. Gjyqtari Klodian Shahini hezitoi, por pas kontrolloi imazhet te VAR vendosi për goditje nga 11 metrat, që e mori përsipër me sukses vetë Latifi.
Dinamo e ndjeu goditjen dhe përpara se të kthjellohej mund ta shihte veten nën dy gola, sepse në minutën e 24’ Aralica shënoi me kokë, në krosimin e Hakajt nga e majta. Këtë herë pakënaqëia për ndërhyrjen e VAR ishte për shkodranët, sepse festa e tyre shkoi bosh, me teknologjinë që pikasi sulmuesin në pozicionin jshtë loje.
Gjithësesi, atë që ia mohoi VAR në pjesën e parë, Aralica e kompletoi në të dytën, duke bërë që shkodranët të mendonim më pas për të administruar avantazhin e krijuar. Pas një goditje dënimi nga e djathta nga Mustedanagiç, po me kokë Aralica shënoi golin e 2-0, këtë herë të rregullt.
Planet e Brdariç u komplikuan në minutën e 85, kur Sofranac ngushtoi diferencën, duke i kthyer në minuta ankthi cfarë mbeti deri në përfundim të lojës. Vllaznisë iu kthyen fantazmat e pikëve të lëna pikërisht në fund, duke bërë që pasiguria të zinte vend mes tyre, duke rrezikuar edhe golin e barazimit. Për fatin e kuqebluve, asgjë nuk ndodhi dhe tre pikët e fituara e ngjitën Vllazninë në vendin e tretë, po aq pikë sa Kukësi, 38, ndërsa Dinamo është kaluar nga Kastrioti dhe me 20 pikë në vendin e parafundit, është gjithnjë e më e rrezikuar për rënien nga kategoria.