Pas Stadiumit, Teatrit Kombëtar dhe vilave të vjetra të Tiranës ka qenë radha e maternitetit Mbretëresha Geraldinë për t’u shembur. Natën, kur rrugët e kryeqytetit qenë bosh për shkak të ndalim-qarkullimit dhe pa asnjë konsultim apo diskutim publik, një pjesë e godinës është rrëzuar nga fadromat sipas një projekti që parashikon rikonstruksionin e saj.

Ditën e shtunë, pas shembjes së pjesshme, kjo ishte pamja e godinës nga ana e bulevardit Zogu i Parë në kryeqytet.

Shkatërrimi i godinës së vjetër ka vazhduar natën e së dielës. Video më poshtë:
Sipas atyre pak të dhënave që dihen për këtë ndërhyrje, punimet do të zgjasin 3 vjet, ndërsa projekti i rikonstruksionit do të kushtojë rreth 466 milion lekë. Projektuesi shkruhet në tabelën e punimeve është “Instituti i ndërtimit”.

Shkaku për prishjen e godinës ishte dhënë më herët nga kryeministri Rama në Facebook. Në një video të postuar në 2 Mars në profilin e tij në rrjetet sociale, Rama shkruante se godina ishte e dëmtuar nga tërmeti dhe se do të zgjerohej nga rikonstruksioni.

Por kur shembja ka nisur, erdhën edhe reagimet e para. Godina e maternitetit historik të Tiranës ishte listuar si monument kulture, ndërkohë që mungesa e transparencës hedh dyshime nëse projekti i rikonstruksionit do t’i ruajë vlerat e mëparshme të godinës apo jo.
Në reagimet e shumta për shembjen e papritur, bie në sy ajo e Unionit të Arkitekteve, Urbanisteve dhe Planifikuesve të Shqiperisë, që ka shprehur protestën për shembjen e objektit i cili është I përfshirë në fondin e objekteve me status special dhe/ose monument kulture, dhe i përkasin një periudhe mjaft interesante të modernizimit të kryeqytetit.
“Autoritet duhet të garantojnë që në fazat e prokurimeve publike që projektimi dhe zbatimi i punimeve të tilla ka ekspertizën dhe kulturën e duhur për ndërhyrje të tilla me karakter thellësisht restaurues, dhe jo të bëhen promotorë të kësaj kulture pune qoftë përmes heshtjes dhe neglizhencës. Aq më tepër që gjithshka ndodh natën, pa transparencë dhe në kushtet e pandemisë.Mjaft e kritikueshme mbetet edhe heshtja e institucioneve të specializuara publike-shtetërore për mbrojtjen e trashëgimisë, heshtje që i bën ata bashkëpërgjegjës në këtë akt aspak ligjor” thuhet në reagim.
Albana Vokshi nga Partia Demokratike tha se janë 7 milion euro beton që do të hidhen pa marrë mendimin e një eksperti. Sipas Vokshit, godina ishte monument kulture dhe shembja e saj është e paligjshme. “Kjo ndërtesë është pjesë e qendrës historike të Tiranës, me mbrojtje të posaçme. Për ketë ka firmën e vet edhe kjo qeveri dhe ky kryeministër, që sot po e shkatërrojnë për përfitime të paligjshme. Në listën e publikuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i krijuar në 2018-ën, materniteti mban numrin 214 në listën e monumenteve të kultures” u shpreh Vokshi.
https://lapsi.al/2019/07/30/teatri-kombetar-rama-ne-delir-jam-mbrojtesi-me-i-madh-i-trashegimise-kulturore/
Përgjigjia për Vokshin, çuditërisht nuk erdhi nga një specialist, arkitekt apo një zë nga Instituti i Ndërtimit ku është marrë vendimi për prishjen e maternitetit, por nga një doktoreshë.
Reagimi u shpërnda nga Ministria e Shëndetësisë. Aty citohet drejtoresha e institucionit, mjeke Eliona Demaliaj, sipas të cilës një pjesë e maternitetit ishte jashtë përdorimit që nga tërmeti i shtatorit, për shkak se rrezikohej jeta e nënave dhe të foshnjave.
“Ky projekt ruan autenticitetin e godinës historike dhe rindërtohet dhe zgjerohet shtesa që ishte dëmtuar nga tërmeti. Pjesa e shembur që do të ndërtohet, ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të shtatorit, sepse nuk kishte siguri për shkak të dëmtimeve dhe ishte e rrezikshme për të punuar dhe për të mbajtur aty nënat dhe të porsalindurit. Ndërsa godina kryesore do të rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike të saj”, është shprehur doktoreshë Demaliaj.
Ndërsa është krejtësisht e pazakontë që një mjeke të dalë garant për ruajtjen e elementëve historikë të një godine që shembet, në reagim bie në sy një tjetër detaj, përdorimi i lëkundjeve të tërmetit që ra para dy viteve.
https://lapsi.al/2018/07/04/lekundjet-e-termetit-veliaj-nis-propaganden-me-muret-e-plasaritur-te-teatrit-kombetar-foto/
E njëjta alibi u përdor edhe për prishjen e Teatrit Kombëtar, kur u shpikën njëri pas tjetrit justifikimet për godinën e dëmtuar apo muret e plasaritur, megjithëse e njëjta godinë u mbijetoi dy tërmeteve të fuqishme të vitit 2019.
Gjithsesi tashmë godina është rrëzuar plotësisht. Shembja e saj mund të ketë kapur shumë banorë të qytetit në befasi, por ata që habiten janë më të paktë nga gozhda e radhës në arkivolin e kujtesës historike të Tiranës.©Lapsi.al
https://lapsi.al/2019/07/29/aurel-plasari-lojerat-e-pista-te-nje-mesuesi-vizatimi-me-teatrin-kombetar/