I rrethuar nga socialistë të vjetër në Fier, në krye të të cilëve ka vendosur Erion Braçen, kryeministri Edi Rama foli për rrezikun e taksës së sheshtë 9%, që ka premtuar Partia Demokratike. E quajti “taksa që ëndërrojnë oligarkët” dhe që “favorizon më të pasurit, pa e çarë kokën fare për të varfërit”. “Do rikthehemi në kohën kur, kush fitonte më pak, paguante më shumë” foli Rama, sikur paralajmëronte një rrezik, nga i cili, ata që e dëgjonin duhej të trembeshin.
“Ne u goditëm fort, unë i pari, si njerëzit që qeverisëm për një pakicë të pasurish, si njerëzit që jemi këtu për t’iu shërbyer oligarkëve, por po të shohësh faktet, faktet flasin krejt ndryshe” tha kreu i qeverisë, ndërsa u zotua edhe një herë se në emër të parimit se "kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë, kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak”.
Por si qëndron e vërteta? Përse është akuzuar Rama se e tradhëtoi filozofinë që e solli në pushtet në 2013? A kanë të drejtë ata që e akuzojnë se u dha mundësi oligarkëve, të fusin në xhep shuma më të mëdha parash nga fitimet, duke paguar më pak për shtetin?
Për të kuptuar këtë, në radhë të parë duhet kujtuar se ishte parlamenti i kontrolluar nga shumica socialiste që në vitin 2018 e uli Tatimin mbi Dividentin nga 15% në 8%.
Tatimi mbi Dividentin është taksa që prek drejtpërdrejt paratë e fituara nga biznesmenët më të fuqishëm në vend. Kjo taksë paguhet në momentin kur pronari i një kompanie të madhe vendos të tërheqë fitimet nga biznesi i tij.
Lexo edhe: Loja me shifrat/ A kanë paguar të pasurit më shumë me Ramën (video)
Parlamenti i kontrolluar nga socialistët i bëri një favor të paparë oligarkëve, kur vendosi që ulja e Tatimit mbi Dividentin të aplikohej edhe për vitet e kaluara, pra edhe për fitimet e viteve 2017, 2016 apo 2015.
Jo vetëm kaq. Dekreti i Metës që e ktheu ligjin për ta ndalur favorizimin e të mëdhenjve u rrëzua në kuvend përmes një procedure të dyshimtë, të cilës i doli për zot Erion Braçe, atëherë Kryetar i Komisionit të Ekonomisë.
Lexo më shumë: Skandali në parlament/ Si po i falen miliona taksa super të pasurve
Kalimi i këtij ligji në parlament, u pa si konfirmim i marrëdhënieve të ngushta të Ramës me biznesmenët e mëdhenj, një dhuratë në fund të vitit për oligarkët e kompanive të mëdha, që përfituan miliona euro. Siç tha Ramë në Fier sot, këto para mund të ishin përdorur për kopshte, shkolla apo apartamente për të prekurit nga tërmeti, apo për çiftet e reja që presin të strehohen.
Lexo edhe: Rama kthen pllakën me të pasurit: “Shisni vilat dhe jahtet, paguani punëtorët”
Në takimin e sotëm në Fier, kryeministri foli kundër idesë që edhe puntori, edhe pronari i kompanisë të paguajë njësoj taksa për shtetin.
“Nëse një puntor paguan 9% të pagës së tij, dmth heq 9% të të ardhurave të familjes, që i ka për të paguar 9% të të ardhurave të familjes. Nëse një milioner apo miliarder paguan 9%, ajo nuk ka asnjë ndikim në të përditshmen e familjes së tij. Sigurisht mund të ndikojë në numrin e veturave apo në gjatësinë e jahtit, apo në numrin e vilave të metrave katrorë që disponon, por kjo nuk është jetike dhe ne nuk jemi këtu për të zgjatur metrat e jahteve të tyre, apo për të shtuar metrat e vilave të tyre, apo të shtojmë numrin e veturave të tyre” tha Kryeministri.
Por të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave japin një panoramë tjetër. Kjo kuptohet përmes krahasimit mes Tatimit mbi të Ardhurat Personale (taksa që rëndon direkt mbi pagën e një punëtori) dhe Tatimit mbi Dividentin (taksa që rëndon mbi aksionerët e kompanive të mëdha).
Vit pas viti gjatë qeverisjes socialiste, shuma e mbledhur në buxhet nga taksa mbi fitimet e të pasurve ka ndryshuar. Herë është rritur, herë është pakësuar ndjeshëm. Kjo për shkak se biznesmenët e fuqishëm kanë preferuar të presin për tërheqjen e fitimit, duke pritur që taksa të përgjysmohej, me votim në parlament.
https://lapsi.al/2019/10/11/dividenti-boset-perfitojne-nga-pergjysmimi/
Por nëse ndiqet trendi i shumës që është paguar nga rroga e punëtorëve, pra Tatimi mbi të Ardhurat Personale, shuma në buxhet ka ardhur në rritje. Punëtorët kanë paguar vazhdimisht më shumë dhe më shumë. Shikoni tabelat më poshtë, të përzgjedhura nga faqja zyrtare e Ministrisë së Financave.

Me pak vëmëndje, kuptohet se kush punon më shumë, ka paguar më shumë dhe kush ka më shumë, paguan më pak.
Punëtorët kanë paguar Tatim mbi të Ardhurat Personale. Aksionerët e koroporatave kanë paguar Tatim mbi Dividentin. Kulmi i diferencës është në vitin 2018, kur punonjësit kanë paguar më shumë se një vit më parë, ndërsa pronarët e tyre fare pak. Vini re, se kur Tatimi mbi Dividentin shkoi 8%, menjëherë të pasurit tërhoqën fitimet e tyre në vitin 2019 dhe shuma në buxhet u rrit ndjeshëm.
Shifrat janë kokëforta. Prandaj, i vetmi që hodhi poshtë akuzat se i ka shërbyer oligarkëve duke ia shtuar pasurinë ishte Edi Rama. Të paktën, Erjon Braçe nuk e preku këtë temë.©Lapsi.al
https://lapsi.al/2019/08/03/fakti-ilir-meta-i-shpall-lufte-jo-vetem-rames-po-edhe-oligarkeve-te-tij-qe-duan-te-mbajne-gjalle-krizen/