"Fshesa" që i dha Partia ish bashkëpuntorëve të afërt, nxorri në pah se në renditjen e emrave të kandidatëve për deputetë, nuk kishte vlerë as solidariteti i "familjes së madhe socialiste" dhe as mbështetja për udhëheqjen, gjatë viteve kur ai nuk e gëzonte pushtetin që ka sot.
Lexo edhe: Hakmarrja/ Ku “gabuan” Bushati, Majko, Xhafaj apo Kodheli
Por pavarësisht se karriera politike rrezikon t'u shkojë në fund, "të ndëshkuarit" po respektojnë një kod heshtjeje përgjatë kësaj fushate elektorale, ose kanë filluar të përsërisin lëvdatat për Partinë, që derën ua hapi me vetëm një drejtim: dalje.
Pjesa më e madhe e të ikurve nuk ka folur, sipas rregullit të pashkruar, që në fushatë "nuk i flitet shoferit".

I tillë është rasti i Pandeli Majkos, i renditur në vendin e 19 në listën e kandidatëve të Tiranës. Që prej ditës që Partia e uli poshtë në renditje, Majko nuk u ndje fare, as me median dhe as me elektoratin. Pozicioni që i dhanë, e kapi në befasi, ndërsa "herësi" i votave i qëndron mbi kokë si shpatë e Demokleut.
A mund të jetë heshtja dhe meditimi në vetmi, një taktikë e Majkos për ta shtuar mistikën e figurës së tij mes socialistëve të njësisë Nr.5 në Tiranë? është një strategji që ia vlen të provohet. Në fund të fundit, numri i nevojshëm i votave për t'u katapultuar në parlament është aq i lartë, sa nuk mund të kapet përmes një fushate normale në elektorat.
Lexo edhe: ‘Kriminalizimi i PS’, Bushati ‘godet’ Ramën përmes Zërit të Amerikës: Kam reaguar që në vitin 2016
Nuk ka folur këto ditë as një socialist tjetër, që thënies së disa të vërtetave nuk iu shmang asnjëherë dhe për këtë Partia e detyroi t'ia dorëzonte Shkodrën Ilir Beqes. Ditmir Bushati ka vendosur ta shtrëngojë mllefin mes dhëmbëve dhe të respektojë Kodin e Heshtjes të paktën deri në 25 Prill.
Fjalëve të Partisë se ai paskësh zbritur nga treni, që kur u shkarkua si drejtues qarku në Shkodër, Bushati iu përgjigj me një proverb, që fati ia solli rastësisht në kafe dhe që është e vetmja shenjë e jetës politike nga ana e tij.

Fatmir Xhafaj është një tjetër 24-karatësh socialist, që e gëlltiti në heshtje goditjen që i dha Partia. Megjithëse i pashpresë për t'i mbijetuar 25 Prillit, Xhafaj e priti me kokën lart vendin e 21 në listën e kandidatëve dhe bëri një reagim nga ato të shkollës së vjetër.
"E pranova sfidën për pozicionimin përtej kufirit të sigurisë së listës, si një detyrë e parevokueshme që kam ndaj qytetarëve dhe si një parim që kam në vetvete për të mos lënë në mes asnjë luftë, e sidomos atë më kryesoren e cilën shënjon karrierën time politike, REFORMA NË DREJTËSI" thuhej në mesazhin, që Fatmir Xhafaj shpërndau për mediat, pasi u njoftua se Rama e kishte caktuar në kategorinë e të pasigurtëve.

Xhafaj ka marrë angazhim të zjarrtë, fiks për luftë siç thotë ai, por propabiliteti është që pas 25 Prillit kokoshi të katandiset një thelë, sepse socialistëve nuk u shpëtoi nga vëmëndja mungesa në aktivitetin promovues të reformës në drejtësi që organizoi Partia. Lidhjet me elektoratin në Tiranë janë të dobëta, sepse fokusi prej vitesh ka qenë tek çështjet e koklavitura ligjore.
[video width="384" height="848" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/03/Mimi-Kodheli.mp4"][/video]
Vitet kur ajo ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës janë aq të largëta, saqë Mimi Kodheli ka nevojë për ndihmën e Erion Velisë për t'i mbijetuar në politikë. Ditët e fundit e gjen kudo nëpër profilin në Facebook të kryebashkiakut, duke i thurur lavde Partisë.
Në Farkë, pasi i dorëzoi çelsat e shtëpisë njërit prej banorëve të fshatit, i tha: "Unë kam qenë në Bruksel me kryeministrin Rama kur u kërkonte para njerëzve më të pushtetshëm të botës, për të rindërtu Shqipërinë".
E njëzet e treta në listë, Kodheli po i bie pragut të dëgjojë dera. Shanset për t'u zgjedhur deputete i ka thuajse zero. Aq më tepër kur kuptoi se i kishin lënë të mbulonte një zonë, që nuk kishte aq kuti votimi, sa i duheshin Mimi Kodhelit për të kaluar "herësin" famëkeq.
Daljen në fushatë duket se po e përdor më shumë për të treguar devocionin e saj për Partinë, se sa për të mbledhur vota në një zonë ku nuk ka punuar kurrë.
I ngjashëm është rasti i Alket Hysenit, që megjithëse refuzoi vendin e 11 në listën e kandidatëve të Vlorës, e gjen duke shprehur mirënjohjen për PS. Apo rasti i Besnik Barajt, që dikur ka qenë kryetar i PS së Tiranës dhe u largua në heshtje, apo Musa Ulqinit, Eglantina Gjermenit ish ministre dhe shumë të tjerë, që këto ditë janë tërhequr zemërthyer, ndërsa kundrojnë në heshtje fushatën e PS-së duke pritur rezultatin e 25 Prillit.©Lapsi.al