Flash

Përgjigja e vetme e një protestuesi: “Fuck you back, Rama”

Një lider mund ta ruajë një fije dinjitet edhe në mënyrën se si përballet me fundin, sado i hidhur të jetë ai. Edi Rama e ka humbur këtë shanc, që të paktën në largim, të lintë një gjurmë

Armand Shkullaku 23 June 2026

Kur një udhëheqës refuzon të shohë fundin e tij dhe frika ia paralizon aftësinë për të gjykuar, ai është i aftë të marë çdo trajtë vetëm e vetëm për t’i shpëtuar destinit. Mohon realitetin, njehson veten me shtetin, shan, kërcënon dhe menjëherë qan e qurravitet, lutet e zvarritet me shpresën e marrë se do ta rikthejë fuqinë e dikurshme. Një lider mund ta ruajë një fije dinjitet edhe në mënyrën se si përballet me fundin, sado i hidhur të jetë ai. Edi Rama e ka humbur këtë shanc, që të paktën në largim, të lintë një gjurmë: Thjesht duke ikur përballë revoltës qytetare.

Mirëpo dikush që nuk jeton asnjë minutë si burrështetas, nuk mund të bëhet i tillë kur i troket ora e fundit. Kjo paradigmë e udhëheqjes së Ramës u manifestua sot në një monolg të gjatë, ku ai i drejtohej Erlis Sinës, një protestuesi që e kishte gdhirë përpara kryeministrisë, duke i përcjellë mesazhin se do të mbetej vetëm, i zhgënjyer dhe i keqpërdorur nga protesta, prandaj sa më parë duhej të bashkohej me atë vetë, Edi Ramën, për t’i dhënë kuptim jetës dhe zgjidhur hallet që kishte.

Nëse supozojmë se Edi Rama ka degraduar në atë pikë sa beson vërtetë se nuk është ai problemi, por zgjidhja e tij. Se dhjetra mijëra njerëz i ka nxjerrë në rrugë Irani apo shejtani, atëherë i duhet shpjeguar me durimin e një mjeku ndaj pacientit se përse Erlisi (si përgjithësim i protestuesit) ka mbi tre javë që qëndron përballë zyrës së tij.

Rama i thotë Erlisit se mund të ketë një hall shëndeti në familje ose “largqoftë me nënën e sëmurë që ka nevojë për ilaçe të shtrenjta” dhe nëse shkon te Rama dhe jo në protestë, ky mund t’ia zgjidhi këtë hall. Kryeministri ose e merr Erlisin për idiot ose në fazën e mohimit të realitetit mendon se janë fshirë gjurmët e katastrofës në shëndetësi. Erlisi nuk mund të presi që hallin e shëndetit t’ia zgjidhi njeriu që vitin e parë sa erdhi në pushtet i dha mikeshës së familjes së tij konçensionin e parë në shëndetësi që me gjakun e analizave thithi dhjetra miliona euro për check-up e famshëm. Pastaj një muratori nga Italia i dha konçensionin e artë të sterilizimit e kështu me radhë, deri në shifrën e frikshme të gjysëm miliardi euro që batërdisën buxhetin për shëndetësinë. Erlisi nuk mund të presi pas kësaj që ilaçet për nënën e sëmurë t’ia gjejë nëna e konçensioneve që ka lënë pa ilaçe mijëra të tjerë.

Rama tregon se e di që Erlisi ka “hall pune me pronarin që të trajton si robot. S’të paguan orët jashtë orarit. Të jep gjysmën e rrogës në të zezë”, mirëpo nëse ikën nga bulevardi dhe shkon tek ai, edhe ky hall mund të zgjidhet. Erlisi nuk duhet të dëgjojë as kritikët e kryeministrit, që u paguakan edhe ata në të zezë, por të trokasë në derën e tij. Po si do t’ia zgjidhë kryeministri hallin e punës Erlsit, kur këtë e takson me 23 përqind të pagës ndërsa pronarin e tij e gostit me 8 përqind mbi dividentin? A do gjejë kohë ai të ndalojë këto pagesat në të zezë, ndërkohë që po ia kapin qindra miliona euro nga droga që pastrohen në ndërtim, në koordinim me trafikantë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së tij? Me këta do ia zgjidhi hallin e punës Erlsit nëse ikën nga protesta?

Kryeministri e dikërka që njerëzit mund të kenë edhe “hall prone me shtëpinë në periferi që ende nuk legalizohet apo me tokën në fshat që ende nuk regjistrohet”. Edhe ky hall mund të zgjidhet nëse Erlisi largohet nga bulevardi dhe shkon në zyrën e tij. A nuk i kanë zgjidhur kështu hallet edhe investitorët strategjikë, ata që kanë legalizuar ndërtime e kanë marrë prona me 1 euro? Kryeministri ka sistemuar Alabarin e Kushnerin e jo mos të ndihmojë Erlisin të regjistrojë tokën në fshat.

Ndryshe nga sa thonë gojët e liga, kryeminstrit i ka mbetur ende diçka humane në brendësi të tij. Ai mërzitet nëse Erlisi zhgënjehet dhe mbetet vetëm. “Ikën edhe karvanet e “diasporës” nga Kosova e Tetova. Të përdorën ty, për të sjellë në Tiranë me vrazhdësinë brutale të hordhive pushtuese…ikën edhe ata që u dyndën në bulevard nga emigracioni në shtete të huaja, si shqiponja shpëtimtare të mëmëdheut të nxjerrë nga algoritmi në sheshbetejën e kundërshtisë globale, politike, ideologjike me Presidentin e Amerikës”. Sa të thella paskan qenë këto punë, do të mendonte Erlisi nëse nuk do ta njihte njeriun përballë të cilit ka dalë për të protestuar.

Ai që i krahason shqiptarët përtej kufirit me hordhitë pushtuese dhe emigrantët me tutkunë - viktima të algoritmit, beson se në trurin e Erlisit një dorë magjike ka fshirë pushtimin që organizata kriminale e Rilindjes i bëri atdheut të tij. Njeriu që merr përsipër të zgjidhë pas 13 vitesh hallet e atyre që janë në protestë, është i njëjti që policinë dhe ushtrinë që paguhet me taksat e tyre i shndërroi në armatë për trafikantët e drogës, me paratë e të cilëve blinte votat për të vjedhur pikërisht ata që sot i ka përballë. Kanabizimi i Shqipërisë ishte faktori i parë që rrënoi ekonominë dhe kriminalizoi shoqërinë. 

Po nga taksat e Erlsit, të cilit i premton se po iku nga protesta do t’i zgjidhin bashkë të gjitha problemet, ka zhvatur një tjetër gjysëm miliardi euro për t’ia dhënë disa anonimëve që do të na e bënin Shqipërinë të pastër e të krehur. Avulluan edhe ato, bashkë me tymin e plehrave që digjen në mes të mexhlisit duke mbytur mushkëritë e Shqipërisë turistike. Mirëpo Erlisi nuk duhet të mërzitet, se Ivanka i ka thënë të shoqit që t’u thotë ca sirianëve nga Katari që të sjellin 4 miliardë dollarë dhe pastaj të gjithë do hanë me lugë floriri.

Rama beson se mes tij dhe Erlisit ka një keqkuptim që po e shfrytëzojnë forcat e errëta për ta manipuluar protestën e tij. Përndryshe pse duhet të protestojë një i ri në Shqipëri? Që kryeministri i vendit më të varfër në Europë djeg miliona euro nga taksat e tij sa herë ulet e ngrihet avioni i dedikuar vetëm për të? Që bosët e krimit qerasen me tendera po nga paratë publike? Që buxhetin e AKSHI-t e kontrollojnë mafiozë që kërcënojnë e marrin peng njerëz, ndërkohë që pinë verë me kryeministrin e vendit? A duhet të protestojë Erlisi kur për një vend pune ose duhet të regjistrohet patronazhist ose duhet t’i premtojë pronarit që do votojë për Rilindjen? A duhet të ngrejë zërin kur i vetmi model përfaqësimi janë ose banditët që rrahin me shkopa bejsbolli dhe bashkëpunojnë me vrasës e trafikantë droge, ose zeqinetë që kryeministri i përzgjedh si fytyrën e rinisë së sotme?

Tani, Rama thotë që këto nuk janë arsye që Erlisi të protestojë. Madje ai premton se do të vërë dorën në zemër dhe ca halle që ka Erlisi mund t’ia zgjidhi. Në të kundërt, thotë lideri i shfazuar nga paranoja, “unë u them: fuck you. Kaq e thjeshtë”. Nga lutja për mirëkuptim tek kërcënimi alla Padrino. Tipike për atë që nuk gjen dot pak dinjitet edhe në fundin e tij. E pas kësaj, Erlisit i humbet aftësia edhe për ta mëshiruar. Përgjigja e tij, jo në Financial Times por tek shkallët e kryeministrisë, mbetet vetëm: Fuck you back, Rama. 

LAPSI.AL

Të këshilluara

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

Përçmimi si model qeverisje 

I mësuar me, dhe i rrethuar nga, servilë Rama ka humbur aftësinë të përballet me qytetarët e lirë

09:35 Blendi Kajsiu

Kënga e fundit e Edi Ramës

Gjendja e rënduar e Edi Ramës dhe sjellja e tij e çakërdisur, nuk mund të shpjegohen më me personalitetin e tij, që gjithnj...

17:44 Armand Shkullaku

Turizmi elitar si kullat e Ramës në Tiranë

Klisheja `turizem elitar` është njësoj si modeli neoliberal i privatizmit të aseteve publike në vitet 1990, i cili u kthye në një parrullë që po ta kundërshtoje të cilësonin si komunist, anti-kapitalist dhe anti-zhvillim

08:56 Blendi Kajsiu

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI