Pas ngjarjeve dramatike të vitit 1997, të cilat, ndonëse me kosto shumë të lartë, i hapën rrugën një epoke shumë më demokratizuese se më parë, tani, pas gati 30 vitesh, shoqëria shqiptare gjendet në një krizë që kërkon përsëri një ekulibër të ri, hapësirë të vërtetë të demokracisë përfaqësuese, pjesmarrje të drejtë në administrimin e pasurisë publike dhe vendimarrje politiko- ekonomike me bazë sa më të gjerë. Përqëndrimi i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm apo një grushti njerëzish rreth tij, është shkaku i parë dhe i vetëm i ngulfatjes së një populli të tërë, që sot ndihet totalisht i përjashtuar nga e drejta themelore që mban në këmbë një sistem demokratik, ajo e përfaqësimit në vendimarrje.
Nuk ka nevojë për të renditur shkaqe apo arsye të tjera se përse dhjetra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, janë derdhur sot rrugëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Edhe nëse nuk do të ekzistonte afera kriminale e Zvërnecit, diçka tjetër do ta kishte pjellë protestën kolektive si nevojë e shoqërisë për t’u mos u asgjesuar.
-
Në kërkim të gjenezës së “Shqipërisë së re”
13 Qershor, 20:15
Në pikën kur përfaqësimi me votë, si forma më e lartë e demokracisë, është asfiksuar. Kur të zgjedhurit, që do të duhej të ishin zëri i atyre që i votojnë, janë ushtarët e kryetarit që i vendos në listë apo më keq akoma të grupeve që i financojnë dhe banditëve që i përcaktojnë, padyshim që shoqëria do të kërkojë një rrugë të re për të marrë në dorë fatet e veta.
Në pikën kur taksat e qytetarëve më të varfër në Europë përdoren për të pasuruar ekskluzivisht një klan të ngushtë në pushtet, kur qindra miliona euro shkojnë për inceneratorë fantazaëm, check- up, sterilizime, koncensione e tendera, pë përfillur ata që paguajnë çdo ditë me djersën e gjakun e tyre, sigurisht që vjen një moment që njerëzit duan që një model i tillë qeverisje të çrrënjoset.
Në pikën kur pasuria publike nuk administrohet në mënyrë të ndershme, por shqyhet në copa për interesat e një njeriu të vetëm: ndahet si plaçkë për banditët e votave, për biznesmenët që financojnë fushatat apo të huajt që lobojnë për ta mbajtur në pushtet, patjetër që të zotët e kësaj pasurie do të ngrihen për ta shpëtuar atë.
Në pikën kur propaganda ka mbytur zërin qytetar, kur shoqëria nuk ka asnjë mundësi të shpalosë shqetësimet dhe të vërtetat e saj, kur në të gjitha mediat mbizotëron vetëm versioni i fjalimeve pafund të liderit- sundimtar, pikërisht mbi këtë shkretëtirë të së vërtetës, ngjizen platformat e reja të lirisë së shprehjes.
Pra është përjashtimi i qytetarëve nga të drejtat e tyre themelore që e ka sjellë vendin në krizë. Protesta që na befasoi të gjithëve nuk duhet parë thjesht si një revoltë e të papërfaqësuarve por si nevojë emergjente për një ekuilibër të ri në shoqëri. Edi Rama, i mbërthyer nga paranoja e humbjes së pushtetit, nuk mund ta kuptojë diçka të tillë. Ai zvarritet nga ditë në ditë duke shpresuar se protesta do të zbehet, se qytetarët do të qetësohen, se të vetët nuk do e braktisin e ai do t’i rikthehet sundimit si më parë.
Atë që Rama nuk e kupton, një tipar dallues ky i sundimtarëve kur u vjen fundi, duhet ta kuptojnë ata që sot janë rreshtuar pas hijes së tij. Ajo është hija e një skeleti politik. Protesta nuk do të ndalet deri sa shoqëria ta ketë gjetur ekulibrin e ri, si të vetmen zgjidhje për të mbijetuar. Sa më shumë të kapet me thonj Rama pas karrikes aq më të forta do të jenë pasojat e përplasjes me qytetarët. Sa më parë të largohet aq më e madhe do të jetë mundësia e gjetjes së paqes sociale pa trauma si ato të 30 viteve më parë.
Vetë Partia Socialiste duhet të ikë nga kthetrat e mafias dhe t’i rikthehet të majtës progresiste. Ata që nuk janë bërë pis në llumin e krimit, kanë sot mundësinë të rigjejnë veten në bulevard. Të braktisësh Ramën nuk është vetëm ndarje me të keqen, por është të shpëtosh edhe vendin nga më e keqja. Qëndrimi i tij në pushtet vetëm sa e shton trysninë e një revolte që është gati të shpërthejë.
Jo vetëm socialistët, por edhe ata që përfitimi, biznesi apo interesi i ka lidhur pas pushtetit, duhet të kuptojnë që vetëm rigjetja e një ekuilibri të ri mund të shmangë përplasjet dhe të sjellë paqen sociale. Për këtë duhet të gjejnë guximin ta bëjnë kurban Edi Ramën. Dhe pastaj të bien dakort për shestimin e kontureve të një Shqipërie të Re. ©Lapsi.al




