
Shqipëria e mbylli me sukses edhe sfidën e dytë në Nations League, duke mposhtur 3-0 San Marinon dhe duke marrë gjashtë pikë të plota në dy ndeshjet e para. Kuqezinjtë e zgjidhën praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit ritmi ra dhe skuadra u fokusua më shumë te administrimi i avantazhit. Pikërisht kjo ishte edhe zgjedhja e trajnerit Rolando Maran, i cili pas ndeshjes e pranoi se në pjesën e dytë mendimi ishte orientuar edhe drejt sfidës së radhës me Finlandën.
Tekniku italian nuk e fshehu se priste më shumë në aspektin e golave, por vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe mënyrën se si ajo e kontrolloi takimin. “Pjesa e parë më ka pëlqyer, ndërsa në pjesën e dytë ishim më shumë te menaxhimi. Kishim lojtarë që ishin kthyer nga dëmtimi dhe të tjerë që kishin më pak minuta. Në pjesën e dytë e kishim mendjen te Finlanda dhe besoj se kemi bërë mirë”, u shpreh Maran.
Trajneri i Shqipërisë theksoi se skuadra kishte krijuar mjaftueshëm për të shënuar më shumë se tre gola. Kuqezinjtë regjistruan 14 goditje në portë, ndërsa San Marino pati shumë pak mundësi për të rrezikuar portën shqiptare. “Pjesa e dytë ishte më tepër menaxhim. San Marino mund të ketë një rast në një ndeshje, ndërsa ne kemi pasur 14 goditje në portë. Mund të bënim edhe më tepër dhe të shënonim më shumë. Por besoj se kemi bërë një ndeshje të mirë”, deklaroi Maran.
Në fokusin e trajnerit është edhe procesi i ndërtimit të një skuadre me identitet të qartë. Maran pranon se Shqipëria mund të mos jetë mes kombëtareve më të mëdha të futbollit botëror, por vlerëson cilësitë që ka në dispozicion dhe, mbi të gjitha, mënyrën se si lojtarët po përshtaten me idetë e tij. “Mund të mos jemi nga top-top kombëtaret në botë, por kemi lojtarë me cilësi të mira. Mesa kam vënë re, në tetë raste e kanë kuptuar filozofinë time. Është një kombëtare që ka ritëm dhe kjo është ajo që më pëlqen”, tha trajneri italian.
Një nga momentet e veçanta të mbrëmjes ishte edhe goli i Rey Manajt, i cili shënoi golin e tretë të Shqipërisë dhe vulosi fitoren. Maran zbuloi se kishte menduar ta zëvendësonte sulmuesin pak më herët, por vetë Manaj i kishte kërkuar të qëndronte edhe disa minuta në fushë. Vendimi rezultoi i drejtë, pasi sulmuesi arriti të gjente rrjetën. “Doja ta zëvendësoja pak më herët, ma kërkoi disa minuta dhe e pashë. Ishte momenti i tij dhe bëri gol”, tregoi Maran.
Me gjashtë pikë në dy ndeshje dhe me një diferencë golash 5-0, Shqipëria e mbyll këtë fazë të parë të Ligës së Kombeve në një pozicion të favorshëm, ndërsa sfida e radhës do të jetë ajo ndaj Finlandës, një përballje që pritet të japë një panoramë më të qartë për vazhdimësinë e kuqezinjve në grup.