Flash

Përçmimi si model qeverisje 

I mësuar me, dhe i rrethuar nga, servilë Rama ka humbur aftësinë të përballet me qytetarët e lirë

Blendi Kajsiu 13 June 2026

Ajo që kja nxjerrë në pah protesta aktuale e qytetarëve të lirë shqiptarë është se përç mimi si fenomen politik qëndron në thelb të qeverisjes aktuale të kryeministrit Rama. Nuk bëhet fjalë për një emocion apo karakteristikë personale, por për një model qeverisje që në themel të tij ka përçmimin, si për protestuesit, si për ligjin, institucionet dhe shtetin shqiptar edhe për vetë territorin e Shqipërisë.   

Përçmimi për shtetin trupëzohet tek injorimi total që kryeministri Rama i bën ligjit dhe institucioneve. Në rastin e Zvërnecit ai fillimisht deklaroi se nuk ekziston asnjë projekt dhe më pas nguli këmbë se projekti do bëhet për sa kohë të jetë ai kryeministër. Kjo kontradikte nuk tregon inkoherencën e kryeministrit, por injorimin që ai bën ligjit dhe institucioneve shtetërore. 

Nëse projekti nuk ekziston, sikurse e konfirmoi vetë Rama, atëherë nuk ekziston as studimi ambiental mbi impaktin që një projekt turistik i mundshëm do kish mbi territorin. 

Cka do të thotë që teorikisht ekziston mundësia që institucionet tona të mjedisit, pasi të bëjnë studimin, të arrijnë në konkluzionin se një projekt i madh turistik në zonën e Zvërnecit, sidomos i përmasave dhe luksit të shfaqur në televizor, dëmton ambientin dhe bie në kundërshtim me dispozitat ligjore të shtetit tonë.

Atëhere si ka mundësi që zoti kryeministër deklaron se projekti do bëhet patjetër? Nga e di ai që një projekt i madh dhe super luksoz që nënkupton ndikim të madh në ambient (rezortet luksoze duan shumë beton, hekur dhe xham, dhoma të mëdha, pishina, xhakuze, spa dhe salla eventesh) mund të bashkëjetojë me brishtësinë e ekulibrave ambiental, pa pasur ende një studim në dorë?

E vetmja përgjigje është se kryeministri ynë nuk e përfill fare as ligjin dhe as institucionet dhe studimet e tyre të fizibilitetit. Pushtetin e ushtron sipas parrullës shteti dhe ligji jam unë! Si një Maliq i vërtetë deklaroi se projekti në Zvërnec do bëhet, pavarësisht se nuk kanë folur as institucionet përkatëse, dhe as nuk dihet nëse ky projekt bie apo jo desh me dispozitat tona ligjore për mbrojtjen e ambientit. 

Është e njëjta shpërfillje për ligjin dhe instituconet që pamë në rastin Balluku ku tenderat jepeshin pa asnjë proces, procedurë, komision apo institucion ligjor por thjesht me telefon. Ndonëse telefoni ishte i Ballukut urdhërat që prodhonin një shpërfillje kaq përçmuese të ligjit dhe institucioneve natyrisht që vinin nga shefi i saj. 

Por nëse nëpërkëmbja e kryeministrit ndaj ligjit, institucioneve dhe shtetit shqiptar nuk na habit, është surprizues përçmimi i tij i thellë ndaj protestuesve. Aq më tepër kur këta, ashtu sikurse edhe  flamingot, janë një specie e rrezikuar në Shqipërinë e zotit Rama. Në latinisht kjo specie politike njihet me emrin liber civis, ose qytetar i lirë.

Ata protestojnë sepse revoltohen nga padrejtësitë, nga mungesa e demokracisë dhe nga arroganca e pushtetit dhe e parasë. Revolta e tyrë është shumë më e bukur dhe e fuqishme se mitingjet e atyre që sheshet i mbushin për hallin personal apo të liderit, por jo të Shqipërisë. Është revolta e njerëzve të lirë që po trondit sot sistemin tonë të kalbur politik.

Ndaj kërcet fort përçmimi me të cilën kryeministri i trajton protestuesit. 


I mësuar me, dhe i rrethuar nga, servilë ai ka humbur aftësinë të përballet me qytetarët e lirë. Këta i ofendon si njerëz pa llogjikë, dërrasë, honxho-bonxho apo llozhëra. 

Të kuptohemi, askush nuk pret që kryeminsitri Rama të hidhet në krahët e protestuesve, dhe aq më pak që të jetë dakord me kërkesat apo argumentet e tyre. Ai është në të drejtën e tij të argumentojë se ata gabojnë.

Ama ofendimi i protestuesve dhe brezave të rinj shqiptar si idiot, marioneta të Iranit, grekut apo serbit, shpërfillja dhe injorimi i pakënaqësisë së tyre nxjerr në pah përçmimin e thellë që ai ka për qytetarët e lirë. Një përçmim që nuk e ka shprehur as për militantët më të thekur të berishizmit.  

Duhet të kesh një opinion shumë të ulët për popullin tënd, dhe sidomos për rininë shqiptare, të mendosh se protesta e tyre qytetare është produkt i budallallëkut kolektiv dhe jo i pakënaqësisë me një qeverisje arrogante, anti-ligjore dhe oligarkike si kjo e zotit Rama që paranë, truallin dhe pushtetin po e redukton në duar gjithnjë e më të pakta dhe gjithnjë e më të pista.    

Dhe këtu vimë edhe tek përçmimi i fundit dhe më çarmatosës i kryeministrit shqiptar, ai për territorin e Shqipërisë dhe sidomos për perlat e saj. Dhurimi i llokmave të Shqipërisë miliarderëve lokalw apo ndërkombëtar gjithnjë shoqërohet me përçmimin e llokmës në fjalë.

Përpara se të dhurohej porti i Durrësit zoti Rama bërtiste lart e poshtë se ishte njw plehrë e ndotur dhe e kontaminuar në zemër të qytetit. Porti ishte një njollë e zezë për qytetin. Aq sa të krjohej përshtypja se Alabari që po e merrte falas po u bënte një nder durrsakëve.

Në rastin e Sazanit kryeministri dhe oborrtarët e tij filluan të thoshin se Sazani ishte një tokë djerrë, pa ujë, pa infrastrukturë, me plehra, ferra dhe gjarpërinj që falë zotit familja Trump do na e hiqte qafe. Sot me Zvërnecin, kryeministri Rama publikon video që na thonë se nuk është një perlë e natyrës por një kazan plehrash. 

E di që shumë lexues do më thonë që bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për propagandë, por nuk jam dakord. Une mendoj se kryeminisitri ynë realisht mendon që territori i Shqipërisë është një djerrinë pa vlerë për sa kohë aty nuk vjen ndonjë miliarder si Kushner apo Ivanka që ti’a shtojë vlerën me investime luksoze, duke hedhur beton, hekur dhe xham. 

Vetëm kështu Shqipëria bëhet një territor i denjë, kur aty të vijnë dhe të jetojnë miliarderët më të famshëm të botës. Është një mentalitet që përçmon natyrën dhe vlerëson luksin dhe ekskluzivitetin. Një llogjikë sipas të cilës dora e investitorit miliarder është më e bukur se dora e zotit që ka krijuar mrekullitë tona natyrore. 

Ndaj në Tiranë, për shembull, pamja e Malit të Dajtit bllokohet nga pamja e kullave luksoze. Kullat luksoze shumëkatëshe janë më të bukura për tu soditur dhe adhuruar se Mali i Dajtit, një terren djerr, plot me ferra dhe gjarprinj, të paktën deri sa  të privatizohet për tu kthyer në rezort elitar. 

Përçmimi për territorin tonë buron nga adhurimi për elitat, miliarderët, luksin dhe ekskluzivitetin e tyre që gjithnjë e më tepër e ka izoluar kryeministrin tonë nga shteti, populli dhe vend i tij. Ndaj sot ai habitet se përse qytetarët shqiptarw, që me zor mbyllin muajin, nuk ngazëllohen nga rezortet elitare që ai po ndërton për miliarderët.

Në fakt, revolta e tyre nuk është kundër turizmit elitar por kundër arrogancës qeverisëse që ndërton duke shpërfillur ligjin, duke injoruar qytetarin dhe duke shkatërruar dhe privatizuar perlat e natyrës tonë. Është arroganca e një modeli qeverisës që në thelb mbart përçmimin e pushtetit për qytetarët.  

Shkruar nga Blendi Kajsiu enkas per Lapsi.al


 

 

Të këshilluara

Kënga e fundit e Edi Ramës

Gjendja e rënduar e Edi Ramës dhe sjellja e tij e çakërdisur, nuk mund të shpjegohen më me personalitetin e tij, që gjithnj...

17:44 Armand Shkullaku

Turizmi elitar si kullat e Ramës në Tiranë

Klisheja `turizem elitar` është njësoj si modeli neoliberal i privatizmit të aseteve publike në vitet 1990, i cili u kthye në një parrullë që po ta kundërshtoje të cilësonin si komunist, anti-kapitalist dhe anti-zhvillim

08:56 Blendi Kajsiu

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

Një drejtor policie, kokë turku në Zvërnec

Elidon Çela nuk u shkarkua se prodhoi një komunikatë ku manipuloi ngjarjen. As se ndenji indiferent kur dhunoheshin protestuesit. Ai pagoi çmimin e thyerjes së heshtjes për një aferë ku implikohet familja e presidentit Trump. Të cilët Rama me sa duket ka vendosur ti gostisë pa shpërthyer skandale

08:27 Andi Bushati

ide

Përçmimi si model qeverisje 

I mësuar me, dhe i rrethuar nga, servilë Rama ka humbur aftësinë të përballet me qytetarët e lirë

09:35 Blendi Kajsiu

Kënga e fundit e Edi Ramës

Gjendja e rënduar e Edi Ramës dhe sjellja e tij e çakërdisur, nuk mund të shpjegohen më me personalitetin e tij, që gjithnj...

17:44 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

94.96

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI