
Krahasimi që kryeministri Edi Rama i bëri një mobilizimi qytetar që prej gati dy javësh i ka shpëtuar skemës së vjetër të protestave të dirigjuara nga partitë, me “militantët nazistë” dhe “skuadronet e zeza” të fashizmit italian, nuk është thjesht një teprim retorik. Ai është një përmbysje historike, një shtrembërim ideologjik dhe, mbi të gjitha, një gjest politik i rrezikshëm. Sepse kur një kryeministër e përshkruan protestën qytetare si embrion të fashizmit, ai nuk po bën vetëm një paralelizëm të pasaktë historik. Ai po përpiqet t’i heqë protestës legjitimitetin demokratik dhe t’i zhveshë qytetarët nga aftësia për të vepruar politikisht me arsye.
Çdo protestë mund të prodhojë teprime, gjuhë të ashpër, presion moral apo slogane të papëlqyeshme. Por të barazosh një protestë që kërkon llogaridhënie me marshimet e militantëve nazistë në rrugët e Gjermanisë së Vajmarit është një banalizim i rëndë historik. Nazizmi dhe fashizmi nuk ishin thjesht “njerëz në rrugë” që ushtronin presion shoqëror. Ishin lëvizje të organizuara, paramilitare, thellësisht antidemokratike, të mbështetura ose të toleruara nga sektorë të fuqishëm të elitave tradicionale shtetërore, ekonomike dhe ushtarake për të shtypur lëvizjen punëtore, socialistët, komunistët, sindikatat dhe demokracinë masive.
Prandaj pyetja themelore nuk është: a pati në protestë thirrje të forta, presion moral apo sjellje të diskutueshme në rrjete sociale? Pyetja është: kush po kërkon sot ta nënshtrojë qytetarin? Kush po e trajton hapësirën publike si pronë të pushtetit? Kush po e paraqet pakënaqësinë qytetare si manipulim, si histeri, si luftë hibride, si tradhti apo si rrezik për kombin?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, na ndihmon historia shoqërore dhe politike e fashizmit. Një nga mitet më të përhapura mbi fashizmin është ideja se ai ishte kulmimi i politikës së masave: shpërthimi i turmës, çmenduria e njerëzve të zakonshëm, momenti kur “masa” pushtoi historinë dhe shkatërroi demokracinë. Por ky është një lexim i gabuar, ndonëse shumë popullor mes elitave liberale dhe neoliberale.
Sidomos pas vitit 1989, me triumfin e narrativës së “fundit të historisë”, komunizmi, revolucioni dhe politika e masave u ripaketuan si rrugë drejt totalitarizmit, ndërsa tregu dhe individualizmi u paraqitën si baza natyrore të demokracisë liberale. Që prej atëherë, çdo mobilizim kolektiv nga poshtë shihet lehtësisht me dyshim: si turmë, si histeri, si manipulim apo si rrezik për rendin. Por historia e fashizmit tregon diçka tjetër. Fashizmi nuk ishte revolta e masave; ishte revolta kundër masave.
Fashizmi kishte nevojë për spektaklin e masave: mitingje, uniforma, flamuj, thirrje kolektive dhe rituale publike. Por qëllimi i tij nuk ishte të fuqizonte masat si subjekt demokratik. Qëllimi ishte t’i disiplinonte ato, t’i çarmatoste politikisht, t’i zhdukte si forcë autonome dhe t’i kthente në trup të bindur të kombit, racës, shtetit apo udhëheqësit. Fashizmi nuk e donte masën si qytetari aktive; e donte si turmë të organizuar nga lart.
Ky dallim është vendimtar. Masa demokratike është pluraliste, konfliktuale, e zhurmshme, shpesh e papërsosur, por ajo kërkon të flasë vetë. Masa fashiste, në kuptimin e vërtetë historik, nuk flet më si subjekt. Udhëheqësi ia merr zërin. Ajo nuk kërkon llogari nga pushteti; shndërrohet në instrument të pushtetit kundër armiqve të brendshëm.
Nga kjo pikëpamje, krahasimi i Ramës është jo vetëm i gabuar, por edhe simptomatik. Këtu qëndron rreziku politik i kësaj përmbysjeje ideologjike: nëse fashizmi paraqitet si revoltë e masave, atëherë zgjidhja duket sikur duhet të jetë më pak pjesëmarrje popullore dhe më shumë kontroll elitar nga lart; më pak demokraci nga poshtë dhe më shumë menaxhim politik nga sipër.
Kjo është arsyeja pse krahasimi i Ramës nuk është thjesht gabim historik, por edhe simptomë e një mendësie antidemokratike. Ai e sheh masën qytetare jo si burim legjitim të sovranitetit demokratik, por si rrezik që duhet disiplinuar. Por kjo mendësi nuk i përket vetëm pushtetit. Në forma të tjera, ajo shfaqet edhe te një pjesë e opozitës që proteston jo për ta thelluar demokracinë, por për të përfituar nga pakënaqësia popullore dhe për ta kthyer atë në kapital politik brenda të njëjtit sistem përfaqësimi nga lart.
Në të dyja rastet, masa nuk njihet si aktore politike me arsye, kërkesa dhe vullnet të vetin. Ajo shihet ose si rrezik për t’u frenuar, ose si energji për t’u përdorur.
Rama kësisoj përsërit një refleks të vjetër liberal-konservator: frikën nga masa. Sapo qytetarët dalin nga roli i spektatorit, sapo nuk pranojnë më të qeverisen si konsumatorë pasivë të propagandës, ata shpallen të rrezikshëm. Sapo protesta bëhet masive, pushteti fillon ta përfytyrojë atë si turmë irracionale. Sapo kërkohet dorëheqje, llogaridhënie apo ndalim i një projekti të kontestuar, qytetari shfaqet në sytë e pushtetit si kërcënim ndaj demokracisë.
Kjo është përmbysje e kuptimit të demokracisë. Demokracia nuk është qetësia që i pëlqen pushtetit. Demokracia nuk është mirësjellja e të qeverisurve përballë arrogancës së të pushtetshmëve. Demokracia është edhe e drejta e qytetarëve për të dalë në hapësirën publike, për të ushtruar presion politik, për të kërkuar dorëheqje, për të kritikuar projekte ekonomike dhe për të kontestuar mënyrën si merret vendimi mbi territorin, pasurinë publike dhe të ardhmen e vendit.
Rama përpiqet ta paraqesë këtë mobilizim si presion pseudo-moral ndaj atyre që nuk protestojnë. Por edhe këtu duhet ruajtur dallimi. Dhuna fizike, kërcënimi real, linçimi, përjashtimi etnik apo ideologjik janë të papranueshme. Por thirrja qytetare kundër këtij sistemi 35-vjeçar, nuk është fashizëm apo revoltë kundër arsyes, por mishërimi i arsyes në revoltë. Është pjesë e politikës demokratike. Demokracia nuk ekziston pa konflikt moral. Nëse çdo formë presioni publik ndaj indiferencës së pushtetit quhet totalitarizëm, atëherë çdo grevë, bojkot, protestë studentore, lëvizje feministe, sindikale apo ekologjike mund të shpallet pararendëse e fashizmit.
Pikërisht këtu shfaqet paradoksi më i madh. Duke akuzuar protestuesit se po krijojnë klimë fashiste, Rama përdor disa nga teknikat më të njohura të politikës autoritare dhe fashiste: teorinë e komplotit, nxitjen e mosbesimit, frikësimin përmes armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, dhe paraqitjen e pakënaqësisë qytetare si manipulim. Fashizmi historik nuk ushqehej vetëm nga dhuna në rrugë. Ai ushqehej edhe nga shkatërrimi sistematik i besimit te demokracia, te pluralizmi, te kundërshtari politik dhe te vetë aftësia e qytetarit për të gjykuar realitetin.
Në këtë botëkuptim, armiku nuk është thjesht dikush që kërcënon realisht shoqërinë; armiku është i nevojshëm për t’i dhënë kuptim politik pushtetit, për të prodhuar mobilizim emocional dhe për ta shmangur pyetjen mbi padrejtësitë reale. Prandaj, edhe kur armiku nuk ekziston, ai duhet gjetur, shpikur ose krijuar. Çdo pakënaqësi duhet të ketë një dorë të fshehtë pas saj; çdo protestë duhet të jetë komplot; çdo kërkesë për llogari duhet të shfaqet si kërcënim ndaj kombit. Kështu, pushteti nuk përballet më me qytetarë që kanë arsye reale për t’u revoltuar, por me “armiq” që duhen diskredituar, izoluar ose disiplinuar.
Në këtë kuptim, problemi nuk është vetëm se Rama e përdor gabimisht historinë e fashizmit kundër protestuesve; problemi është se vetë mënyra se si ai e ndërton figurën e armikut — protestuesin si të manipuluar, si histerik, si instrument të forcave të errëta — i përket një repertori politik që duhet refuzuar.
Kur pakënaqësia paraqitet gjithmonë si produkt i prapaskenave, kur protesta shihet si instrument i armiqve, kur qytetari nuk njihet më si subjekt që mendon dhe vepron, por si kukull e forcave të errëta, atëherë problemi nuk është “turma”. Problemi është pushteti që nuk pranon se qytetarët mund të kenë arsye reale për t’u revoltuar.
Kjo është arsyeja pse analogjia e Ramës është politikisht e rrezikshme. Ajo nuk synon të kuptojë protestën, por ta paraqesë atë si shenjë të një çrregullimi politik. Në vend që të pyesë pse mijëra qytetarë dolën në rrugë, çfarë u ka ndodhur marrëdhënieve midis shtetit, kapitalit dhe qytetarëve, pse një projekt “zhvillimi” shihet si grabitje dhe pse policia perceptohet si mbrojtëse e investitorit më shumë se e qytetarit, Rama e zhvendos debatin te psikologjia e turmës.
Ky mekanizëm nuk është i ri. Pushtetet autoritare dhe oligarkike shpesh e paraqesin kundërshtimin popullor si manipulim. Nëse qytetarët protestojnë, qenkan të nxitur nga armiq të jashtëm. Nëse kërkojnë llogari, qenkan të infektuar nga ideologji ekstreme. Nëse kundërshtojnë privatizimin e hapësirave publike, qenkan kundër zhvillimit. Nëse kritikojnë kapitalin e madh, qenkan komunistë. Nëse mbrojnë demokracinë nga poshtë, qenkan rrezik për demokracinë.
Këtu qëndron ironia më e madhe: logjika që Rama përdor për të akuzuar protestuesit për autoritarizëm është vetë një logjikë autoritare. Ajo nuk e njeh qytetarin si subjekt politik. Ajo e sheh atë si objekt manipulimi. Qytetari nuk mund të jetë i zemëruar sepse sheh korrupsion, kapje të shtetit, betonizim, privatizim të bregdetit apo arrogancë pushteti. Jo, sipas kësaj logjike, dikush tjetër duhet ta ketë shtyrë: një rrjet, një armik, një ideologji, një prapaskenë.
Historia e fashizmit na kujton se fashizmi nuk ishte thjesht antiparlamentarizëm apo dhunë rruge. Ai ishte një projekt për të neutralizuar masat si forcë historike. Ai ishte reagim kundër asaj që masat kishin fituar ose mund të fitonin që nga 1789-a dhe 1917-a: të drejta politike, sindikata, siguri sociale, kohë të lirë, standard jetese, barazi relative, dinjitet qytetar. Fashizmi nuk e kishte frikë masën sepse ajo ishte shumë barbare; e kishte frikë sepse ajo ishte bërë tepër demokratike, tepër kërkuese, tepër e aftë të ndërhynte në vendimmarrje.
Prandaj, nëse duam të flasim seriozisht për fashizmin, nuk duhet të fillojmë nga pyetja pse njerëzit protestojnë. Duhet të pyesim kush kërkon t’i kthejë njerëzit në spektatorë. Kush kërkon ta zëvendësojë qytetarin me konsumatorin, punëtorin me shërbëtorin, banorin me pengesën, territorin me aset investimi dhe demokracinë me menaxhim nga lart.
Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi nuk mund të matet vetëm me miliarda të premtuara, hotele luksoze, pista aeroportesh dhe pamje të bukura projektesh që ekzistojnë ende vetëm në ekran. Zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë.
Nëse ka një mësim historik nga fashizmi, ai nuk është se duhet të kemi frikë nga çdo turmë që mbush sheshet. Mësimi është se demokracia vdes kur masat çarmatosen politikisht, kur kritika barazohet me tradhti, kur protesta barazohet me komplot, kur pushteti identifikon veten me kombin dhe kur qytetari shpallet i rrezikshëm sapo kërkon të flasë me zë të lartë.
Prandaj krahasimi i këtij mobilizimi qytetar me militantët nazistë nuk e mbron demokracinë. Ai e dëmton atë. Ai e zhvendos debatin nga llogaridhënia tek frika, nga politika tek patologjia, nga qytetari tek turma. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse duhet refuzuar.
Një pushtet demokratik nuk ka pse të ketë frikë nga masa qytetare. Ai duhet t’i përgjigjet asaj. Kur mijëra njerëz dalin në rrugë për të kërkuar llogari, detyra e kryeministrit nuk është t’u kujtojë nazizmin. Detyra e tij është të dëgjojë dhe të respektojë vullnetin demokratik që vjen nga poshtë.
Sepse në Shqipëri, rreziku i fashizmit nuk vjen dhe nuk mund të vijë nga protesta qytetare. Rruga drejt fashizmit do të hapej pikërisht nëse kjo protestë mposhtet, depolitizohet ose përthithet nga sistemi i vjetër partiak. Historikisht, fashizmi nuk ishte shpërthimi i pakontrolluar i masave kundër rendit; ishte kundërrevolta e klasave sunduese liberale-konservatore ndaj demokratizimit të shoqërisë. Fashizmi historikisht u bë i dobishëm për kapitalizmin në momentet kur këtij sistemi po i minohej legjitimiteti, kur nuk arrinte më të qeveriste përmes konsensusit liberal dhe kur përballej me lëvizjen punëtore, kërkesën për barazi, zgjerimin e të drejtave sociale dhe ndërhyrjen e njerëzve të zakonshëm në vendimmarrje. Në këto çaste krize, oligarkia dhe klasat sunduese nuk e shihnin fashizmin si armik të rendit, por si aleat për ta shpëtuar atë: për t’i kthyer masat nga subjekt demokratik në turmë të disiplinuar (volk, racë apo komb), për ta zëvendësuar politikën nga poshtë me bindjen nga lart dhe për ta mbrojtur pronën, privilegjin dhe pushtetin nga kërkesa për demokraci reale. Prandaj, edhe sot, rreziku nuk qëndron te qytetarët që dalin në rrugë për të kërkuar llogari, por te një rend oligarkik që mund të dalë më i sigurt në aftësinë e tij për të kriminalizuar mospajtimin, për të privatizuar të mirat publike dhe për të qeverisur përmes komplotit, frikës, shtrëngimit dhe konsensusit nga lart. Fashizmi nuk lind kur qytetarët ngrihen për të kërkuar demokraci. Ai brumoset kur pushteti dhe oligarkia arrijnë t’i bindin qytetarët se demokracia bëhet e rrezikshme sapo del nga kontrolli i elitave.
Shkruar enkas për LAPSI.AL nga Klevis Kolasi, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Ankarasë.
