
Fillimisht pati një bisedë mes vëllezërve Esposito dhe më pas Sebastiano vendosi që penalltinë në rezultatin 1-1 mes Italisë dhe Francës ta gjuante ai dhe jo Pio. Topi përfundoi mbi traversë dhe trajneri Roberto Mancini nuk ia fali. Tekniku italian u kthye i habitur drejt bashkëpunëtorëve në pankinë, duke pyetur se përse penalltinë e kishte gjuajtur ai dhe jo vëllai i tij. Mancini e dinte shumë mirë se ai ishte një moment tepër delikat, në të cilin nuk duhej gabuar, pasi Franca ishte në vështirësi dhe fitorja ishte shumë pranë. Menjëherë pas gabimit nga pika e bardhë, erdhi goli i Frattesit, që i dha Italisë avantazhin 2-1.
Një frymëmarrje lehtësimi për Sebastiano Esposito, i cili ishte zëvendësuar menjëherë pas penalltisë së humbur. Pasi mbërriti në pankinën e Italisë, ai u përpoq ta sqaronte situatën me Mancinin në mënyrë miqësore. Por sulmuesi i Sassuolos gjeti përballë një trajner të tërbuar, që nuk kishte aspak dëshirë për shaka. Mancini iu drejtua ashpër: “Pse e gjuajte ti? Nuk duhej ta gjuaje ti”. Sebastiano Esposito u përpoq të shpjegohej, por Mancini nuk donte të dëgjonte asnjë arsye, aq sa Lele Oriali, i cili ndodhej pas tij, pothuajse ndërhyri për ta larguar sulmuesin dhe për ta ngushëlluar.

Oriali ndërhyn për të qetësuar situatën
Oriali duket se i hedh edhe një vështrim të ashpër trajnerit, i cili, megjithatë, vazhdon të qëndrojë në qëndrimin e tij. Për dikë, një qortim i tillë ndaj një 24-vjeçari mund të dukej i tepruar, por është gjithashtu e vërtetë se, nëse Seba Esposito pati guximin të merrte përsipër përgjegjësinë për të gjuajtur një penallti kaq të rëndësishme – edhe pse nuk duhej ta kishte bërë – duhet të jetë në gjendje të përballojë me pjekuri edhe shpërthimin e trajnerit të tij. Dhe Sebastiano Esposito, në fakt, nuk foli kundër Mancinit. E pranoi qortimin dhe u shoqërua drejt pankinës nga vetë Oriali, si edhe nga pjesëtarë të tjerë të stafit, të cilët u përpoqën ta ngushëllonin edhe me një buzëqeshje.
Mancini mban qendrim edhe pas fitores
Në fund të ndeshjes, Sebastiano Esposito mendoi se fitorja 3-1 e kishte qetësuar teknikun Mancini. Kështu, përsëri me buzëqeshje, u përpoq t'i afrohej për një sqarim tjetër: “Mister, mund të të shpjegoj?”, i tha, por edhe këtë herë trajneri italian nuk i dha hapësirë. “Po, do të flasim më vonë”. Mancini tregoi se i kishte përcjellë futbollistit një mesazh të fortë, në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme. Ai e dinte se ajo penallti kishte një peshë shumë të madhe dhe për këtë arsye nuk dëshiron që një pakujdesi e tillë të përsëritet më. E di gjithashtu se duhet të drejtojë një Itali shumë të re dhe pa përvojë, por nuk mund të humbasë kohë, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur në të kaluarën. Për këtë arsye, qortimet janë të mirëpritura, për sa kohë që shërbejnë për të ndërtuar të ardhmen e kombëtares italiane.