
Katy Perry dhe Justin Trudeau janë fotografuar së bashku në daljen e tyre të parë publike që prej dënimit të ish-bashkëshortit të këngëtares, Russell Brand, për përdhunim dhe sulm seksual.
Çifti u fotografua duke u larguar dorë për dore nga restoranti E. Baldi në Beverly Hills, të mërkurën në mbrëmje. Sipas fotografive të siguruara nga Page Six, dyshja dukej në humor të mirë gjatë mbrëmjes romantike.
Perry kishte zgjedhur një bluzë të zezë, xhinse në nuancë të çelët dhe çizme të zeza, ndërsa e kishte kompletuar pamjen me vathë argjendi dhe një çantë të vogël të zezë. Nga ana tjetër, ish-kryeministri kanadez kishte veshur një pulovër blu të errët dhe pantallona të zeza.
Katy Perry dhe Justin Trudeau janë në një lidhje prej më shumë se një viti. Romanca e tyre nisi pas ndarjes së këngëtares nga aktori Orlando Bloom, me të cilin ajo ka një vajzë gjashtëvjeçare, Daisy Dove.
Ndërkohë, kjo dalje vjen vetëm pak ditë pasi Russell Brand, me të cilin Perry ishte e martuar nga viti 2010 deri në vitin 2011, u dënua me 10 vite e gjashtë muaj burg, pasi u shpall fajtor për përdhunim dhe sulm seksual.
Gjatë gjyqit, që lidhej me akuza të ngritura nga gjashtë gra për ngjarje të ndodhura mes viteve 1999 dhe 2009, prokurorët thuhet se nuk u lejuan të përmendnin marrëdhënien e Brand me këngëtaren.
Pas dënimit, janë rikthyer në vëmendje edhe deklaratat e mëparshme të Perry-t për martesën e tyre të shkurtër. Në një intervistë të vitit 2013 për revistën Vogue, këngëtarja kishte treguar se Brand nuk e pëlqente faktin që ajo ishte në krye të turneut të saj dhe se sillej në mënyrë kontrolluese.
Madje, muaj përpara dënimit të ish-bashkëshortit, Perry kishte bërë edhe një koment në skenë, duke shpresuar që ai të mos ishte i pranishëm në koncertin e saj dhe duke shtuar se duhej të ishte në burg.