
Mbetje mortore janë zbuluar të enjten në fshatin Brod, në Komunën e Shtërpcës në Kosovë, gjatë kërkimeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, sipas të cilit operacioni i kërkimit në këtë zonë kishte nisur më 6 nëntor 2026, pas marrjes së autorizimit përkatës gjyqësor.
Gjatë fazës së parë të kërkimeve, autoritetet nuk arritën të identifikonin vendndodhjen e varrit të dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite. Kërkimet u rifilluan më 12 nëntor, kur u bë i mundur zbulimi i mbetjeve mortore.
Sipas njoftimit zyrtar, mbetjet e gjetura do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore, ndërsa identifikimi i mundshëm i tyre do të kryhet edhe përmes analizave të ADN-së.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Policisë së Kosovës, përkatësisht sektorit që merret me hetimin e krimeve të luftës dhe personave të zhdukur. Procesi u mbështet edhe nga Prokuroria, përmes Departamentit për Krime Lufte.
Komisioni bëri të ditur se identifikimi i këtij lokacioni ishte rezultat i bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me autoritetet kroate që merren me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë proces kanë dhënë edhe familjarët e personave të zhdukur, organizatat që përfaqësojnë familjet e tyre, si dhe qytetarët që kanë vënë në dispozicion informacione për vendndodhjen e dyshuar.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi identitetin apo numrin e personave të cilëve mund t’u përkasin mbetjet e zbuluara.
Komisioni Qeveritar ka riafirmuar angazhimin për vazhdimin e kërkimeve në terren, me synimin për të zbardhur fatin e të gjithë personave të zhdukur me dhunë dhe për t’u dhënë familjeve të tyre përgjigje për më shumë se tri dekada pas luftës në Kosovë.