
Partia Demokratike ka nisur mbledhjen e propozimeve për kandidatët që do të garojnë për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Mes grupeve ku strukturat duhet të kërkojnë emra janë edhe studentët dhe pedagogët e përfshirë në protesta.
Procesi përcaktohet në një udhëzim të datës 10 nëntor 2026, të firmosur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka.
Dokumenti parashikon që propozimet të mblidhen përtej radhëve të partisë, duke përfshirë shoqërinë dhe komunitetet vendore. Përmes kësaj hapjeje, PD synon të identifikojë kandidaturat me të cilat do të përfaqësohet në garën e ardhshme për bashkitë.
Afati i propozimeve: Procesi i mbledhjes së propozimeve pranë të gjitha Degëve të PD-së duhet të mbyllet brenda datës 30 nëntor 2026.
Hapja ndaj shoqërisë: Përveç strukturave dhe anëtarësisë, degët e partisë janë të udhëzuara të zhvillojnë një dialog intensiv me mbështetësit, botën akademike, studentët, shoqërinë civile, profesionistët e lirë, sipërmarrjen, të përndjekurit politikë dhe pronarët.
Konsultime të posaçme: Në 15 bashkitë e prekura nga shkrirja territoriale, do të organizohen konsultime të veçanta me banorët e njësive të shkrira për të garantuar përfaqësim dinjitoz.
Deputetët dhe kryetarët aktualë: Deputetët e Partisë Demokratike dhe kryetarët e bashkive në detyrë nuk i nënshtrohen procesit të seleksionimit paraprak, duke u konsideruar të kualifikuar drejtpërdrejt për fazat e mëtejshme.
Kriteret dhe pastërtia e figurës: Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e ligjit të dekriminalizimit (nr. 138/2015), të kenë arsim të lartë, të jenë aktivë në jetën publike dhe të mos kenë mbajtur funksione të larta në regjimin komunist deri më 2 korrik 1991.
Komisioni i Seleksionimit (KSK): Dokumentacioni i aplikantëve do të shqyrtohet brenda 15 ditëve nga Komisioni i Seleksionimit të Kandidaturave, i cili do t’i përcjellë listën e kualifikuar Kryesisë së Partisë.
I. Nisja e procesit dhe mënyra e evidentimit të kandidaturave
• Nis procesi i mbledhjes së propozimeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.
• Degët e PD-së duhet të marrin mendime nga anëtarësia dhe strukturat (sipas Nenit 12, pika 1 të Statutit).
• Përveç propozimeve politike nga strukturat, do të ketë një dialog të hapur me mbështetësit, komunitetin, botën akademike, studentët, shoqërinë civile, profesionistët e lirë, sipërmarrësit, të përndjekurit politikë, pronarët dhe OJQ-të.
• Në bashkitë ku harta territoriale ka ndryshuar (pas shkrirjes së 15 bashkive), do të ketë konsultime të posaçme me banorët e njësive të shkrira për të garantuar përfaqësim dinjitoz.
• Deputetët dhe kryetarët e bashkive në detyrë nuk i nënshtrohen procesit paraprak të seleksionimit; ata konsiderohen të kualifikuar drejtpërdrejt.

II. Profili dhe kriteret për kandidatët
Kandidatët duhet të gëzojnë integritet të lartë moral e profesional dhe të plotësojnë këto kushte:
1. Pazgjedhshmëria: Të mos jenë në kushtet e pazgjedhshmërisë sipas Ligjit nr. 138/2015 (“Për dekriminalizimin”).
2. Kufizimet e të kaluarës: Deri më 02.07.1991, të mos kenë qenë anëtarë të Byrosë Politike, Komitetit Qendror të PPSH-së, Presidiumit, ish-Sigurimit të Shtetit, hetues, prokurorë apo gjyqtarë në procese politike, etj.
3. Aktivizmi: Të jenë aktivë në mbrojtjen e interesit publik dhe vlerave të PDSH-së.
4. Kontributi: Të kenë kontribuar në fushatat e PD-së ose në kauza publike e qytetare.
5. Arsimi: Të ketë të kryer arsimin e lartë.
6. Masat disiplinore: Të mos kenë masa disiplinore në fuqi për shkelje të Statutit ose Etikës së PDSH-së.

III. Dokumentacioni dhe procedura e verifikimit
Kandidatët e propozuar/vetëpropozuar duhet të dorëzojnë pranë Sekretariatit Organizativ dhe të Burimeve Njerëzore:
• Kërkesë formale shprehje vullneti.
• CV të përditësuar.
• Formularin e vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës (sipas KQZ).
• Vetëdeklarim për mospjesëmarrje në strukturat e diktaturës (sipas pikës II.2.b).
• Vetëdeklarim për mungesë masash disiplinore (për anëtarët e PD).
• Komisioni i Seleksionimit të Kandidaturave (KSK): Vlerëson kushtet brenda 15 ditëve dhe i rekomandon Kryesisë së PDSH-së listën e miratuar.

IV. Rregullat organizative dhe konflikti i interesit
• Nëse kryetari ose sekretari i degës kandidon, detyrat e tij ushtrohen nga nënkryetari.
• Degët bashkërendojnë punën në bashkitë që mbulohen nga disa degë.
• Drejtuesit e partisë duhet të garantojnë një proces të lirë, të ndershëm, asnjanës dhe të barabartë për çdo kandidaturë.

V. Afatet dhe dispozita të fundit
• Afati i fundit: Procesi i mbledhjes së propozimeve duhet të përfundojë brenda datës 30.11.2026.
• Propozimet dërgohen në formë shkresore dhe elektronike.
• Shkelja e rregullave sjell pasoja disiplinore.
• Udhëzimi hyn në fuqi menjëherë.
