
Dy ndeshje, dy kundërshtarë dhe një objektiv i vetëm për Shqipërinë: vendi i parë në Grupin C1 të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë kryesojnë me 9 pikë, por Finlanda dhe Bjellorusia janë vetëm dy pikë larg. Për të mos u varur nga rezultatet e të tjerëve, skuadrës së Maran i duhen të paktën katër pikë në dy përballjet e fundit.
Llogaritë janë të qarta, por gara mbetet plotësisht e hapur. Pas katër ndeshjeve, Shqipëria udhëheq Grupin C1 me 9 pikë, ndërsa Finlanda dhe Bjellorusia ndajnë vendin e dytë me nga 7. San Marino është e fundit pa pikë dhe, as në letër, nuk duket se mund të luajë rolin e përcaktuesit në garën mes tri skuadrave të tjera. Shqipëria e ka fatin në duart e saj. Fillimisht pret Finlandën më 12 nëntor dhe më pas udhëton drejt Bjellorusisë, më 15 nëntor. Dy fitore do ta çonin në kuotën e 15 pikëve dhe do ta garantonin vendin e parë në mënyrë absolute. Por edhe katër pikë, do të mjaftonin për të siguruar kreun, pavarësisht rezultateve të tjera.
Një fitore nuk mjafton
Një fitore në Tiranë dhe një humbje në Budapest, nga ana tjetër, do ta linin Shqipërinë në kuotën e 12 pikëve dhe do ta mbanin të ekspozuar ndaj Bjellorusisë. Kundërshtari më i rrezikshëm në këtë moment është Finlanda, që duhet mundur ose të paktën barazuar, për të luajtur pastaj vetëm për fitore në transfertën me Bjellorusinë në ndeshjen e fundit. Jo vetëm sepse është përballja e radhës, por edhe sepse ka golavarazh më të mirë se Shqipëria dhe na ka mundur në ndeshjen e parë. Një fitore në Tiranë do ti lejonte nordikëve të kapërcenin kuqezinjtë në pikë dhe do t'i jepte një avantazh të rëndësishëm në garë, praktikisht duke siguruar vendin e parë me ndeshjen e fundit kundër San Marinos.
Por as Bjellorusia nuk mund të lihet jashtë llogarive. Ajo luan fillimisht me San Marinon dhe më pas pret Shqipërinë në ndeshjen e fundit. Dy fitore nuk do të mjaftonin për bjellorusët për të marrë vendin e parë, nëse nuk kapërcen golavarazhin 7-3 në favor të Finlandës, por do ti mjaftonin nëse përplasja Shqipëri-Finlandë përfundon me fitoren e njerëzve të Maran, ose ndarje pikësh. Pra, Shqipëria nuk ka luksin të mendojë vetëm për Finlandën, por edhe Bjellorusinë, është një vend i parë për tu fituar në fushë, e jo përmes llogarive të të tjerëve.