
Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është ndaluar nga autoritetet, ndërsa aktualisht po merret në pyetje nga dy prokurorë.
Arben Voja është përballur edhe më herët me hetime nga Prokuroria e Fierit, për dyshime për shpërdorim detyre gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër.
Në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të Vojës, së bashku me gjashtë punonjës të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Hetimi lidhej me shkelje të dyshuara në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore, si dhe me mosmbledhjen e tarifave përkatëse.
Gjithashtu, në vitin 2023, Arben Voja ishte kallëzuar në SPAK për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në kohën kur mbante detyrën e drejtorit të Kadastrës së Fierit. Për momentin, nuk ka të dhëna nëse ndalimi i tij lidhet me hetimet e mëparshme apo me një çështje të re.