
Ariana Grande dhe Ricky Alvarez kanë bërë daljen e tyre të parë zyrtare si çift në tapetin e kuq, duke konfirmuar edhe një herë se romanca e tyre e rindezur është më e fortë se kurrë.
Këngëtarja 33-vjeçare dhe balerini 35-vjeçar u shfaqën së bashku në premierën e filmit të ri “Focker-in-Law”, të mbajtur të mërkurën në mbrëmje në New York.
Dyshja u fotografua duke pozuar të përqafuar dhe duke shkëmbyer vështrime e buzëqeshje gjatë eventit.
Ariana dhe Ricky u përfolën për një ribashkim në qershor, kur u panë së bashku gjatë një dreke në Austin të Teksasit. Në gusht, këngëtarja e bëri romancën publike edhe në rrjetet sociale, duke ndarë disa fotografi me të.
Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 2015, kur Ricky punonte si një nga balerinët shoqërues të Arianës gjatë turneut “Honeymoon”. Ata nisën një lidhje në prill të atij viti, por u ndanë në korrik 2016.
Megjithatë, duket se ndjenjat mes tyre nuk janë shuar plotësisht. Gjatë një prej koncerteve të turneut “Eternal Sunshine”, Ariana ndryshoi edhe një pjesë të tekstit të këngës së saj “Thank U, Next”.
Në vend të vargut “Wrote some songs about Ricky / Now I listen and laugh”, ajo këndoi: “Wrote some songs about Ricky / I’m tryna make him my last”, duke lënë të kuptohet se këtë herë mund ta shohë Ricky-n si partnerin e saj të fundit.
Rikthimi i tyre vjen pas përfundimit të lidhjes së Arianës me aktorin Ethan Slater, me të cilin u njoh gjatë xhirimeve të filmit “Wicked”.