
Skandali me Aeroportin e Vlorës, një projekt i mbetur peng i klaneve të qeverisë dhe që pritet të marrë zgjidhje në arbitrazhin ndërkombëtar, e ka detyruar ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi të bëjë një kapërcim pindarik me faktet, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financat. Në përpjekje për të mbrojtur disa ndërhyrje të nxituara të qeverisë dhe që mund t’i kushtojnë disa qindra miliona euro taksapaguesve shqiptarë, Enea Karakaçi deklaroi se ministria që ai drejton e ka zgjidhur kontratën me kompaninë konçensionare dhe kjo ka marrë miratimin e një arbitri ndërkombëtar.
Pohimi i Karakaçit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave erdhi pasi deputeti i PD, Igli Cara kërkoi sqarime se çfarë po ndodh me aeroportin e Vlorës, nëse aty po punohet apo jo, se kush po e menaxhon dhe nëse ka hyre ne fuqi anulimi i kontratës.
Përgjigjia e Karkaçit ishte se kontrata ishte zgjidhur me miratimin e arbitrit ndërkombëtar.
“Aeroporti i Vlorës duhet të ishte funksional në shkurt 2026, është një infrastrukturë publike. Koncesionarët për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre kanë çuar në vonesa të projektit. Në fund të shkurtit të 2026-ës nuk duhet të kishte mbaruar vetëm ndërtimi por të ishte edhe funksional. Kjo gjë nuk ndodhi. Në mars MIE i lindi e drejta për ta zgjidhur këtë kontratë, nuk e bëri këtë gjë, ju kërkua që të zgjidhej mosmarrëveshja. Në gusht duke mos patur më siguri për punimet, nisëm procedurat për zgjidhjen e kontratës.
Arbitri i përkohshëm e trajtoi me shumë kujdes, dhe vlerësoi që MIE ishte në të drejtën e saj për ta zgjidhur kontratën, dhe që në fund të shtatorit ne e kemi të zgjidhur këtë kontratë koncesionare. Në ditët në vijim, do të vijnë disa masa në parlament sa i takon këtij aeroporti” u shpreh Karakaçi.
Kjo deklaratë e Karakaçit është një manipulim i pastër. Pas vendimit të qeverisë për prishjen e kontratës konçensionare për aeroportin e Vlorës, MABCO dhe Vlora International Airport iu drejtuan arbitrazhit ndërkombëtar me kërkesa të veçanta emergjente.
Në të dyja procedurat u vendosën kufizime ndaj veprimeve të Ministrisë. Në procedurën e MABCO-s u nxor një urdhër paraprak për ruajtjen e situatës gjatë shqyrtimit të kërkesës, ndërsa në atë të VIA-s u ndaluan veprimet për marrjen në posedim të aeroportit dhe zëvendësimin e koncesionarit.
Pikërisht duke cituar vendimin e arbitrit të emergjencës, MABCO ka dalë me një njoftim që hedh poshtë deklaratën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas të cilit arbitri ndërkombëtar i dha të drejtë qeverisë për zgjidhjen e kontratës.
Në njoftimin e MABCO citohet tekstualisht Arbitri i Emergjencës në arbitrazhin e Londrës që deklaron se:
“Nuk po vlerësoj nëse MIE e ka zgjidhur në mënyrë të vlefshme Kontratën, por vetëm po vendos një masë me karakter ruajtës, të kufizuar si në objekt, ashtu edhe në kohë.”
Çfarë do të thotë kjo konkretisht në terren? Sipas urdhrit të Arbitrit të Emergjencës në Londër, derisa trupa e arbitrazhit të mund ta rivlerësojë situatën, Ministria nuk mund të hyjë, të marrë në posedim ose nën kontroll operacional territorin, asetet apo punimet e projektit. Ajo nuk mund të kërkojë dorëzimin e pasurive të luajtshme apo të paluajtshme dhe as të përzgjedhë një operator pasardhës ose të zëvendësojë VIA-n.
Kufizimi përfshin edhe “ndërmarrjen e veprimeve të tjera që do të ndryshonin gjendjen ekzistuese ose do të përshkallëzonin mosmarrëveshjen”.
Pra, ndryshe nga pohimi që lëshoi Karakaçi në komisionin parlamentar, qeveria nuk ka marrë një miratim përfundimtar nga arbitri për ligjshmërinë e veprimit të saj. Përkundrazi, për marrjen nën kontroll të aeroportit përballet me kufizime konkrete.
Nëse qeveria i shpërfill këto kufizime për të zbatuar masat që Karakaçi paralajmëroi në parlament, rrezikon ta rëndojë më tej pozitën e shtetit në arbitrazh. Dhe nëse veprimet do të jenë në kundërshtim me urdhrat e gjykatës së arbitrazhit, faturën nuk do ta paguajë ministri, por taksapaguesit shqiptarë.

