
Një arbitër ndërkombëtar në Londër bëri për Aeroportin e Vlorës atë që drejtësia e përgjumur shqiptare nuk guxon dot ta bëjë prej muajsh: ka ngrirë konfliktin mes kompanive private dhe qeverisë para se gjoba me vlerë qindra milionë euro të kthehej në fakt të kryer dhe fatura t’i mbetej buxhetit të shtetit.
Më 16 shtator, Arbitri i Emergjencës i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), Cecilia Carrara, nxori një urdhër paraprak në çështjen e hapur nga MABCO Constructions kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
MABCO, kompania zvicerane e grupit Mabetex, zotëron 98% të Vlora International Airport, ndërsa 2A Group 2%.
Urdhri ndalon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndërmarrë veprime të tjera lidhur me përfundimin e kontratës që mund ta përkeqësojnë konfliktin ose ta bëjnë të pavlefshme procedurën.
MABCO iu drejtua ICC-së më 7 shtator, pasi Ministria kishte njoftuar prishjen e kontratës së koncesionit. Sipas dokumentit të arbitrazhit, prishja do të bëhej efektive më 17 shtator, vetëm një ditë pas nxjerrjes së urdhrit. Ky afat shpjegon edhe urgjencën e procedurave.
Pas hyrjes në fuqi të prishjes së kontratës, ministria mund të ndërhynte në projekt, të merrte në posedim ose nën kontroll operacional kantierin, asetet dhe punimet, të kërkonte dorëzimin e pasurive dhe të zgjidhte një operator që do të zëvendësonte koncesionarin ekzistues.
MABCO argumentoi se, nëse kjo ndodhte, procedura emergjente humbiste kuptimin. Në Londër do të vazhdonte shqyrtimi i prishjes së kontratës, ndërsa në Vlorë qeveria mund ta kishte marrë aeroportin dhe mund të kishte vendosur një operator tjetër.
Arbitri e pranoi se ekzistonte rreziku që qeveria të merrte kontrollin e pronave apo të zëvendësonte VIA-n me një operator pasardhës.
Në dosje kishte edhe materiale të paraqitura nga MABCO që arbitri i përshkroi si “disa prova që sugjerojnë se MIE mund të jetë duke shqyrtuar emërimin e një operatori pasardhës”.
Në pikën 38 urdhërohet ministria të mos ndërmarrë veprime lidhur me përfundimin e koncesionit që ndryshe nënkupton se qeveria nuk mund ta kthejë prishjen e kontratës në një fakt të kryer ndërsa arbitri po shqyrton nëse duhet ta ndalojë atë.
Ndërhyrja e gjykatës në Londër ndryshon rrjedhën e konfliktit. Pa të, skenari ishte që qeveria të prishte kontratën, të merrte aeroportin, të largonte koncesionarin dhe eventualisht të vendoste një operator tjetër. MABCO do të vazhdonte më pas betejën në arbitrazh, këtë herë jo vetëm për kontrollin e aeroportit, por edhe për dëmin që pretendon se i është shkaktuar nga shteti shqiptar.
Pretendimet e MABCO-s për ekspozimin financiar të Shqipërisë kanë shkuar në qindra milionë euro, me një dëm potencial të pretenduar deri në 500-700 milionë euro, por rreziku financiar do të diskutohet në një konflikt arbitrar në themel. Kështu, masa që mbron sot interesin e një kompanie private mbron edhe një interes publik.
Kontrasti me atë që ndodhi prej muajsh brenda Shqipërisë është i dukshëm.
Konflikti i Aeroportit të Vlorës vazhdon prej muajsh. Nisi për kontrollin e Vlora International Airport, vazhdoi me vendime gjykatash që prekën të drejtat e aksionerit me 98%, bllokim të kantierit, ndërhyrje institucionale dhe më pas procedurën e Ministrisë për prishjen e koncesionit.
Në dosjet hetimore të SPAK në lidhje me lotet e Unazës së re në Tiranë dolën komunikime mes personave që lidhen me këtë histori. SPAK ka administruar në hetimet e tij materiale që përfshijnë Arbër Abazin dhe Belinda Ballukun, ndërsa lidhjet e Abazit me Valon Ademin dhe rolet e personave të përfshirë në VIA janë elemente që kërkojnë verifikim për të përcaktuar nëse konflikti ishte pasojë e interesave korruptive.
Këto janë materiale që SPAK i ka në dosje, por që duhet t’i hetojë nëse materialet që disponon krijojnë dyshime për vepra penale. Nëse nga hetimi rezulton se veprime të caktuara mund të jenë produkt i një vepre penale, vazhdimi i tyre mund të prodhojë pasoja qindra miliona euro dëmë për qytetarët shqiptarë.
Prokurori Klodian Braho dhe SPAK duhet të sqarojnë çfarë materialesh kanë për Aeroportin e Vlorës, çfarë tregojnë ato dhe nëse krijonin bazë për të ndërhyrë para se konflikti të arrinte në pikën ku shteti shqiptar rrezikonte një tjetër betejë ndërkombëtare.
Nëse paratë ikin, atëherë drejtësia për aeroportin e Vlorës do t’i kushtojë shumë qytetarëve shqiptarë. Shqipëria e provoi këtë me inceneratorët, ku hetimet ngritën akuza dhe çuan personat përgjegjës para gjykatës, por ndërkohë kontratat ishin lidhur dhe paratë e buxhetit ishin paguar.
Në Vlorë ka ende kohë që historia të mos përfundojë njësoj Mbetet të shihet nëse SPAK do të hetojë atë që ka ndodhur përpara se dëmi të prodhohet, apo do të mbërrijë përsëri me vonesë kur dëmi të jetë bërë./Lapsi.al

