
Pas gati gjashtë vitesh në paraburgim dhe më shumë se tre vitesh proces gjyqësor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Gjykata i shpalli të katërt fajtorë për katër krime lufte: ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Por një pjesë tjetër e rëndësishme e aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar nuk u provua. Të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Ky dallim është i rëndësishëm për të kuptuar vendimin. Prokuroria i kishte akuzuar Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin për gjashtë krime kundër njerëzimit, përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe për katër krime lufte. Trupi gjykues arriti në përfundimin se Prokuroria nuk provoi një nga kushtet juridike themelore për kategorinë e parë: ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, deklaroi kryesuesi i trupit gjykues, Charles Smith.
Pra, gjykata nuk pranoi tezën e Prokurorisë se faktet e provuara plotësonin kriteret juridike për krime kundër njerëzimit. Por kjo nuk rrëzoi pjesën tjetër të çështjes. Të njëjtat prova u vlerësuan veçmas sipas së drejtës së luftës dhe trupi gjykues konstatoi se ishin kryer katër kategori krimesh lufte.
Sipas aktgjykimit, ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999, 385 persona që nuk merrnin pjesë aktive në luftime u ndaluan arbitrarisht në 14 komuna të Kosovës dhe në qendra ndalimi të lidhura me UÇK-në. Mes tyre kishte shqiptarë të Kosovës të dyshuar si bashkëpunëtorë me LDK, ose kundërshtarë të UÇK-së, serbë dhe persona të tjerë të pakicave.
Gjykata tha se një pjesë e tyre u arrestuan në shtëpi ose në rrugë, u mbajtën të lidhur, u rrahën dhe u keqtrajtuan, ndërsa në disa raste ndalimi bazohej vetëm në dyshime apo thashetheme.
“Shumë prej të ndaluarve ishin të lidhur me zinxhirë. Ndër ta kishte mësues, bujq, si edhe në disa raste gra dhe fëmijë. Nuk ka prova që ndonjëri prej tyre të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale apo në aktivitete që mund të përbënin kërcënim për UÇK-në. Viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e thashethemeve”, tha Smith gjatë leximit të aktgjykimit.
Një pjesë veçanërisht e rëndë e vendimit lidhet me mënyrën se si u trajtuan të ndaluarit. Sipas gjykatës, në qendrat e ndalimit në Kosovë dhe Shqipëri u krijuan kushte çnjerëzore, ndërsa personat e ndaluar iu nënshtruan dhunës fizike dhe psikologjike.
“Trupi gjykues konstatoi se shumë anëtarë të UÇK-së i keqtrajtuan fizikisht personat e ndaluar. Në disa raste, të ndaluarit detyroheshin të rrihnin njëri-tjetrin. Anëtarët e UÇK-së u shkaktuan të ndaluarve edhe vuajtje psikologjike dhe, në shumë qendra ndalimi, atyre u thuhej se do të vriteshin”, deklaroi Smith.
Në përshkrimin e provave për torturat, gjykata tha se disa prej të ndaluarve u rrahën deri në atë masë sa nuk mund të qëndronin më në këmbë, ndërsa disa të tjerë pësuan dëmtime të rënda fizike. Sipas gjetjeve të paraqitura gjatë shpalljes së vendimit, disa viktimave serbe iu shkulën thonjtë dhe iu thyen gjymtyrët. Disa prej të mbijetuarve, tha gjykata, vuajnë ende nga dhimbjet dhe pasojat fizike e psikologjike të keqtrajtimit.
Pikërisht mbi këto prova, trupi gjykues arriti në përfundimin se Prokuroria provoi krimet e luftës të trajtimit mizor dhe torturës.
Edhe më e rëndë ishte akuza për vrasje. Gjykata konstatoi se ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vdekjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
“Trupi gjykues konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”, u tha gjatë leximit të aktgjykimit.
Por vendimi nuk u mbështet vetëm te konstatimi se krimet ndodhën. Për të dënuar katër ish-drejtuesit, gjykata duhej të përcaktonte edhe lidhjen e tyre individuale me këto krime.
Trupi gjykues pranoi në këtë pikë tezën e Prokurorisë për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal. Sipas gjykatës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kishin si pjesë të strategjisë së tyre shënjestrimin e personave që konsideroheshin kundërshtarë ose pengesë për UÇK-në.
“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit kishin të njëjtin qëndrim se elementë kyç të strategjisë për realizimin e qëllimeve ishin shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i personave që konsideroheshin pengesë”, tha Smith.
Gjykata bëri edhe dallimin mes përgjegjësisë së UÇK-së si organizatë dhe përgjegjësisë penale të katër të akuzuarve. Në fillim të shpalljes së vendimit, Smith theksoi se procesi nuk ishte një gjykim mbi luftën e UÇK-së apo mbi pavarësinë e Kosovës.
“Kjo çështje nuk ka të bëjë me pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Kjo çështje nuk ka të bëjë me Kosovën e pavarur”, tha ai.

Për Hashim Thaçin, gjykata konstatoi se ai ishte një nga figurat kyçe në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Sipas trupit gjykues, Thaçi inkurajoi politikën kundër personave të konsideruar kundërshtarë, kishte dijeni për krime të kryera dhe nuk ndërmori masa për t’i parandaluar ose ndëshkuar.
Por gjykata shkoi edhe më tej, duke e lidhur Thaçin drejtpërdrejt me episode konkrete. Një prej tyre ishte rasti i Behajdin Hallaçit, i cili sipas gjykatës u mor në pranga nga Thaçi dhe Veseli dhe më pas u zhduk.
“Më 11 qershor 1998, Behajdin Hallaçi shkoi në shtabin e UÇK-së. Thaçi dhe Veseli e morën Behajdin Hallaçin në pranga. Ai nuk u pa më kurrë dhe trupi gjykues është i bindur se ai u vra”, deklaroi Smith.
Gjykata pretendoi gjithashtu se pas luftës Thaçi dhe Veseli tentuan të ndërhynin te familja e Hallaçit: “Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Pas luftës, Thaçi dhe Veseli u përpoqën t’i jepnin ryshfet familjes së tij, me qëllim që të hiqnin dorë nga kërkimi i së vërtetës.”
Ky rast ishte një prej elementeve mbi të cilat trupi gjykues mbështeti përfundimin për përgjegjësinë individuale të Thaçit. Sipas gjykatës, ai kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh, veçanërisht keqtrajtime dhe vrasje, por nuk ndërmori masa për parandalimin apo ndëshkimin e tyre. Thaçi mori dënimin e njësuar prej 25 vjetësh burg.

Për Jakup Krasniqin, gjykata vlerësoi se ai përdori pozicionin e tij si zëdhënës i UÇK-së dhe komunikatat publike për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve. Trupi gjykues tha se Krasniqi kishte dijeni për një numër krimesh, por nuk ndërhyri për t’i parandaluar apo ndëshkuar. Edhe Krasniqi u dënua me 25 vjet burg.

Për Kadri Veselin, gjykata konstatoi se ai luajti rol kyç në identifikimin dhe neutralizimin e personave që konsideroheshin të dyshimtë ose kundërshtarë dhe se kontribuoi në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Edhe Veseli u lidh nga gjykata me rastin Hallaçi, ndërsa trupi gjykues tha se ai “mori pjesë dhe inkurajoi krimet”. Veseli u dënua me 18 vjet burg.

Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata konstatoi se pozita e tij institucionale i jepte më pak pushtet sesa tre të akuzuarve të tjerë, por se ai kishte dijeni për ndalimet, keqtrajtimet dhe vrasjet, mori pjesë në disa episode dhe nuk ndërmori masa për parandalimin ose ndëshkimin e krimeve. Sipas vendimit, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez. Ai mori dënimin më të ulët mes katër të akuzuarve, 13 vjet burg.
Vendimi i Hagës krijoi një ndarje të qartë mes dy tezave kryesore të aktakuzës. Gjykata nuk pranoi se Prokuroria kishte provuar ekzistencën e një sulmi të përhapur ndaj popullatës civile dhe, për këtë arsye, i shpalli të katër të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Por ajo konstatoi se ishin provuar krime konkrete të kryera gjatë konfliktit, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, si edhe përgjegjësia penale e katër ish-drejtuesve të UÇK-së në lidhje me to./Lapsi.al

