
Në intervistën e dhënë tek Çim Peka Live, ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj zbuloi se si rrjedhin parave të qytetarëve shqiptarë nga buxheti i shtetit në xhepat e njerëzve pranë kryeministrit Edi Rama, përmes kontratave në tregtinë e armëve dhe mjeteve ushtarake.
Por mes denoncimeve të tij, Ahmetaj sinjalizoi edhe një lidhje të shkurtër që në pamje të parë dukej e pakuptueshme: ai bashkoi grabitjen e Aeroportit të Vlorës me projektin Smart City, marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë arabe Presight për sistemin e kamerave dhe monitorimit inteligjent.
“Aeroporti i Vlorës, grabitje. Valoni (Ademi) të ketë kujdes se i del fytyra dhe tek Smart City. Kam do të lë këtu, i kam këtu (dokumentat) se mbase s’do arrimë dot në kohë. I kam përllogaritjet e Smart City-t. Po të them që rezulton indirekt tek Smart City dhe kam bërë llogarit një kamerë është 560 dollarë. E blen nga rruga, me shumicë, kujt ia tregon ky 130 milion dollarë pa tendera?” u shpreh Ahmetaj.
Personazhet që i gjen tek Aeroporti i Vlorës dhe tek projekti Smart City

Në pamje të parë mes dy projekteve nuk ka asnjë pikë kontakti. Por dokumente të siguruara nga Lapsi.al tregojnë se tek të dyja historitë shfaqen disa prej të njëjtëve personazhe që deri dje kishin fuqi vendimmarrëse në kompaninë Mabetex të Behgjet Pacollit. Përmes manipulimit dhe duke keqpërdorur besimin që kishin nga biznesmeni Pacolli këta kanë arritur të devijojnë kontrata të majme me shtetin shqiptar dhe jo vetëm.
Në të dyja rastet, skema është e ngjashme. Fillimisht Mabetex hyn në lojë për një biznes të madh në Shqipëri, më pas njerëz të cilëve Pacolli u kishte besuar drejtimin e kompanisë, përfundojnë të përfshirë në skema që synojnë t’ia marrin biznesin nëpërmjet manovrave të dyshimta.
Rasti i parë është tashmë publik. Pacolli ka akuzuar ish-administratorin e tij prej 19 vitesh, Valon Lluka, se i mori firmën për kalimin e 47% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës te Valon Ademi. Sipas Pacollit, dokumenti iu paraqit për firmë nga njeriu të cilit ai i kishte besuar administrimin e kompanive të tij.
“Unë kam nënshkruar për administratorin tim (Valon Lluka), i cili ka punuar për 19 vite me tonelata dokumentesh. Ai më ka thënë ‘nënshkruaje’ dhe unë s’e kam verifikuar, sepse i kam besuar atij. Ai ka pasur interesin e vet. Ne kemi parë se Valon Lluka, administratori im për 19 vjet, ka vjedhur nga kompanitë e mia në Kosovë 5 milionë e 700 mijë euro; i ka marrë nga llogaria dalëngadalë dhe i ka dërguar te llogaria e tij dalëngadalë”, ka deklaruar Pacolli më herët në intervistën që dha në Opinion.
Firma për 47% të aksioneve u shndërrua në një nga nyjet e konfliktit që bllokoi Aeroportin e Vlorës dhe prodhoi një kalvar gjyqesh. Sot MABCO kërcënon shtetin shqiptar me arbitrazh dhe pretendime që shkojnë deri në rreth 700 milionë euro.
Dokumentat për projektin Smart City na shpërfaqin një manovër të ngjashme, në qendër të së cilës është sërish Valon Lluka, ish-administratori historik i Mabetex, por edhe Fitim Pajaziti, ish-drejtues i kompanisë për Lindjen e Mesme.
Skema Lluka-Pajaziti për kontratat e Smart City

Historia nis më 6 tetor 2023, kur krijohet kontakti i parë formal mes Mabetex dhe Presight, kompanisë teknologjike nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Mabetex është distancuar nga çdo implikim në projektin që ka të bëjë me kamerat e sigurisë, megjithatë në emailin e parë që i dërgoi kompanisë araabe Fitim Pajaziti prezanton Mabetex, referencat dhe eksperiencën e saj. Pra, dera e Presight hapet me emrin e kompanisë së Behgjet Pacollit.
Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 16 tetor, krijohet në Sharjah të Emirateve të Bashkuara Arabe "Specialized Service Provider FCZ" – SSP. Kjo është kompania që, hap pas hapi, do të futet në negociatat e nisura nga Mabetex dhe në fund do ta zëvendësojë atë.
Manovra bëhet e dukshme në fillim të nëntorit.
Kur arabët kërkuan dokumentat e Mabetex, Fitim Pajaziti dhe Valon Lluka shtojnë si pjesë të negociatave edhe një palë që nuk kishte qenë në fillim: kompaninë e tyre SSP.
Sipas raportit të siguruar nga Lapsi.al, kompania u fut nga Pajaziti dhe Lluka pa miratimin e Mabetex. Madje Presight kërkon sqarim nëse synimi ishte tashmë një marrëveshje tripalëshe: Presight–Mabetex–SSP dhe ata konfirmuan.
Disa ditë më vonë operacioni formalizohet. Më 16 nëntor 2023 nënshkruhet marrëveshja e konfidencialitetit mes Presight AI, Mabetex Holding dhe SSP. Valon Lluka firmos si CEO i Mabetex Holding, ndërsa Fitim Pajaziti si CEO i SSP.
Pra, njerëzit që kishin nisur negociatat duke përfaqësuar interesat e Mabetex tashmë ndodheshin praktikisht në dy anët e së njëjtës tavolinë. Vetë Behgjet Pacolli nuk kishte dijeni për këtë manovër dhe nga Mabetex informacionin e kishte administratori i tij, Valon Lluka.
Një muaj më pas vjen lëvizja finale.
Më 15 dhjetor 2023, pasi Presight kishte dërguar draftin e “Partnership Agreement”, Valon Lluka dhe Fitim Pajaziti kërkojnë, sipas dokumentacionit, që Mabetex të hiqet nga marrëveshja dhe të zëvendësohet nga SSP. Në propozimin e tyre, emri i Mabetex është hequr dhe në vend të tij shfaqet kompania e tyre, Specialized Service Provider.
Linja e manipulimit është e ngjashme me atë të aeroportit të Vlorës. Sipas denoncimit të Pacollit, në Vlorë, besimi dhe firma e tij u përdorën për kalimin e 47% të aksioneve te Valon Ademi. Në Smart City, manipulimi u bë që në fillim të negociatave, por me të njëjtin përfundim.
Edhe pasi Mabetex u hoq nga komunikimet, Lluka dhe Pajaziti vazhduan të përdornin burimet e saj për strehimin, udhëtimet dhe trajtimin VIP të përfaqësuesve arabë të Presight.
Postimet e mëvonshme në rrjetet sociale tregojnë Fitim Pajazitin dhe Valon Llukën të lidhur publikisht me realizimin e projektit. Në një postim për ceremoninë e Smart City në Shqipëri, Pajaziti falënderon ekipin dhe etiketon mes të tjerëve edhe Valon Llukën; postimi është rishpërndarë nga një përfaqësuese e Al Hami Information Technology.
Skema e manipulimit nuk ishte e lehtë për t’u zbuluar. Mabetex nuk kishte pasur synim të ushtronte aktivitet në fushën e kamerave të sigurisë, sistemeve të survejimit apo sigurisë kibernetike, që janë ekspertiza e nevojshme për të fituar kontratën e Smart City.
Sipas Mabetex, e gjithë kjo skemë përfitimi u krye duke keqpërdorur emrin, eksperiencën, dokumentacionin dhe referencat e kompanisë për të krijuar kredenciale në fusha ku Mabetex vetë nuk ka pasur interes dhe nuk ka synuar të operojë.
A kishte garanci nga segmente të korruptuara të shtetit për marrëveshjen finale?

Qëndron gjithnjë dilema nëse Lluka dhe Pajaziti vepruan vetëm, apo kishin garanci se, pasi ta keqpërdornin pozicionin e tyre në Mabetex, struktura e tyre do të gjente përsëri hapur derën e qeverisë shqiptare?
Behgjet Pacolli thotë se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe ka paralajmëruar se historia nuk mbyllet këtu. “Mashtrimi, hajnia dhe krimi i kanë këmbët e shkurtra”, shkroi ai pak ditë më parë.
“Koha është që të flasin faktet, të veprojë drejtësia dhe secili të mbajë përgjegjësinë që i takon. E vërteta mund të vonojë. Drejtësia mund të kërkojë kohë. Por asnjëra nuk duhet të braktiset. Ky është besimi im tek organet e drejtësisë!” shtoi ai.
Përveç manipulimeve që ka evidentuar në Shqipëri dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mabetex thotë se ka zbuluar se Valon Lluka dhe Fitim Pajaziti kanë përdorur pa autorizim edhe pronësinë intelektuale të arkitektëve dhe bashkëpunëtorëve të saj në disa projekte në Libi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kompania po mbledh dokumentacionin përkatës dhe, sipas saj, po përgatit denoncimet dhe hapat ligjorë për këto raste.
Pacolli ende vazhdon betejën e tij në gjykata, por ajo që nuk kuptohet është se pse shteti shqiptar preferon përherë matrapazë dhe xhambazë për të bashkëpunuar? Madje edhe kur bëhet fjalë për një biznes 140 milionë dollarësh./Lapsi.al


