
Në një artikull shterrues gazeta e referencës në Francë, Le Monde, e vizaton Edi Ramën si aktorin politik që ka krijuar dhe ushqyer modelin e zhvillimit urban dhe turistik që po kundërshtohet me protesta duke përdorur për këtë qëllim arkitektët me famë ndërkombëtare.
Arrtikulli e vendos protestën në kontekstin e akuzave për korrupsion ndaj kryeministrit dhe e përshkruan zhvillimin urban si “projekte ekstravagante” dhe “pa kontroll”.Por përgjatë tij theksohet se Rama fton arkitektë ndërkombëtarë me famë për të krijuar një imazh të Shqipërisë si vend modern dhe tërheqës. Por pas kësaj fasade ku arkitektura shihet si instrument imazhi dhe pushteti, fshihet favorizim i projekteve të mëdha private që përqendrojnë fitimet te një grup i vogël të privilegjuarish, në dëm të interesit publik. LAPSI.AL po e sjell të plotë....
Nga Isabelle Regnier
«Starchitect go home!» — «Arkitektë yje, shkoni në shtëpi!» — Më 3 qershor, mes flamingove rozë të fryrë dhe pankartave ku shkruhej «Shqipëria nuk është në shitje» apo «Edi Rama, dorëhiqu!», ky slogan me nuanca situacioniste, i vërejtur në bulevardin qendror të Tiranës, shprehte veçantinë e një situate politike që prej më shumë se tre muajsh i ka nxjerrë shqiptarët çdo ditë në rrugë.
Nuk ndodh çdo ditë që arkitektët të bëhen objekt sulmi në një kryengritje popullore. Por në këtë vend, ndër më të varfërit e Evropës dhe ndër më të korruptuarit — indeksi i perceptimit të korrupsionit i organizatës joqeveritare Transparency International për vitin 2025 e rendit Shqipërinë në vendin e 91-të nga 182 vende — arkitektët më të famshëm luajnë një rol politik të dorës së parë.
Gjatë njëzet viteve të fundit, ata janë vënë në garë për të riformësuar kryeqytetin: njëri me një kullë të skalitur si një fytyrë, tjetri me një piramidë shumëngjyrëshe, një tjetër me një ndërtesë që të kujton një lojë gjigante Kapla.
Të ftuar drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, i cili mbështetet te fama e tyre dhe te ndërtesat e tyre ekstravagante për të projektuar imazhin e një vendi të angazhuar në një modernitet tërheqës, ata ndërhyjnë jashtë kuadrit rregullator të Bashkimit Evropian, pa kufizime të mirëfillta mjedisore apo sociale dhe pa u shqetësuar për planet lokale të urbanistikës.
Kjo «arch-army», siç e ka quajtur vetë porositësi, prej disa vitesh ka shtrirë aktivitetin edhe në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.
Në muajin maj, zbulimi i disa gardheve që rrethonin një hapësire bregdetare, e cila deri atëherë ishte e aksesueshme nga të gjithë, alarmoi banorët e komunës së Zvërnecit për atë që po përgatitej në zonën e tyre: një projekt resorti luksoz që shtrihet mes bregdetit dhe një ishulli fqinj, ishullit të Sazanit, të cilin një ligj i miratuar në vitin 2024 e autorizon ta shndërrojë në një destinacion turistik, ndonëse aty strehohet një rezervat i çmuar biodiversiteti.
Operacioni, me vlerë 5 miliardë dollarë (4,3 miliardë euro), financohet nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, dhe kompania e tij Affinity Partners, e cila qëndron gjithashtu pas projektit imobiliar lidhur me Gazën.
Represioni brutal, në fund të majit, ndaj një proteste të organizuar në Zvërnec i dha shkëndijën fillestare valës së protestave, e cila më pas u përhap në Tiranë.
Ndërkohë, protestuesit e ngritën nivelin e kërkesave të tyre, duke kërkuar një kontratë të re sociale, reformë kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe dorëheqjen e zotit Rama.
Po arkitektura, çfarë roli ka në gjithë këtë?
Ajo është në qendër të debatit. Së pari, sepse simbolizon ndërthurjen e pushtetit politik me spekulimin imobiliar dhe përvetësimin e fitimeve nga një grusht të privilegjuarish, në dëm të së mirës së përbashkët. Dhe së dyti, sepse ajo vetë merr pjesë në këtë proces.
Kjo u pa qartë më 3 qershor, ditën e hapjes së «Bread & Heart», një festival arkitekture i destinuar për të promovuar politikën e kryeministrit.
Nga Jeanne Gang te Bjarke Ingels, nga Reinier de Graaf te Pierre de Meuron, përmes Francis Kéré, Ma Yansong, Petra Blaisse, Christian Kerez apo Charles Renfro, arkitektët më të mëdhenj të botës kishin ardhur në Shqipëri.
Përpara zyrave të kryeministrit, ku zhvillohej aktiviteti, protestuesit u shpërndanë atyre fletëpalosje që riprodhonin një letër të hapur të publikuar online një ditë më parë.
«Kupola e propagandës»
E nënshkruar nga qindra arkitektë, artistë dhe ambientalistë shqiptarë, letra vinte në dukje cinizmin e temës së zgjedhur për këtë edicion, «Landscape of abundance» («Peizazh i bollëkut»), në një kohë kur «mijëra shqiptarë janë në rrugë» për të kundërshtuar «shkatërrimin e një prej peizazheve më të bukura dhe më të rëndësishme të vendit».
Ajo u bënte thirrje të ftuarve që të mos bëheshin «bashkëpunëtorë» në këtë «ndërmarrje për zbukurimin e “politikës së buldozerit”», të «kërkonin llogari» dhe të «bojkotonin» aktivitetin.
Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj.
Deri në shfaqjen e «revolucionit të flamingove rozë», anëtarët e kësaj «arch-army» i thurnin vazhdimisht lavde Edi Ramës.
Fakti që projektet e tyre kërkonin rrafshimin e lagjeve të tëra, që ishin të destinuara për një popullsi shumë më të pasur se mesatarja e vendit, apo se mund të financoheshin me para të drogës, kishte peshë të vogël përballë terrenit të jashtëzakonshëm të lojës që përfaqëson ky Far West arkitektonik.
Fama e tyre mund të instrumentalizohej, por ata pretendonin se qëndronin jashtë lojës politike.
Tani kjo pozitë është më e vështirë për t'u mbajtur, pasi shqiptarët po e ngrenë zërin dhe nuk po gjejnë fjalë mjaftueshëm të ashpra për të shprehur zhgënjimin e tyre.
«Respekti ynë për këta arkitektë, të cilët i kemi admiruar aq shumë, ka rënë nën zero», shprehet një prej nënshkrueseve të letrës, e kontaktuar përmes WhatsApp-it.
«Arkitektura, në Shqipëri, nuk konsiderohet më ndryshe veçse si një kërcënim për komunitetet», shton një tjetër.
Të dyja gratë, megjithatë, shprehen të kënaqura me efektet e mobilizimit:
«Kupola e propagandës po çahet. Për herë të parë, mediat e mëdha ndërkombëtare po e shënjestrojnë drejtpërdrejt Ramën. Storytelling-u i tij ka filluar të kthehet kundër tij.»
I pyetur më 4 qershor nga CNN, kryeministri i hodhi poshtë shqetësimet e shprehura nga protestuesit për ndikimin e projektit të Kushnerit mbi peizazhin dhe biodiversitetin, dhe i cilësoi si fake news akuzat për mungesë transparence lidhur me dhënien e lejes së ndërtimit.
Për ta mbyllur debatin, ai përdori sofizmin që ua kundërvë në mënyrë sistematike kritikëve të politikës së tij: përmendi emrat e pesë arkitektëve të famshëm të angazhuar në projekt, duke lënë të kuptohet se kjo listë vlente sa të gjitha çertifikatat e përsosmërisë së bashku.
Sipas informacioneve të Le Monde, dy prej tyre, Jean Nouvel dhe Bjarke Ingels, kishin punuar vetëm për Zvërnecin dhe jo për ishullin e Sazanit, ndërsa në atë kohë ishin larguar tashmë nga projekti.
Tre të tjerët — Kengo Kuma, K-Studio dhe Emre Arolat — nuk iu përgjigjën kërkesave tona për koment.
Isabelle Regnier, përgatiti për Lapsi.al, T.Çela

