
Kompania e lidhur me projektin e Jared Kushner në Sazan mohon të ketë gisht në mbylljen masive të profileve në Instagram për aktivistët shqiptarë që pasqyrojnë protestën në rrjetet sociale, por nuk fsheh kënaqësinë për atë që ka ndodhur.
Në një reagim për POLITICO, SAZAN Coast jo vetëm deklaron se “nuk jemi të habitur” nga ndërhyrja e Meta-s, por shkon edhe më tej, duke sulmuar drejtpërdrejt protestën që prej afro 100 ditësh kundërshton projektin në jug të vendit. Kompania e cilëson atë një “fushatë opozitare të koordinuar dhe të fabrikuar” dhe pretendon se bëhet fjalë për një lëvizje artificiale, “të drejtuar nga bot-et”.
Deklarata vjen pasi dhjetëra profile aktivistësh, gazetarësh dhe politikanësh opozitarë u mbyllën ose u kufizuan pothuajse njëkohësisht, ndërsa Meta ka pranuar se të paktën disa prej tyre janë hequr gabimisht dhe ka nisur rikthimin e tyre.
SAZAN Coast mohon çdo përfshirje në vendimet e Meta-s, por njëkohësisht i konsideron të drejta masat e platformës ndaj një lëvizjeje që prek drejtpërdrejt interesat e projektit të saj duke e shpallur protestën “të fabrikuar” dhe protestuesit pjesë të një lëvizjeje të ushqyer nga bot-et. Një akuzë e rëndë, për të cilën në deklaratën e cituar nga POLITICO nuk paraqitet asnjë provë.
Shkrimi i plotë i Politico.eu me titull: Meta bllokoi dhjetëra llogari të rrjeteve sociale në protestën kundër projektit të lidhur me Kushner
Dhjetëra llogari në Instagram të përdorura nga aktivistë, gazetarë dhe një drejtues partie opozitare në Shqipëri janë mbyllur ose çaktivizuar, ndërsa vijojnë protestat kundër një projekti për një hotel luksoz, të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Prej gati 100 ditësh në Shqipëri po zhvillohen protesta kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz përgjatë bregdetit jugor, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Jared Kushner, i cili është i martuar me Ivanka Trump, vajzën e madhe të presidentit amerikan. Demonstratat, të pagëzuara si “Revolucioni i Flamingove”, më pas janë shndërruar në një lëvizje që kërkon dorëheqjen e të gjithë qeverisë shqiptare.
Sandro Gozi, eurodeputet italian, dënoi bllokimin e llogarive në Instagram.
“Kur dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve, të lidhura me të njëjtën lëvizje proteste, zhduken pothuajse njëkohësisht, nuk mund ta trajtojmë këtë thjesht si një problem teknik”, tha Gozi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane dhe eurodeputet i Reneë Europe, në një deklaratë të shpërndarë për mediat të enjten. “Meta duhet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur dhe duhet ta bëjë këtë shpejt.”
Rrjetet sociale kanë luajtur një rol vendimtar në protestë, duke u mundësuar qytetarëve dhe gazetarëve të raportojnë në kohë reale nga llogaritë e tyre, të mobilizojnë protestuesit dhe të dokumentojnë përplasjet me policinë. Por gjatë javëve të fundit, ata janë përballur me njoftime për shkelje të të drejtave të autorit, heqje përmbajtjesh, pezullime dhe mbyllje llogarish.
Personat e prekur këmbëngulin se nuk kanë shkelur asnjë nga rregullat e Instagramit, megjithatë kanë marrë njoftime për shkelje të të drejtave të autorit për përmbajtje që i kishin filmuar ose krijuar vetë. Organizata për të drejtat digjitale Repro Uncensored tha se ka shqyrtuar qindra raste dhe nuk ka konstatuar shkelje të standardeve të komunitetit të Instagramit.
“Shumica e rasteve ndjekin të njëjtin model: llogaritë vihen në shënjestër përmes raportimeve të përsëritura për shkelje të të drejtave të autorit dhe platformat i kufizojnë ose i çaktivizojnë ato përpara se të përcaktojnë nëse pretendimet janë të ligjshme”, thotë Martha Dimitratou, themeluese e Repro Uncensored. “Disa llogari janë vënë vazhdimisht në shënjestër, ndërsa janë çaktivizuar edhe llogaritë e reja të krijuara pas pezullimit.”
Një zëdhënës i Meta-s tha në komentet e dërguara me email se kompania po shqyrton masat e marra ndaj këtyre llogarive, por se tashmë ka rikthyer disa prej tyre, të cilat ishin hequr gabimisht.
Kompania mëmë e Instagramit dhe Facebook-ut shtoi: “Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar”, duke theksuar se Instagrami ka një procedurë apelimi për rastet kur përdoruesit mendojnë se llogaritë e tyre janë bllokuar gabimisht.
Ndërsa disa përdoruesve u është rikthyer aksesi, të tjerë vazhdojnë të përballen me kufizime për transmetimet live dhe bashkëpunimet me krijues të tjerë, ose me të ashtuquajturin “shadoë ban”, ku shpërndarja dhe shfaqja e përmbajtjeve të tyre te përdoruesit e tjerë kufizohet, zakonisht pa i njoftuar.
Agron Shehaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtues i partisë opozitare Mundësia, e pati llogarinë e tij të çaktivizuar të mërkurën në mbrëmje.
“Nëse rregullat që përcaktojnë pezullimin dhe heqjen e llogarive nuk janë të qarta dhe transparente, qeveria ka çdo mundësi për ta shtrirë censurën e saj edhe në rrjetet sociale, duke i shkaktuar shoqërisë dëme potencialisht të pakthyeshme”, tha ai për POLITICO.
Shehaj tha se rregullat e platformës janë të paqarta dhe se boshllëqe të tilla mund të shfrytëzohen lehtësisht nga qeveritë ose nga persona të mobilizuar prej tyre për të heshtur zërat kritikë.
“Dhe kjo është pikërisht ajo që po shohim tani: brenda natës, qindra llogari që mbështesnin protestat dhe kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë mbyllur”, tha ai.
Rama reagoi ndaj akuzës në X:
“Prandaj, më lejoni të jem absolutisht i qartë: ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetet teknike për të kryer një operacion të këtij lloji. Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin broçkulla të tilla.”
POLITICO kontaktoi Kushner për një koment dhe një zëdhënës i SAZAN Coast, një kompani e lidhur me projektin e propozuar në Shqipëri, u përgjigj se kompania nuk kishte asnjë përfshirje në vendimet e Meta-s apo të ndonjë kompanie tjetër për moderimin e përmbajtjeve, por shtoi: “Nuk jemi të habitur që i shohim të ndërmarrin këtë veprim.”
Duke e cilësuar protestën si një “fushatë opozitare të koordinuar dhe të fabrikuar”, zëdhënësi tha:
“Meta dhe platformat e tjera kanë të drejtë të ndërmarrin masa kundër lëvizjeve artificiale, të drejtuara nga bot-et.”
Represioni digjital
Mes personave të tjerë të goditur nga Meta është edhe Arjan Koçi, një kuzhinier shqiptaro-britanik që përdor Instagramin për të shpërndarë pamje me dron, si dhe videot dhe intervistat e tij, duke grumbulluar më shumë se 55 milionë shikime në muaj.
Ai tha në komentet me shkrim se rreth orës 01:00 të së enjtes, llogaria e tij “Ari Shady” u mbyll “pa një email, pa një paralajmërim, pa asnjë njoftim”.
“Pastaj kërkova miqtë e mi të tjerë dhe të gjithë ishin bllokuar në të njëjtën kohë, të gjithë, në orën 1 të mëngjesit.”
Gazetarja Alesia Burnazi tha në një deklaratë se Instagrami është “i vetmi medium ku shqiptarët po shpërndajnë informacione thelbësore për Revolucionin e Flamingove”, duke e cilësuar situatën si “një epokë të re të represionit digjital”.
Përmbajtjet e saj origjinale nisën të hiqeshin dhe llogarisë së saj iu vendosën kufizime më 19 gusht, pasi kishte dokumentuar protestat për afro tre muaj.
Aktivistët kanë akuzuar qeverinë shqiptare për pezullimin e llogarive, por Repro Uncensored tha në deklaratën e saj se nuk kishte mundur të përcaktonte në mënyrë të pavarur një lidhje të tillë. Megjithatë, organizata dyshon për një “fushatë të koordinuar për të heshtur aktivistët dhe për të hequr nga rrjetet sociale përmbajtjet kritike politike”.
Ndërkohë, Partia Demokratike Europiane i ka dërguar Meta-s një kërkesë zyrtare për sqarime, duke i kërkuar kompanisë të shpjegojë përse llogaritë janë pezulluar dhe mbyllur dhe nëse kjo ka ardhur si pasojë e “raportimeve masive të koordinuara” apo nëse “Meta ka zbuluar përpjekje të organizuara për të manipuluar mekanizmat e saj të raportimit”.
Gozi, një nga zërat e njohur që kërkon më shumë llogaridhënie nga platformat digjitale, shtoi:
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri, një vend që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me integrimin ekonomik: ai nënkupton mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtës së qytetarëve dhe forcave opozitare për të folur lirisht. Ne presim që si Meta, ashtu edhe Komisioni Europian, ta marrin seriozisht këtë rast.”
Gozi tha se çështjen ia ka paraqitur gjithashtu Komisionit Europian përmes një pyetjeje parlamentare, duke kërkuar sqarime urgjente nga Meta.
Në deklaratën e tij në X, Rama kritikoi gjithashtu partinë e Gozit, duke i cilësuar deklaratat e saj si një “formë të ulët propagande” që vjen nga “njerëz që parakalojnë si Demokratë Europianë”./ Politico.eu
