
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka thirrur të premten një takim për Aeroportin e Vlorës. Në tryezë do të ulen të gjitha palët e lidhura me Vlora International Airport (VIA), shoqërinë që ka kontratën koncesionare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit: MABCO Constructions e Behgjet Pacollit, që zotëron 98 për qind të kuotave të VIA-s; 2A Group, kompania e Valon Ademit që zotëron 2 për qind; Banka Kombëtare Tregtare, e cila ka financuar projektin, si dhe aktorë të tjerë të përfshirë në të.
Në pamje të parë, mbledhja e të gjitha palëve në një tavolinë për të zgjidhur ngërçin duket logjike. Por vetëm nëse problemi që Ministria kërkon të zgjidhë është ai i Vlora International Airport (VIA). Por konflikti që rrezikon ta çojë Shqipërinë në arbitrazh ndërkombëtar është tashmë një tjetër. Nuk është VIA kundër qeverisë shqiptare dhe as VIA kundër MABCO-s. Është MABCO kundër Republikës së Shqipërisë.
Ky dallim është thelbësor për të kuptuar gjithë historinë. VIA është kompania koncesionare dhe brenda saj ka shpërthyer konflikti mes dy aksionerëve, MABCO-s dhe 2A Group. Por MABCO nuk pretendon se është dëmtuar nga VIA. Ajo pretendon se investimi i saj është cenuar nga veprimet e organeve të shtetit shqiptar: fillimisht nga vendimet e gjykatave që i hoqën kontrollin efektiv mbi shoqërinë ku zotëronte 98 për qind të kuotave, më pas nga veprimet e policisë dhe qëndrimi i Ministrisë, ndërsa në fund nga procedurat e nisura për zgjidhjen e kontratës së koncesionit.
Historia nisi si një konflikt privat mes dy aksionerëve. Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi u përplasën për 47 për qind të aksioneve të VIA-s, për të cilat palët kishin pretendime të kundërta. Ademi iu drejtua gjykatave shqiptare dhe deri në këtë pikë çështja ishte një mosmarrëveshje e zakonshme mes ortakësh. Problemi për MABCO-n nisi me mënyrën se si ndërhynë gjykatat. Megjithëse konflikti kishte në objekt 47 për qind të aksioneve, masa e sigurimit pezulloi të drejtën e votës dhe të drejtat që buronin nga kuota e MABCO-s, duke i hequr praktikisht kontrollin aksionerit që zotëronte 98 për qind të kompanisë dhe duke ia lënë administrimin strukturës së kontrolluar nga aksioneri me vetëm 2 për qind.
Pikërisht këtë MABCO e konsideron ndërhyrjen e parë të shtetit në investimin e saj. Kompania pretendon se, megjithëse juridikisht mbetej pronare e 98 përqind të VIA-s, praktikisht humbi kontrollin e shoqërisë pasi iu bllokuan edhe 51 përqind të kuotave që nuk ishin në diskutim, për pasojë nuk mund të merrte vendime dhe më vonë nuk kishte as akses efektiv në aeroport. Pikërisht nga këto vendime absurde, MABCO pretendon se në konfliktin me Shqipërinë u vu përballë një “shpronësimi de facto”: veprimet e shtetit i hoqën mundësinë reale për ta kontrolluar dhe shfrytëzuar investimin.
E gjithë kjo situatë ndodhi në shpërfillje të vendimit të Gjykatës së Lartë të 26 majit 2026. Kolegji Civil ndryshoi vendimet e Shkallës së Parë dhe Apelit dhe rrëzoi kërkesën e 2A Group për masën e sigurimit që kishte pezulluar të drejtat e MABCO-s. Pra, gjykata më e lartë e vendit rrëzoi pikërisht masën mbi të cilën ishte mbështetur për muaj të tërë përjashtimi i MABCO-s nga ushtrimi i të drejtave të saj si aksionere shumicë dhe sërish situata nuk ndryshoi.
Arsyetimi i Gjykatës së Lartë është një bazë e mirë gjyqësore, që komplikon mbrojtjen e shtetit me argumentin se Aeroporti i Vlorës u bllokua thjesht nga “sherri mes ortakëve”. Konflikti mes Pacollit dhe Ademit ishte privat, por vendimet që pezulluan të drejtat e MABCO-s ishin vendime të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. Edhe më pas, MABCO u pengua fizikisht për të marrë kontrollin e aeroportit, pasi policia nuk garantoi zbatimin e të drejtave që kompania pretendonte se i ishin rikthyer dhe se Ministria, megjithëse ishte njoftuar vazhdimisht për situatën, nuk ndërhyri për ta zgjidhur atë.
Por, sipas MABCO-s, zinxhiri institucional që prodhoi humbjen e kontrollit mbi investimin nuk kufizohet vetëm te gjykatat.
Në dosjen që kompania po përgatit për arbitrazh përfshihet edhe Qendra Kombëtare e Biznesit, e cila regjistroi Vegim Hoxhën si administrator të VIA-s mbi bazën e një vendimmarrjeje të zhvilluar vetëm nga 2A Group, ortaku që në regjistrin tregtar zotëronte 2 për qind të kuotave.
MABCO e kundërshtoi këtë vendimmarrje për mungesë kuorumi, mungesë njoftimi dhe për konflikt me masat gjyqësore në fuqi. QKB është mbrojtur me argumentin se kontrolli që ushtron është kryesisht formal dhe se nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë materiale të konflikteve mes ortakëve. Por, sipas MABCO-s, ishte pikërisht ky formalizëm që i dha një vendimi thellësisht të kontestuar efektin praktik të kontrollit mbi VIA-n, llogaritë, dokumentacionin dhe kantierin e aeroportit.
Edhe sjellja e Policisë së Shtetit është pjesë e pretendimit kundër Shqipërisë. Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ishte në vetvete një urdhër policor për hapjen e portës së kantierit, por rrëzonte masën e gjerë mbi të cilën ishte mbështetur përjashtimi i MABCO-s nga ushtrimi i të drejtave të saj.
Pas këtij vendimi, MABCO kërkoi zyrtarisht ndërhyrjen e policisë për të ndaluar vetëgjyqësinë, për të garantuar rendin dhe për të mundësuar aksesin e përfaqësuesve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të saj. Megjithatë, sipas kompanisë, hyrja vijoi të bllokohej nga administrata e kontestuar dhe shoqëria private e sigurisë, ndërsa policia nuk ndërmori një veprim efektiv për të larguar pengesat dhe për të mbrojtur asetet, dokumentet dhe pajisjet e investitorit. Për këtë situatë MABCO depozitoi edhe kallëzime penale kundër shoqërisë së sigurisë dhe punonjësve të paidentifikuar të policisë.
Në të njëjtën mënyrë, MABCO pretendon se prokuroritë shqiptare nuk ofruan një mbrojtje në kohë dhe efektive. Kompania paraqiti një seri kallëzimesh që lidhen me dokumentet e pretenduara të transferimit të 47 për qind të kuotave, veprimet noteriale, administrimin e VIA-s, pengimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe bllokimin fizik të kantierit. Por, sipas saj, këto procedura nuk prodhuan një masë konkrete që të ndalonte vijimin e gjendjes faktike.
Vetë depozitimi i një kallëzimi nuk provon përgjegjësinë penale të personave të kallëzuar, por për arbitrazhin pyetja do të jetë nëse institucionet shqiptare, pasi u vunë në dijeni të rrezikut ndaj investimit, ofruan apo jo mbrojtje reale dhe në kohë.
Në këtë mozaik hyn edhe Avokatura e Shtetit. Në vend që të kërkonte menjëherë një mekanizëm për rikthimin e funksionimit normal të VIA-s pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Avokatura ndërhyri në proceset gjyqësore me kërkesa për masa sigurie të lidhura me financimin Delphos.
Qëndrimi zyrtar i saj është se ndërhyrja synonte vetëm mbrojtjen e interesave pasurore të shtetit dhe të koncesionit dhe jo bllokimin e administrimit të zakonshëm të VIA-s. Por MABCO do të argumentojë se efekti praktik i këtyre kërkesave ishte ruajtja e status quo-së së krijuar nga administrata e kontestuar dhe vazhdimi i pengimit të aksionarit shumicë. Kërkesa e parë e Avokaturës për masë sigurie u rrëzua për arsye procedurale, por institucioni vijoi me ankimin e saj.
MABCO ngre të njëjtën çështje edhe ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kompania pretendon se, për një periudhë të gjatë, kërkesat për takim, ndërhyrje dhe rikthim të ligjshmërisë ose mbetën pa një përgjigje efektive, ose u trajtuan si çështje që duhej të kalonin nëpërmjet VIA-s.
Por pikërisht VIA kontrollohej nga administratori që MABCO e konsideronte të emëruar në mënyrë të paligjshme dhe që nuk zbatonte vendimet e aksionarit shumicë. Edhe pas njoftimit formal të mosmarrëveshjes ndërkombëtare, MABCO pretendon se shteti nuk krijoi një mekanizëm të aftë për të rikthyer aksesin, administrimin dhe mbikëqyrjen e investimit. Takime dhe shkëmbime institucionale u zhvilluan më vonë, por ato nuk sollën një zgjidhje konkrete të gjendjes në terren.
Në fakt, MABCO nuk iu drejtua vetëm MIE-s. Ajo dërgoi njoftime dhe kërkesa te Këshilli i Ministrave, Kryeministri, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, SPAK-u, Autoriteti i Aviacionit Civil, Albcontrol, AKSHI, AZHT, administrata tatimore dhe institucione të tjera. Rëndësia juridike nuk qëndron thjesht te numri i shkresave të dërguara, por te fakti se, sipas kompanisë, asnjëri prej këtyre kanaleve nuk prodhoi një ndërhyrje të koordinuar dhe efektive që të rikthente kontrollin ligjor, të mbronte kantierin dhe të lejonte përfundimin e aeroportit.
MABCO nuk ka domosdoshmërisht nevojë të provojë se të gjitha këto institucione vepruan mbi bazën e një urdhri të vetëm apo të një plani të përbashkët. Ajo duhet të provojë veprimet ose mosveprimet konkrete të secilit organ, dijeninë e shtetit për situatën, lidhjen shkakësore me humbjen e kontrollit dhe dëmin e shkaktuar. Pretendimi është se vendimet e gjykatave, regjistrimet e QKB-së, mosndërhyrja e policisë, mungesa e një reagimi efektiv penal, ndërhyrjet procedurale të Avokaturës së Shtetit dhe qëndrimi i MIE-s prodhuan së bashku një rezultat të vetëm: aksioneri me 98 për qind mbeti juridikisht pronar, por praktikisht i përjashtuar nga investimi i tij.
Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se MABCO nuk shteroi të gjitha mjetet juridike, sepse disa procese vendase vazhdojnë ende. Por kompania mund të pretendojë me forcë se shfrytëzoi praktikisht të gjitha kanalet e arsyeshme institucionale dhe të dialogut që kishte në dispozicion për të rikthyer ligjshmërinë dhe për të shmangur arbitrazhin. Sipas saj, asnjë prej këtyre mekanizmave nuk prodhoi një mjet efektiv që të ndalonte humbjen e kontrollit, bllokimin e punimeve dhe përkeqësimin e projektit.
Një rol më të heshtur, por jo më pak të rëndësishëm në këtë histori, ka Banka Kombëtare Tregtare. BKT nuk është organ shtetëror dhe sjellja e saj nuk mund t’i atribuohet automatikisht Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, banka nuk ishte një spektatore e zakonshme. Ajo ishte financuesja kryesore e projektit, përfituese e pengut mbi kuotat dhe të ardhurat e VIA-s, palë në Marrëveshjen Direkte me MIE-n dhe, mbi të gjitha, përfituese e garancive dhe kolateraleve të vendosura kryesisht nga MABCO dhe shoqëritë e grupit të saj.
Duhet thënë se BKT nuk e miratoi transferimin e pretenduar të 47 për qind të kuotave dhe kjo është një rrethanë e rëndësishme në favor të MABCO-s. Banka ishte njoftuar që në shtator 2025 për pretendimin e 2A Group, për mungesën e miratimit të MIE-s, për problemet e përfaqësimit dhe për rrezikun që konflikti paraqiste ndaj financimit dhe kolateraleve. MABCO e njoftoi më pas edhe për emërimin e Vegim Hoxhës, masat gjyqësore, përjashtimin nga informacioni dhe bllokimin e kantierit.
Por pikërisht për shkak të kësaj ekspozite, neutraliteti procedural i BKT-së filloi t’i ngjante pasivitetit. Bankës nuk mund t’i kërkohej të vendoste vetë se kujt i përkisnin 47 për qind e kuotave, sepse kjo është çështje gjyqësore. Megjithatë, ajo mund të përdorte në mënyrë shumë më aktive të drejtat e saj kontraktore të informimit, monitorimit dhe pëlqimit: të kërkonte një audit të pavarur teknik dhe financiar, të thërriste një takim të detyrueshëm mes VIA-s, MABCO-s, MIE-s dhe palëve të financimit, të kërkonte sqarim të plotë mbi personat e autorizuar për të vepruar me llogaritë dhe fondet, të kushtëzonte disbursimet ose miratimet e mëtejshme me një administrim të pakontestuar dhe, nëse dokumentet e financimit e lejonin, të vlerësonte kërkimin e masave gjyqësore për ruajtjen e kolateralit dhe të strukturës së kredisë.
BKT mund të argumentojë se ishte e detyruar të respektonte administratorin e regjistruar në QKB dhe vendimet gjyqësore në fuqi. Ky shpjegim justifikon kujdesin, por nuk shpjegon plotësisht pse banka nuk ndërtoi një mekanizëm më aktiv për menaxhimin e rrezikut, kur kredia e saj mbështetej kryesisht mbi pasuritë dhe garancitë e MABCO-s. Neutraliteti i bankës ndaj konfliktit të pronësisë nuk duhej të nënkuptonte indiferencë ndaj degradimit të administrimit, bllokimit të projektit dhe rrezikut të humbjes së vlerës së kolateralit.
Prandaj, prania e BKT-së në tryezën e së premtes është e nevojshme për financimin, vazhdimin e punimeve dhe mbrojtjen e kredisë. Por ajo nuk e ndryshon natyrën e konfliktit ndërkombëtar. BKT mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës financiare të VIA-s; nuk mund të zëvendësojë Republikën e Shqipërisë në përgjigjen që kjo e fundit duhet t’u japë pretendimeve të investitorit zvicerian.
Me pak fjalë, MABCO pretendon se për muaj të tërë shteti toleroi një situatë në të cilën aksioneri me 98 përqind nuk kontrollonte kompaninë, ndërsa sapo Gjykata e Lartë e përmbysi këtë situatë, administrata nisi ta penalizonte koncesionarin për vonesat e krijuara gjatë së njëjtës periudhë.
Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi i takimit të së premtes. Ministria po mbledh VIA-n, MABCO-n, 2A Group, BKT-në dhe palët e tjera sikur problemi që duhet zgjidhur të jetë vetëm një ngërç i kompanisë koncesionare. Një takim i tillë mund të jetë i nevojshëm për të diskutuar të ardhmen e aeroportit, financimin, punimet apo detyrimet e VIA-s. Por ai nuk zgjidh automatikisht konfliktin që rrezikon ta çojë Shqipërinë në arbitrazh, sepse pretendimet për të cilat po përgatitet arbitrazhi nuk janë pretendime të VIA-s.
Problemi i takimit të së premtes është nëse qeveria po përpiqet ta trajtojë ende çështjen si një krizë të brendshme të VIA-s, kur përballë saj po formësohet një konflikt krejt tjetër. Mosmarrëveshja Pacolli-Ademi mund të ketë qenë origjina e krizës, VIA mund të jetë kompania që administron aeroportin dhe 2A Group mund të jetë ortaku me të cilin nisi përplasja. Por pretendimi që mund t’i kushtojë para shtetit shqiptar është shumë më i thjeshtë për t’u identifikuar: MABCO kundër Republikës së Shqipërisë./Lapsi.al


