Flash

Ndahet nga jeta aktori i “ It”, Tim Curry

Lapsi.al 26 August 2026

Tim Curry, aktori i njohur për rolet ikonike në “The Rocky Horror Picture Show”, “It” dhe “Annie”, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Sipas raportimeve të TMZ, aktori ndërroi jetë të martën në mbrëmje, 14 vite pasi pësoi një goditje të rëndë në tru që e la pjesërisht të paralizuar.

Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles konfirmoi për “Page Six” se më 25 gusht 2026, rreth orës 23:23, autoritetet iu përgjigjën një telefonate për një hetim mbi vdekjen e një burri 80-vjeçar. Raporti për hetimin e vdekjes është përfunduar, ndërsa përfaqësuesit e Curry-t ende nuk kanë dhënë një deklaratë.

Problemet e rënda shëndetësore të aktorit nisën në vitin 2012, kur ai pësoi një goditje në tru që e la në karrige me rrota. Pas kësaj, Curry iu përkushtua kryesisht roleve zanore dhe u largua nga aktrimi në ekran për disa vite.

Në kujtimet e tij të vitit 2025, “Vagabond”, Curry tregoi se në momentin e goditjes po bënte një masazh. Ai kishte ndjerë se diçka nuk ishte në rregull, por nuk mendonte se kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Ishte terapisti i masazhit ai që telefonoi urgjencën.

Curry iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente në tru, e cila i shpëtoi jetën. Në kujtimet e tij, aktori përshkroi rëndësinë e ndërhyrjes dhe muajt e vështirë të rehabilitimit që pasuan.

Në një event për 50-vjetorin e “The Rocky Horror Picture Show” në Los Angeles, në shtator 2025, Curry foli edhe për gjendjen e tij shëndetësore, duke pranuar se ende nuk mund të ecte dhe kishte probleme të vazhdueshme me këmbën e majtë.

Tim Curry lindi më 19 prill 1946 në Cheshire të Anglisë. Ai studioi anglisht dhe dramë në Universitetin e Birminghamit dhe e nisi karrierën në skenë në vitin 1968, me muzikalin “Hair”.

Roli që do ta kthente në ikonë ishte ai i Dr. Frank-N-Furter në “The Rocky Horror Picture Show”. Curry e interpretoi fillimisht personazhin në versionin teatror të vitit 1973 dhe më pas e riktheu në filmin e vitit 1975.

Edhe pse filmi u prit fillimisht keq nga kritikët dhe nuk pati sukses të madh në arkë, me kalimin e viteve u shndërrua në një klasik kult dhe Curry u bë i lidhur përgjithmonë me personazhin e tij.

Në vitin 1982, ai luajti Rooster Hannigan në “Annie”, ndërsa gjatë dy dekadave të ardhshme u shfaq në filma të njohur si “Clue”, “Home Alone 2: Lost in New York”, “The Three Musketeers”, “Muppet Treasure Island” dhe “Charlie’s Angels”.

Një tjetër nga rolet e tij më të famshme ishte ai i Pennywise në miniserialin televiziv “It”, të vitit 1990, bazuar në romanin horror të Stephen King. Në kujtimet e tij, Curry zbuloi se kishte frikë nga kllounët dhe se roli i Pennywise nuk ishte aspak i lehtë për të.

Përveç kinemasë dhe televizionit, Curry pati edhe një karrierë të suksesshme në teatër. Ai u nominua tri herë për çmimin Tony, për “Amadeus” në vitin 1991, “My Favorite Year” në 1993 dhe “Spamalot” në 2005.

Roli i tij i fundit në ekran ishte në filmin horror “Stream”, të vitit 2024.

Të këshilluara

Ndahet nga jeta Dolly Parton

Legjenda e muzikës country Dolly Parton ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri të ditur ...

22:09

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

92.27

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI

Ndahet nga jeta Dolly Parton

Legjenda e muzikës country Dolly Parton ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri të ditur ...

22:09