
Fansat e romancës së famshme “How to Lose a Guy in 10 Days” mund të kenë arsye për të festuar. Kate Hudson është angazhuar si producente në një vazhdim të komedisë romantike të vitit 2003, ndërsa planet e para parashikojnë rikthimin e saj dhe të Matthew McConaughey në rolet ikonike të Andie Anderson dhe Ben Barry.
Sipas raportimeve, projekti është ende në fazat e hershme të zhvillimit, por producentët dhe realizuesit synojnë që të dy aktorët të rikthehen në ekran si çifti që u bë një prej dysheve më të dashura të komedive romantike.
Në filmin origjinal, Andie, një gazetare reviste, vendos të shkruajë një artikull duke tentuar ta bëjë Benin të largohet prej saj brenda 10 ditësh. Në të njëjtën kohë, Ben vë bast me miqtë e tij se mund ta bëjë Andie të dashurohet me të brenda së njëjtës periudhë. Loja e tyre përfundon duke u kthyer në një histori dashurie që ka mbetur e paharrueshme për publikun.
Kate Hudson ka treguar më herët se iu desh të këmbëngulte që Matthew McConaughey të merrte rolin e Benit.
“Ne vazhdonim të këmbëngulnim”, rrëfeu aktorja gjatë një bisede në BAFTA në Londër në vitin 2022, duke shpjeguar se ajo dhe studioja nuk ishin dakord për zgjedhjen e aktorit.
Hudson tha se kishte ndjerë një energji të veçantë me McConaughey dhe se donte të luante përkrah tij.
“Ne të dy kemi një shpirt konkurrues, jemi shumë atletikë dhe na pëlqen ta sfidojmë njëri-tjetrin”, ishte shprehur ajo për partnerin e saj të ekranit.
Duket se këmbëngulja e Hudson rezultoi një zgjedhje e goditur. McConaughey ka deklaruar së fundmi se “How to Lose a Guy in 10 Days” vazhdon t’i sjellë më shumë të ardhura nga honoraret e mbetura se çdo film tjetër i tij.
“Është dhurata që vazhdon të japë”, tha aktori në podcastin Happy Sad Confused, duke e cilësuar gjithashtu si një prej komedive romantike të tij të preferuara.
Sipas McConaughey, çdo vit në muajin mars ai merr një pagesë të konsiderueshme nga filmi, pikërisht për shkak të popullaritetit që vazhdon të ketë rreth periudhës së Shën Valentinit.
Edhe Kate Hudson e konsideron filmin një klasik që vazhdon të fitojë fansa të rinj.
“How to Lose a Guy ndihet si një klasik në këtë pikë. Brezat e rinj vazhdojnë ta zbulojnë”, është shprehur aktorja.
Nëse planet realizohen, rikthimi i Andie dhe Benit do t'u japë fansave mundësinë të shohin sërish në ekran një prej çifteve më të famshme të rom-com-eve të viteve 2000.