
Detaje të reja janë zbardhur pas arrestimit të 45-vjeçarit Florian Dalladaku, i dyshuar për ngjarjen e rëndë në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku nëna e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, humbi jetën, ndërsa babai, Hasan Dalladaku, 77 vjeç, mbeti i plagosur rëndë. Sipas të dhënave të bëra publike, ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një sulmi me një mjet metalik prerës, ndërsa policia e ka identifikuar Dalladakun si autorin e dyshuar.
Pas kapjes së tij në territorin e Fierit, Dalladaku është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Fier, ku, sipas burimeve zyrtare policore, është mbajtur gjatë natës nën masa të veçanta sigurie.
Për shkak të gjendjes së tij dhe frikës se mund të dëmtonte veten, 45-vjeçari është mbajtur me një skafandër mbrojtëse në kokë, me qëllim shmangien e përplasjes së kokës në mur dhe parandalimin e një dëmtimi fatal.
Sipas të njëjtave burime, gjatë qëndrimit në polici, Dalladaku për më shumë se katër orë nuk ka folur dhe nuk ka dhënë përgjigje ndaj pyetjeve apo udhëzimeve.
Burimet policore e përshkruajnë situatën si një gjendje ku 45-vjeçari nuk komunikonte dhe nuk reagonte, duke bërë që qëndrimi i tij në qeli të monitorohej në mënyrë të vazhdueshme.
Dalladaku dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, një element që është bërë i ditur edhe nga policia pas ngjarjes së rëndë në Zhymë. Për këtë arsye, gjendja e tij pritet të jetë një prej elementeve që do të vlerësohen gjatë hetimit dhe procedurave të mëtejshme.