
Cole Palmer u rikthye në formën e tij më të mirë për t’i dhënë një nisje fituese aventurës së teknikut Xabi Alonso te Chelsea, në fitoren kaotike 3-2 ndaj Fulham të hënën në mbrëmje. Treshja sulmuese e bluve, Palmer, Joao Pedro dhe Morgan Rogers, u duk në çdo aspekt si një prej reparteve më të rrezikshme të Premier League, pasi të tre shënuan për t’i dhuruar Alonso-s një fitore të merituar në një ndeshje të mbushur me spektakël dhe me shumë pak mbrojtje.
Palmer, më në fund i rikuperuar plotësisht nga dëmtimet dhe në një formë edhe më të mirë pas një vere larg fushatës së Anglisë në Botëror, shënoi një gol dhe dha një asistim, duke i krijuar mundësinë Joao Pedros të hapte serinë pas vetëm 31 sekondash. Edhe braziliani, i cili mbeti papritur jashtë listës së kombëtares së Brazilit, u shfaq i freskët. Treshja nuk u ndal më që nga ai moment.
Rogers iu bashkua festës në debutimin e tij, duke bërë një lëvizje të vonshme për të pritur krosimin e Maxence Lacroix pak para përfundimit të pjesës së parë, përpara se devijimi i tij me kokë t’i krijonte Joao Pedros mundësinë për t’i dhënë Palmerit asistimin për golin e tretë, pak pas fillimit të pjesës së dytë. Chelsea do ta kishte pasur një mbrëmje më të qetë, pavarësisht mungesës së papritur për shkak dëmtimi të Moises Caicedos, nëse nuk do të ishte për një mbrëmje makthi të portierit Robert Sanchez, gabimet e të cilit i dhanë mundësinë Fulhamit të rikthehej dy herë në ndeshje.
Spanjolli, pozita e të cilit si portieri numër 1 i bluve është vënë prej kohësh në pikëpyetje, lejoi që goditja e fuqishme, por e pritshme, e Josh King të përfundonte pranë shtyllës së tij për të barazuar rezultatin në mesin e pjesës së parë, përpara se të mos kontrollonte një tjetër goditje, duke ia dhuruar topin Goncalo Garcias, i cili i dha mundësinë Fulham të shënonte golin e dytë.
Shfaqja e parë e epokës së teknikut Alvaro Arbeloa sugjeroi se “Cottagers” do të luajnë në sulm pavarësisht kundërshtarit dhe ata krijuan shumë raste ndaj rivalëve të tyre nga perëndimi i Londrës – por do të duhet të përmirësojnë ndjeshëm disiplinën në mbrojtje, pasi u çanë shumë lehtë në secilin prej golave të Chelsea. Nga kjo paraqitje, duket se ata do të shënojnë shumë gola gjithashtu – madje mund të kishin rrëmbyer edhe barazimin kur Antonee Robinson e goditi tmerrësisht keq topin në tentativën për të kaluar Sanchez, i cili ndodhej në një pozicion të pavend. Por kjo do të kishte qenë e padrejtë për Chelsea, që mori një fitore të merituar falë treshes së tij elektrizuese në sulm.