
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të Kievit të rrisin mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën, ndërsa vendi përgatitet për një dimër të ri lufte.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, gjatë një takimi në Kiev, Zelensky kërkoi që partnerët ndërkombëtarë të sigurojnë sistemet e nevojshme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit, duke paralajmëruar se Rusia mund të rifillojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
Presidenti ukrainas kërkoi gjithashtu ndihmë për të mbuluar një boshllëk financiar prej rreth 27 miliardë eurosh për nevojat e mbrojtjes së vendit deri në vitin 2026. Në fjalën e tij, Zelensky iu rikthye edhe çështjes së aseteve ruse të ngrira në vende të ndryshme evropiane, duke kërkuar që ato të përdoren në mbështetje të Ukrainës.