Përdorimi i telefonave celularë do të ndalohet përfundimisht në të gjitha shkollat e mesme në të gjithë Francën, duke nisur nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, pas miratimit të ligjit nga Këshilli Kushtetues dhe dekretimit nga Presidenti Emmanuel Macron. Zëdhënësja sqaroi se kuadri ligjor është konsoliduar duke hequr nenet që u shpallën jokushtetuese, me qëllim zbatimin e menjëhershëm të kësaj mase.
"Ndalimi i telefonave celularë në shkollat e mesme është miratuar nga Këshilli Kushtetues. Pra, Presidenti i Republikës ka vendosur të miratojë ligjin që u rrëzua pjesërisht, pa nenet që u shpallën jokushtetuese, sigurisht, me qëllim që të zbatojë, brenda një kuadri ligjor të stabilizuar, mjetet që janë vërtetuar tashmë. Thënë thjesht, ndalimi i telefonave celularë në shkollat e mesme mund të hyjë në fuqi që nga viti i ri shkollor, sipas një kuadri legjislativ të qëndrueshëm dhe të konsoliduar.", u shpreh ajo.
Megjithatë, ligji parashikon edhe përjashtime të veçanta, ku përdorimi i telefonave do të lejohet për qëllime të arsimit, nevoja administrative apo për studentët e klasave përgatitore që ndjekin kurse për pranimin në shkollat e larta.
Euronews raporton se, zbatimi i kësaj mase po bëhet i shkëputur nga propozimi për ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç, masë kjo që u rrëzua nga Këshilli Kushtetues në fillim të muajit.
Lidhur me këtë pikë, Kryeministri Sébastien Lecornu ka bërë me dije se po përgatitet një version i ri i tekstit ligjor që do të marrë parasysh të gjitha vërejtjet e autoritetit më të lartë juridik në vend