
Italia pritet të ashpërsojë rregullat për këmbësorët që përdorin telefonin gjatë kalimit të rrugës. Sipas draftit të Kodit të ri të Rrugës, përdorimi i celularit apo pajisjeve të tjera elektronike që shpërqendrojnë vëmendjen gjatë kalimit do të konsiderohet shkelje dhe gjoba do të nisë nga 75 euro.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, rregullat do të përfshijnë edhe përdorimin e tabletëve, laptopëve dhe kamerave. Ndërkohë, bisedat telefonike pa duar do të lejohen, ndërsa përdorimi i celularit në raste emergjence do të përbëjë përjashtim.
Kufizimet nuk do të zbatohen për këmbësorët që përdorin telefonin ndërsa ecin në trotuar. Drafti parashikon gjithashtu që këmbësorët, para se të kalojnë rrugën, të sigurohen se drejtuesi i mjetit i ka parë dhe ka ndërmend të ndalojë. Ata gjithashtu nuk duhet të vonohen pa nevojë gjatë kalimit. Kodi i ri pritet të miratohet deri në mesin e tetorit dhe synon të ulë aksidentet e shkaktuara nga shpërqendrimi në rrugë.