
Pas javës së parë të kampionatit, Juventus tashmë është në ankth për një nga yjet e tij: Kenan Yildiz ka ndier shqetësime pas kthimit nga transferta në Frosinone dhe problemi mund të jetë më serioz nga sa pritej. Sulmi bardhezi ende duhet të rishikohet në merkato dhe problemi në këmbën e futbollistit turk prish planet e teknikut Luciano Spalletti, i cili nuk është aspak i kënaqur me ndërtimin e skuadrës së tij.
Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, dëmtimi shqetëson klubin bardhezi, pasi nuk përjashtohet mundësia e një ndërhyrjeje kirurgjikale që do ta mbante sulmuesin jashtë fushave për të paktën dy muaj. Një situatë që askush nuk e dëshiron, sidomos në një repart që kundër Frosinones nuk i dhuroi shumë kënaqësi trajnerit, me rastet e shpërdoruara nga Kolo Muani dhe disa detaje ende për t’u përmirësuar.
Yildiz rrezikon operacionin në këmbë
Dëmtimi i Yildiz shqetëson dhe rrezikon të hapë një skenar që askush te Juventus nuk e kishte parashikuar. Turku është shoqëruar në J Medical për t’iu nënshtruar ekzaminimeve, pasi ndjeu shqetësime pas kthimit nga Frosinone, por ekziston frika se ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë e vetmja rrugë e mundshme: e përkthyer në shifra, rreth dy muaj mungesë, ndoshta tre, duke llogaritur edhe rikuperimin e formës fizike pas operacionit. Kjo do të thotë se bardhezinjtë do të humbnin yllin e sulmit të tyre deri në fund të vitit, me rrezikun që të duhet të ndryshojnë edhe listat e UEFA-s për pjesën e parë të Europa League.
Spalletti humbet sigurinë e tij më të madhe në sulm, ku java e parë i dhuroi më shumë dyshime sesa kënaqësi. Ai u ankua hapur për francezin Kolo Muani për gabimet para portës dhe mungesa e Yildiz do t’ia rëndonte edhe më shumë problemet në atë repart. Nuk përjashtohet që, me merkaton ende të hapur, Juventus të ndërhyjë me një afrim të ri: zëvendësuesit e turkut janë Boga dhe Alajbegovic, afrimi i ri në futbollin italian, por bardhezinjtë mund të hedhin sytë përfundimisht te Zirzkee, për të mos e pasur stolin shumë të shkurtër deri në muajin dhjetor.
Spalletti e alternativat e tij
Ndërkohë, trajneri duhet të përgatitet për ndeshjen e ardhshme të kampionatit me atë që ka në dispozicion, në pritje të lajmeve të sigurta për Yildiz. Alternativat natyrale, siç u tha, do të ishin Alajbegovic dhe Boga: ish-lojtari i Sassuolos hyri në fushë pikërisht në vend të turkut në minutat e fundit të ndeshjes kundër Frosinones, por do të duhet të vlerësohet nga Spalletti, i cili në skuadër ka ende Jonathan David, ndonëse është nxjerrë në merkato prej disa javësh, si dhe Nico Gonzalez, i cili mund të qëndrojë në Torino pavarësisht dëshirës për t’u rikthyer te Atletico Madrid.