
Policia njoftoi se rreth orës 13:40 të së dielës ka marrë njoftim për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në zonën e Palasës.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Patrullës së Zonës, të cilat kanë konstatuar një situatë të përshkallëzuar. Për përballimin dhe neutralizimin e situatës janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.
Shërbimet e Policisë, gjatë ndërhyrjes në banesë, kanë gjetur një armë zjarri, pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës në Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Nga verifikimet paraprake rezulton se shtetasi Elvis Kosova dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij.
"Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të shërbimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi, situata është neutralizuar dhe është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, duke shmangur një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale.
Shtetasi Elvis Kosova është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë, ndërsa po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për dokumentimin e plotë të rastit" - thuhet në njoftim.
Kush është Elvis Kosova
Elvis Kosova, 40-vjeçar, njihet si biznesmen në fushën e shitblerjes së automjeteve dhe zotëron edhe një biznes për makina me qira.
Verën e vitit të shkuar, atij iu vendos një sasi lënde plasëse në portën hyrëse të garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë. Në gusht të vitit 2024 ai u ndalua për vjedhjen e një makine luksoze “Audi R8”, me vlerë rreth 200 mijë euro, që ishte sjellë fillimisht nga Gjermania nga një turk, dhe më pas ishte përvetësuar nga Elvis Kosova përmes mashtrimit.
Pasioni i tij janë garat e shpejtësisë dhe shpesh ka marrë pjesë në kompeticone të ndryshme, ku e njohin si "Visi i garave".
Gjatë vitit 2022 biznesmeni është hetuar për organizimin e një gare të paligjshme me makina tek mbikalimi i Patokut.
Uniformat blu iu vunë në ndjekje pasi e zbuluan nga videot e hedhura në rrjetet sociale, dhe më tej nga hetimet, rezultoi se Elvis Kosova po e çmontonte në një servis makinën e garës, ndërsa u gjobit nga policia rrugore me 120 mijë lekë të reja. Në këtë sfidë, Elvis Kosova, vinte me fitoren e garës Drag Race, zhvilluar në Kosovë gjatë pandemisë Covid-19.
/LAPSI.al