Flash

Del LETRA/ Demokratët kërkojnë hetimin e Jared Kushner: Ç’ju lidh me Edi Ramën dhe Artur Shehun

Lapsi.al 25 August 2026

Demokratët e Komitetit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve po zgjerojnë hetimin e tyre ndaj Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump. Në fokus është projekti luksoz që ai dëshiron të ndërtojë në bregdetin e Shqipërisë, një projekt që ka shkaktuar javë të tëra protestash dhe akuzash se toka është marrë përmes akteve të falsifikuara të pronësisë.

Përfaqësuesi Jamie Raskin i Merilendit, demokrati më i lartë në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ka pikëpyetje të reja në lidhje me "praktikat e dyshimta të marrjes së pasurive të paluajtshme" të Kushnerit ndaj ai ka kërkuar t’i vihen në dispozicion të gjitha të dhënat që lidhen me "miratimin ose shqyrtimin" e projekteve të tij në Shqipëri, duke përfshirë çdo komunikim mes qeverisë së SHBA-së dhe asaj të Shqipërisë.

Del LETRA/ Demokratët kërkojnë hetimin e Jared Kushner:
Kongresmeni Jamie Raskin

Në një letër të bërë publike drejtuar Kushner, Raskin thotë se demokratët duan të saktësojnë nëse “sjellja e Kushnerit duhet të hetohet sipas Aktit të Praktikave të Korrupsionit të Huaj”. Sipas ligjit amerikan është “e paligjshme që një person ose kompani amerikane të ofrojë, paguajë ose premtojë të paguajë para ose ndonjë gjë me vlerë për ndonjë zyrtar të huaj me qëllim marrjen ose mbajtjen e biznesit”.

Letra kërkon të zgjerojë një hetim që Raskin hapi në muajin prill mbi atë që demokratët e quajtën "konflikt të hapur interesi" të Kushnerit. Kjo pasi, ai ishte duke shërbyer njëkohësisht si i dërguar paqeje i Shtëpisë së Bardhë dhe njëkohësisht drejtonte një firme private kapitalesh të mbështetur pjesërisht nga fondet sovrane të Gjirit Persik. 

“Teksa veproni si kryenegociatori i kombit tonë për t'u dhënë fund disa konflikteve ndërkombëtare të krijuara ose të përkeqësuara nga administrata e vjehrrit tuaj, ju keni ndarë kohë për të filluar vetë një tjetër incident ndërkombëtar të lidhur me mashtrimin”, - shkruan Raskin në letër duke iu referuar përpjekjeve të Kushnerit në Shqipëri.

Përfaqësuesit e Kushnerit në firmën e tij të investimeve nuk kanë bërë ende ndonjë koment për letrën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, e quajti kërkesën e Raskin pjesë të “të njëjtës narrativë të lodhur që demokratët kanë shtyrë kundër Presidentit Trump, familjes së tij dhe administratës së tij për një dekadë”.

“Aktivitetet personale të biznesit të Jared Kushner nuk kanë të bëjnë fare me angazhimet e tij diplomatike, të cilat ai i kryen në bazë vullnetare me kërkesë të Presidentit”, - vazhdoi Kelly, duke lavdëruar atë që ajo e përshkroi si “rekord të suksesit” të Kushner në Marrëveshjet e Abrahamit dhe nisma të tjera.

Kushner njoftoi planet për të ndërtuar një resort luksoz në vijën bregdetare të Shqipërisë në vitin 2024, si pjesë e një investimi nga firma e tij Affinity Partners. Por projekti ka shkaktuar protesta muajt e fundit, përfshirë edhe kryeqytetin e Shqipërisë. Ato u nxitën nga zemërimi për dhunën e rojeve të sigurisë në vendin e ndërtimit të projektit dhe shqetësimet rreth efektit të mundshëm në jetën e egër, duke përfshirë flamingot, fokat dhe breshkat e detit.

Projekti ka shkaktuar më shumë polemika në korrik, kur dolën raportime se një biznesmen, i kërkuar në Shqipëri për pastrim parash dhe rolin e tij të dyshuar në një operacion ndërkombëtar të trafikut së drogës, kishte falsifikuar aktin e pronësisë së tokës për resortin turistik. 

Bëhet fjalë për biznesmenin Artur Shehu që ka mohuar çdo shkelje. “Wall Street Journal” raportoi se fshatarët shqiptarë u përpoqën ta paralajmëronin Kushnerin se toka ishte e vjedhur.

Një zëdhënës i grupit të zhvillimit të mbështetur nga Kushner i tha Journal se sistemi ligjor shqiptar është “vendi i duhur për zgjidhjen e çështjeve në lidhje me pronësinë e tokës”, por ata këmbëngulën se “blerjet e tokës u kryen në mënyrë të ligjshme”. 

Në letrën e tij drejtuar Kushnerit, Raskin shkruan se i gjithë “episodi pasqyron si mendjelehtësinë tuaj thelbësore si një përfaqësues i dikurshëm i Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe oreksin mbizotërues dhe në dukje të pangopur të familjes Trump-Kushner për korrupsion politik dhe financiar.” 

“Qeveria e kryeministrit shqiptar Edi Rama, e cila prej kohësh ka kërkuar të ketë ndikim në politikën amerikane, ju dha miratimin, por Kryeministri nuk mundi të fitonte miratimin e elektoratit të tij për projektin tuaj të ëndrrave” – shkruan ai. 

Kushner, i cili është i martuar me vajzën e madhe të Trump, Ivanka, themeloi firmën e investimeve Affinity Partners në vitin 2021, pasi kishte shërbyer si këshilltar i lartë gjatë administratës së parë të Trump. Investitori më i madh dhe më i hershëm i Affinity, sipas “The New York Times”, është Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, i udhëhequr nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i cili ka investuar afërsisht 2 miliardë dollarë. Fondet sovrane të pasurisë të lidhura me Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë investuar gjithashtu. 

Që kur Trump u rikthye në Zyrën Ovale vitin e kaluar, Kushner ka punuar si i dërguar i paqes i SHBA-së, duke marrë pjesë në bisedime për t'u dhënë fund konflikteve jashtë vendit, përfshirë edhe me Iranin.

Në letrën e tij të re, Raskin vë në dukje se Kushner nuk i ishte përgjigjur kërkesës fillestare të Komitetit, e cila kërkonte komunikimet e tij me zyrtarë sauditë, emiratë, kataranë ose izraelitë, së bashku me të dhënat financiare që detajonin investitorët e Affinity.

“Për t'ju dhënë përfitimin e dyshimit”, shkroi Raskin, “supozoj se mund të keni qenë shumë i shpërqendruar dhe i devijuar nga përpjekjet tuaja të përsëritura të dështuara për të negociuar një armëpushim të qëndrueshëm në Iran, Liban ose Ukrainë për t'u përgjigjur”.

Ekipi i Kushnerit ka hedhur poshtë akuzat për shkelje. Në prill, zyrtari kryesor ligjor i Affinity tha se Kushner është pajtuar “me të gjitha ligjet dhe kërkesat në fuqi dhe gjithmonë ka vepruar në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara”. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha në atë kohë se Kushner kishte “sakrifikuar kohën me familjen dhe jetesën e tij” për të punuar në nismat e administratës.

Si anëtarë të pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët nuk kanë fuqi për të urdhëruar dhe kanë aftësi të kufizuara për ta detyruar Kushnerin të bashkëpunojë. Kjo do të ndryshonte nëse ata fitojnë kontrollin e Dhomës në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor. Demokratët e kanë bërë të qartë tashmë se kanë një listë të gjerë objektivash për të hetuar nëse fitojnë përsëri kontrollin e njërës ose të të dyja dhomave të Kongresit. Nën hetim do të jetë edhe Jared Kushner. ©Përgatiti LAPSI.al

Të këshilluara

Parlamenti nis më 8 shtator

Shtatori pritet të jetë një muaj i ‘nxehtë’ politik. Këtë vit, vapa nuk ikën me gushtin. Shtatori i ri politik n...

18:17

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

92.44

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Rama ndërron sërish makinën/ Një Mercedes S-Class i ri për "asketin" e kryeministrisë

Edi Rama ka treguar se si shpesh kalon 48 orë vetëm me ujë, se në 12 vite ka ngrënë në restorant rreth 30 herë me familjen dhe se fluturimet e tij private i bën në Economy Class; por në rrugë, kryeministri është shfaqur me versionin më të ri të Mercedes-Benz S-Class, një mjet që për të disatën herë ia gris imazhin e liderit “asket”, duke e sjellë të dobët përballë privilegjeve të pushtetit

17:24

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Me sytë katër

Asllani, askush në Serie A nuk e do: hapet pista arabe për Interi, Al Jazira kërkon shqiptarin

Kristjan Asllani, mesfushori shqiptar i cili ka pasur disa eksperienca huazimi, duket se nuk bën pjesë në planet e Interit. Ndërsa drejtuesit zikaltër kërkojnë një zgjidhje për të ardhmen e tij para mbylljes së merkatos, një mundësi e re është hapur në Lindjen e Mesme. Klubi i Al Jazira-s ka shfaqur interes serioz, megjithëse preferencat e palëve për transferimin ndryshojnë.

15:20

PAPARAZZI