
As një muaj nuk u mbush nga arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiri në Francë (28 korrik) nga vënia në pranga e ortakut të tij Ergys Agasi (26 gusht) në zonën e Plepave në Durrës.
Prangosja e Beqirit, pas një “gabimi” gjatë fluturimit me një avion privat duke u futur në hapësirën e një centrali bërthamor vuri në lëvizje edhe bashkëpunëtorët e tij, si dhe ish-drejtuesit e AKSHI-t.
LAPSI.al raportoi pak ditë pas arrestimit të Beqirit se njeriu i parë që dukej se kishte ndjerë pasojat ishte Ergys Agasi. Për të ishte thënë vazhdimisht se nuk ishte larguar nga Shqipëria dhe se fshihej jo shumë larg Tiranës.
Pas arrestimit të Beqirit, burimet i thanë lapsi.al se Agasi kishte humbur qetësinë, pasi duhet të lëvizte dhe të gjente një vend tjetër ku të strehohej. Sipas të njëjtave burime, garancia e njerëzve që e kishin mbajtur të fshehur deri në ato momente kishte marrë fund.
Shkak ishte pikërisht “hapi fals” që Ermal Beqiri bëri në Francë. Jo shumë larg, por 24 orë më parë (25 gusht) gjykata franceze e la në burg Beqirin duke i dhënë më shumë shanse ekstradimit të tij. Ardhja e Beqirit në Shqiëpri nuk mund të parashikojë se deri ku mund të shtrihen hetimet, ndaj edhe njerëzit që e strehonin Agasin i kishin lënë afat të gjente një bazë tjetër.
Arrestimi i Agasit u bë jo shumë larg Tiranës. Ai thuhet se u pikas në Elbasan, një qytet ku sipas dosjes së SPAK ai kishte lidhje të forta. Agasi po udhëtonte më pas drejt Durrësit, një tjetër qytet që prej vitesh e kishte pasur një bazë të rëndësishme.
Sipas të njëjtave burime, Ergys Agasi kishte kërkuar me ngulm të kontaktonte qoftë edhe për pak minuta, me njeriun e tij në qeveri, madje deri te kryeministri, në përpjekje për të siguruar garanci që të mund të ruajë vendstrehimin që e kishte mbajtur deri në arrestimin e Beqirit.
-
Çfarë ka thënë Rama për lidhjet me Ergys Agasin
26 Gusht, 22:23
Një tjetër shqetësim për njerëzit që strehonin Agasin janë edhe dy pajisje elektronike që policia franceze i gjeti Ermal Beqirit ku ruheshin komunikimet e tij më të fundit. Nga momenti i largimit nga Shqipëria, muajt e arratisë, jeta në Francë e deri te bisedat me njerëzit më të afërt, të gjitha mesazhet e shkëmbyera me kontaktet në Shqipëri ndodhen tashmë në duart e autoriteteve franceze.
Një detaj të tillë e raportoi edhe media franceze “Journal du Dimanche”, e para që publikoi lajmin për arrestimin e Ermal Beqirit. Mbetet ende për t’u parë nëse autoritetet franceze do t’i zbërthejnë vetë komunikimet e gjetura në këto pajisje elektronike, apo nëse ato do t’u dorëzohen autoriteteve shqiptare në momentin e ekstradimit.
Nëse komunikimet e Ermal Beqirit do të zbardhen nga autoritetet shqiptare, dosja e AKSHI-t mund të hyjë në një fazë të re hetimesh, me pasoja edhe për personat që dyshohet se e kanë ndihmuar gjatë arratisë.
Që prej dhjetorit të vitit 2025 kur u shpall në kërkim, është thënë se Ergys Agasi është fshehur në Shqipëri duke shfrytëzuar lidhjet me grupet kriminale, si shpërblim për favoret e kohës kur ishte pjesë e rrethit më të afërt të Edi Ramës dhe ushtronte ndikim mbi segmentet kryesore të shtetit. Por edhe këto favore duket se e kanë pasur një afat.
Në media ishte raportuar, por pa prova, se Agasi qëndronte i fshehur herë në një resort në periferi të Tiranës, herë në rrethinat e Durrësit pranë miqve të tij Troplinët, e herë në bazën e Suel Çelës në Elbasan.
Miqtë e tij në Durrës, Tiranë apo Elbasan duket se e kishin kuptuar se aventurieri që dikur mburrej me miqësinë me Edi Ramën dhe lëvizte së bashku me eskortën e kryeministrit, tashmë ishte kthyer në një barrë. ©LAPSI.al


