
Vetëm pak ditë pasi kishin kurorëzuar martesën, Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli humbën jetën në një aksident tragjik në Manzë të Durrësit. Çifti i ri ndodhej në një automjet tip BMW së bashku me tre persona të tjerë, kur makina doli nga trajektorja dhe u përplas me një bordurë betoni.
Përplasja rezultoi fatale për 25-vjeçarin Kleo Vrioni dhe bashkëshorten e tij, 26-vjeçaren italiane Sara Brugentelli. Në aksident humbi jetën edhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në Manzë. Sipas të dhënave të ekspertizës, automjeti po lëvizte me shpejtësi në momentet para aksidentit.
BMW me pesë persona në bord dyshohet se po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 114 km/orë në momentin e përplasjes.
Nga rindërtimi i dinamikës së aksidentit rezulton se, në momentin e marrjes së një kthese, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin. Fillimisht, goma e përparme në krahun e pasagjerit ka goditur bordurën e betonit, duke bërë që automjeti të humbte më tej stabilitetin.
Pas përplasjes, automjeti është përmbysur dhe më pas ka vijuar të lëvizë zvarrë për rreth 40 metra, deri në ndalimin e tij.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me gjendjen e drejtuesit të automjetit. Janë kryer analizat toksikologjike për të kuptuar nëse drejtuesi i mjetit kishte konsumuar alkool gjatë natës.
Në aksident u plagosën edhe Rejsi Vrijoni, 25 vjeç, dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç. Të dy u transportuan drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore, ndërsa 16-vjeçari Dervishi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës./ Lapsi.al