Një atentat i dështuar që është filmuar nga kamerat e sigurisë në një lokal ka tronditur mesditën e sotme Elbasanin. Pamjet tregojnë momentet kur një 50-vjeçar ndiqet nga autori brenda dhe jashtë një lokali, për t’u përballur pak sekonda më vonë me tytën e një pistolete në kokë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen “28 Nëntori”, ndërsa më pas policia arrestoi autorin e dyshuar, Poli Boriçin, 52 vjeç, dhe sekuestroi pistoletën e përdorur në sulm.
Nga filmimet, e siguruara pas ngjarjes, shihet se gjithçka nis brenda lokalit. Ermir Bitoci, i njohur edhe si Ermir Këndezi, ndodhet në ambientet e brendshme dhe pas disa çastesh ngrihet nga tavolina për t’u larguar.
Ai del jashtë lokalit dhe ndalet për pak pranë hyrjes. Në dukje, lëvizjet e tij janë krejt normale dhe ai nuk duket se është në dijeni se po ndiqet.
Në një nga tavolinat jashtë lokalit ndodhet ndërkohë edhe autori i dyshuar. Poli Boriçi është ulur në shoqërinë e një gruaje, duke konsumuar kafe.
Sapo Bitoci del nga lokali, Boriçi ngrihet nga tavolina. Në duar mban një pistoletë të cilën e bën gati dhe niset me shpejtësi në drejtim të 50-vjeçarit.
Pak sekonda më vonë, autori arrin t’i afrohet nga pas. Ai i drejton armën dhe i vendos tytën e pistoletës në pjesën e pasme të kokës, në një distancë fare të afërt.
Por tentativa nuk përfundon me të shtënë.
Nga pamjet duket se arma bllokohet ose nuk arrin të shkrepë. Në atë moment, Bitoci duket se ndien armën në kokë dhe kthen kokën pas. Ai përpiqet t’ia largojë pistoletën autorit dhe menjëherë nis të largohet me vrap.
Boriçi nuk heq dorë. Ai e ndjek për disa metra, ndërsa 50-vjeçari largohet me shpejtësi nga vendi i sulmit.
Arrestimi i atentatorit
Policia njoftoi se, pas marrjes së informacionit për tentativën e vrasjes, shërbimet policore organizuan menjëherë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”, efektivët identifikuan dhe arrestuan Poli Boriçin, 52 vjeç, i dyshuar për tentativën e vrasjes së 50-vjeçarit.
Gjithashtu, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pistoletën që dyshohet se është përdorur në atentat.
Sipas policisë, Boriçi dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Ermir Këndezi, 50 vjeç, i njohur edhe si Ermir Bitoci.
Kush është Ermir Bitoci?
Ermir Bitoci, i njohur gjithashtu me mbiemrin Këndezi, prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë dhe, sipas të dhënave paraprake, kthehet në vend kryesisht gjatë periudhës së verës.
Emri i tij është përmendur ndër vite në Elbasan në lidhje me episode të periudhës së trazirave të viteve 1997–2000. Pas asaj periudhe, ai është larguar nga Shqipëria.
Deri tani, policia nuk ka bërë të ditur zyrtarisht motivin e atentatit, ndërsa mbetet për t’u sqaruar edhe nëse autori dhe shënjestra kanë pasur konflikte të mëparshme./Lapsi.al