
Nga Jonathan Freedland/ The Guardian
Nuk ka shumë intelektualë publikë që mund të thonë se janë cituar nga kapiteni James T. Kirk i anijes kozmike Enterprise, por Francis Fukuyama është njëri prej tyre. Në filmin Star Trek VI: The Undiscovered Country, personazhi i interpretuar nga William Shatner gjatë një momenti reflektimi thotë: “Disa njerëz mendojnë se e ardhmja do të sjellë fundin e historisë, por historia ende nuk ka mbaruar.”
Kur filmi u shfaq në 1991 por dhe në vitet që pasuan, komente të tilla qenë të shpeshta. Ishin si një lloj reagimi ndaj një teze aq të famshme, saqë pothuajse nuk kishte nevojë të shpjegohej.
Ajo ishte shfaqur për herë të parë në një ese prej 15 faqesh të shkruar nga Fukuyama, atëherë një studiues 36-vjeçar. Ai e pati botuar në revistën amerikane të politikës së jashtme ``The National Interest``, në verën e vitit 1989. Titulli kishte një pikëpyetje: Fundi i historisë?
Tre vjet më vonë, në formën e një libri, titulli u bë ``Fundi i historisë dhe njeriu i fundit``. Por këto ishin nuanca që, siç do të shohim, humbën gjatë rrugës.
Eseja e bëri autorin e saj të njohur ndërkombëtarisht dhe i dha hov një karriere si politolog, filozof dhe analist, i specializuar në politikën e jashtme dhe ekonominë politike.
Këshillat e Fukuyamës u kërkuan nga qeveri dhe borde kompanish në të gjithë botën, që nga drejtuesit e Ford-it deri në tendën e diktatorit libian, Muammar Gaddafi.
Por, siç bëhet e qartë në librin e tij të ri me kujtime – një vepër që është më pak autobiografi tradicionale dhe më shumë histori e një jete të përkushtuar ndaj ideve, ku ndryshimet intelektuale dhe përçarjet akademike zenë më tepër vend sesa martesa 40-vjeçare e autorit – kjo tezë u bë gjithashtu një lloj barre për të.
E pyes se si ndihet për atë artikull. Ndoshta siç mund të jenë ndier Beatles për këngën e tyre të parë të madhe, ``She Loves You``: mirënjohës për suksesin, por të lodhur nga detyrimi për ta luajtur vazhdimisht.
“Epo, pak nga të dyja”, thotë Fukuyama, tashmë 73 vjeç, gjatë një video-telefonate nga Kalifornia, përmes një kompjuteri që, meqë ra fjala, e ka montuar vetë.
“Sigurisht që mendoj se nuk do të kisha marrë vëmendjen që mora nëse do të kisha përdorur një titull tjetër. Pra, kjo bëri diferencën.”
Por pati edhe një anë negative.
“E dini, marr disa komente qesharake në internet. Nëse postoj një foto të nipërve të mi, më thonë: ‘Oh, mendova se ishte fundi i nipërve.’”
Një keqkuptim 37-vjeçar
Problemi, sipas Fukuyamës, është një keqkuptim 37-vjeçar – një keqkuptim që u krijua që në momentin kur eseja u botua.
Falë asaj shprehjeje të thjeshtë dhe të paharrueshme – “fundi i historisë” – njerëzit supozuan se Fukuyama po argumentonte se, me Luftën e Ftohtë, që po i afrohej fundit dhe me Murin e Berlinit gati për t’u rrëzuar, konfliktet njerëzore, madje edhe vetë ngjarjet njerëzore, po shkonin drejt përfundimit. Se të gjitha debatet e mëdha ishin zgjidhur, nuk do të kishte më luftëra dhe e gjithë bota së shpejti do të jetonte nën demokracinë liberale të modelit amerikan.
Siç shkruan ai në librin e ri, ``In the Realm of the Last Man``, kjo u interpretua si shprehje e “triumfalizmit liberal naiv”, dhe për tri dekada atij i është bërë disa herë në javë pyetja nëse dëshironte të tërhiqej nga argumenti i tij. “Kam shkruar mijëra fjalë dhe kam dhënë dhjetëra intervista duke u përpjekur t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.”
Në fakt, më thotë ai, kjo ishte “një nga arsyet që më nxitën për të shkruar kujtimet: që më në fund të shpjegoja në mënyrë shumë të qartë se çfarë synoja, pikat në të cilat gabova dhe pikat në të cilat besoj se ende kam të drejtë”.
Libri e bën të qartë se argumenti i tij ishte shumë më i ndërlikuar, i mbështetur në mendimin hegelian dhe i frymëzuar nga një interpretues i mëparshëm i Hegelit, Alexandre Kojève, nga i cili Fukuyama mori atë titull kaq të rëndësishëm.
Sipas Kojève, fundi i historisë ishte momenti kur shfaqej një parim ose një grup idesh që nuk mund të përmirësohej më tej për sa i përket aftësisë së tyre për të kënaqur qeniet njerëzore që jetonin në një sistem të ndërtuar mbi to.
Kojève kishte propozuar me shaka vitin 1806 si fundin e historisë, sepse pikërisht atëherë, falë fitores së Napoleonit ndaj monarkisë prusiane në betejën e Jena-Auerstedt, kodi që mbante emrin e Napoleonit – kuadri ligjor i dalë nga Revolucioni Francez – mbërriti në zemër të Europës së vjetër.
Siç shkruan Fukuyama, revolucioni i vitit 1789 “vendosi parimet themelore të një rendi modern liberal, përkatësisht dy parimet e lirisë dhe barazisë, ose barazinë e lirisë”.
Sigurisht, këto parime nuk u zbatuan menjëherë dhe as plotësisht. Ndërsa Napoleoni përparonte në Europën Qendrore, autoritetet koloniale franceze po shtypnin një revoltë skllevërish në Haiti.
“Por pika e Kojève ishte se, sapo ideja e lirisë universale të ishte përhapur, do të qe vetëm çështje kohe që këto parime të pranoheshin dhe të praktikoheshin në të gjithë botën”. Madje edhe nëse koha e nevojshme do të matej me shekuj dhe rrugës do të kishte plot ngjarje – përfshirë dy luftëra botërore.
Çfarë donte të thoshte Fukuyama në vitin 1989
Në vitin 1989 Fukuyama arsyetonte kështu: Demokracia liberale ishte larg së qeni perfekte, ajo nuk ishte përhapur kudo, për më tepër as se të gjitha konfliktet nuk kishin përfunduar. Por, se provat ishin dukshëm bindëse se nuk ekzistonte një parim apo sistem tjetër më i mirë. Fukuyama e ruan ende me fanatizëm këtë qëndrim.
“Për më shumë se 30 vjet kam thënë se po kërkoj një sistem alternativ që pretendon të jetë më i kënaqshëm për qeniet njerëzore sesa demokracia liberale. Dhe kanë dalë disa kandidatë. Disa prej tyre, mendoj, janë shumë të pabesueshëm.”
Ai përmend si një prej tyre teokracinë e stilit iranian. Modeli kinez është një pretendent më serioz. Si sistem autoritar, thotë ai, mund të marrë vendime në mënyrë më efikase sesa demokracia liberale.
“Pra, pyetja për mua është: a është ky gjithashtu një sistem i qëndrueshëm? A do ta shohim të përsëritur në vende të tjera pas 30 vjetësh? Dhe kjo ende mbetet një pyetje e hapur”.
Nëse, gjatë brezit të ardhshëm, Kina rezulton shumë më e suksesshme se SHBA-ja dhe ofron një model të eksportueshëm që plotëson nevojat njerëzore, Fukuyama premton se do të jetë “plotësisht i gatshëm të pranojë se kam gabuar në premisën themelore”.
Ai pranon gjithashtu se konsensusi aktual mbi demokracinë liberale është larg së qenit universal dhe se veçanërisht pjesa “liberale” e kësaj ideje – besimi te kufizimei dhe kontrollei mbi pushtetin e zgjedhur – është vënë në diskutim.
Ai argumenton se kjo ndodh pjesërisht sepse mbështetja për këto kufizime shpesh ka qenë e lidhur me kujtesën kolektive se sa e rrezikshme mund të bëhet bota pa to. Por një brez i ri, që ka njohur vetëm paqen dhe prosperitetin dhe për të cilin tiranitë e mesit të shekullit XX janë histori e largët, po shkon drejt një vetëdije të zbehtë për rreziqet e një pushteti të pakufizuar dhe joliberal.
Trumpi dhe mungesa e një busulle morale
Por a nuk është Donald Trumpi, i lindur vetëm një vit pas mposhtjes së nazizmit, prova se afërsia me atë histori të errët nuk nënkupton domosdoshmërisht respekt për barrierat mbrojtëse të vendosura nga demokracia liberale?
Si ta shpjegojmë shpërfilljen e presidentit amerikan ndaj këtij rreziku?
“E dini, kjo është një nga pyetjet e mëdha psikologjike që historianët e ardhshëm do të duhet t’i përgjigjen.Trump ka pasur një tërheqje të çuditshme jo vetëm ndaj Rusisë së sotme dhe Vladimir Putinit, por që në vitet 1980 ai vizitoi Moskën.
Ai botoi reklama të plota në gazeta duke sulmuar NATO-n që atëherë, kur ne ishim ende në mes të Luftës së Ftohtë.
Dua të them, kjo duhet të ketë të bëjë disi me mungesën e çdo lloj busulle morale përtej interesit të tij personal.
Në thelb, ai shqetësohet vetëm nëse mund të fitojë para dhe, nëse mund të fitosh para në një tirani, për të është gjithcka në rregull”.
Ia vlen të kuptosh deri në fund se çfarë donte të thoshte Fukuyama përgjatë tërë atyre viteve, sepse, sapo ta bësh këtë, gjen një ide shumë më interesante sesa versionet e reduktuara të tezës së tij.
Paragrafi i fundit i esesë së tij të vitit 1989 deklaronte: “Fundi i historisë do të jetë një kohë shumë e trishtuar.”
Meqë pyetja themelore e politikës do të ishte zgjidhur në thelb, edhe pse larg realizimit të plotë, “lufta ideologjike mbarëbotërore që nxiti guximin, kurajën, imagjinatën dhe idealizmin do të zëvendësohet nga llogaritjet ekonomike, zgjidhja e pafundme e problemeve teknike, shqetësimet mjedisore dhe plotësimi i kërkesave të sofistikuara të konsumatorëve”.Tani Fukuyama shkruan:
“Qenia që shfaqet në fundin e historisë është zakonisht dikush i zhveshur nga lufta, rreziku dhe ambicia, dikush që filozofi Niçe e quajti ‘Njeriu i Fundit’. Ne kemi jetuar në mbretërinë e Njeriut të Fundit prej njëfarë kohe tashmë”.
Kur kjo ide zbërthehet, edhe ata që kundërshtojnë interpretimin e Fukuyamës për vitin 1989 duhet të pranojnë se ai kishte një intuitë të jashtëzakonshme për atë që do të vinte.
Trumpi dhe etja për respekt
Ajo që parashikonte ishte se shoqëritë demokratike liberale mund të ishin shumë të afta për të siguruar stabilitet dhe një nivel relativ rehatie materiale, por nga kjo gjithsesi do të lindte një mungesë thelbësore.
Ai i referohet konceptit të Sokratit, thymos, ose shpirtit luftarak: asaj pjese të shpirtit që dëshiron respektin ose vlerësimin e qenieve të tjera njerëzore. Njeriu i fundit mund t’i ketë nevojat e tij themelore ekonomike të plotësuara, por do të zemërohej nëse besonte se nuk po merrte vendin që i takonte.
Në thelb, bëhet fjalë për një dëshirë të thjeshtë: që dinjiteti i barabartë i secilit të respektohet.
Duke lexuar këto pasazhe, është e vështirë të mos mendosh për rritjen mbarëbotërore të populizmit nacionalist dhe, në veçanti, për lëvizjen MAGA.
“Masa e njerëzve që shkojnë në mitingjet e Donald Trumpit ndiejnë se elitat liberale nuk i kanë respektuar”, thotë Fukuyama.
“Një nga gjërat që e çuan Trumpin në majë të sistemit politik amerikan është fakti se ai kuptoi se ata po trajtoheshin pa respekt dhe gjeti një mënyrë për t’u folur me një gjuhë që nuk shfaqte atë lloj përçmimi.
Ai nuk përdor fjalë të mëdha. Tregon histori budallaqe që ata i konsiderojnë shumë qesharake aq sa njerëzit e arsimuar tmerrohen prej tyre”.
Sipas tij, kjo është një sfidë kryesore për demokratët amerikanë.
“Nëse vërtet dëshironi ta zgjidhni këtë problem të respektit të shpërndarë në mënyrë të barabartë… bëhet fjalë si për të dëgjuar, ashtu edhe për të folur. Mendoj se shumë politikanë elitarë në të vërtetë nuk i dëgjojnë njerëzit që nuk janë si ata.
Ata nuk i dëgjojnë domosdoshmërisht njerëzit e zakonshëm dhe gjithashtu nuk dinë si t’u flasin njerëzve të zakonshëm”
Ai vëren dëshpërimin e demokratëve “që kërkojnë kandidatë nga klasa punëtore që mund t’i shtyjnë përpara” në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit.
Por, thotë ai, “shpërndarja e barabartë e respektit kërkon si politika që shpërndajnë në mënyrë më të barabartë përfitimet materiale reale, ashtu edhe një lloj tjetër diskursi politik”.
Në këtë kontekst, ai e sheh pozitivisht ish-kryebashkiakun e Çikagos dhe kandidatin e mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, Rahm Emanuelin, një njeri me sjelljen e një luftëtari rruge, i cili, sipas Fukuyamës, është gjithashtu “shumë qesharak”.
Njeriu i fundit dhe nevoja për një kauzë
Tipari tjetër përcaktues i Njeriut të Fundit është etja për një kauzë, për një betejë jetë a vdekjeje që mund t’i japë kuptim jetës së tij.
Në vitin 1989, Fukuyama parashikonte “një nostalgji të fuqishme” për epokën kur beteja të tilla zhvilloheshin aq sa nga sot ky duket si një parashikim i jashtëzakonshëm i kohës sonë. “Në thelb, po jetojmë në një kohë vërtet të çuditshme”, thotë ai.
Ai kthehet pas te Gjermania e viteve 1930. “Njervzit porsa kishin humbur një luftë të tmerrshme, me miliona viktima. Pastaj erdhi hiperinflacioni. Kursimet e të gjithëve u zhdukën. Kishte paqëndrueshmëri në rrugët e Republikës së Vajmarit dhe, pra – ndonëse ky nuk mund të jetë kurrësesi një justifikim – mund të kuptosh disi pse njerëzit ranë pre e ideologjive ekstremiste në atë moment.
Por kjo nuk është bota në të cilën jetojmë në vitin 2026.
Në fakt, jemi relativisht të qëndrueshëm, paqësorë. Dhe megjithatë gjen njerëz si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, që thonë: ‘Kjo është bota më e keqe e mundshme.’
Në Amerikë kemi të djathtën MAGA që thotë se Amerika po vdes. Se po vritet nga pala tjetër.
Dhe është shumë e vështirë të kuptosh se si mund ta argumentojnë këtë me çfarëdo lloj vetëdijeje historike.”
Rrjetet sociale dhe bota e shtrembëruar
Po për të majtën, a nuk ka luajtur kriza klimatike një rol në krijimin e kësaj ndjenje të katastrofës ekzistenciale?
Fukuyama dyshon. “Tani që po flasim unë jam ulur në Kaliforni. Termometri shënon 21 gradë Celsius dhe është rehat. E dini, nuk po digjem si ju në Europë, kështu që ndoshta është thjesht situata ime personale. Por mendoj se klima ende mbetet një gjë mjaft abstrakte për shumë njerëz.”
Ai e drejton gishtin në një tjetër drejtim.
“Rrjetet sociale dhe interneti në përgjithësi kanë krijuar këtë shkëputje të madhe midis realitetit material të jetuar dhe asaj që njerëzit përjetojnë online.”
Ai përmend legjionet e të rinjve meshkuj të botës së manosphere-it, që kalojnë ditët duke luajtur videolojëra, ndërkohë që ushqehen me një pamje të rreme dhe të zymtë të botës dhe njëkohësisht dëshirojnë një kauzë për të cilën ia vlen të vdesësh.
Për të, ky është një ilustrim i fenomenit për të cilin kishte paralajmëruar në fjalinë e fundit të esesë së vitit 1989: “Ndoshta pikërisht perspektiva e shekujve të mërzisë në fundin e historisë do të shërbejë për ta vënë historinë sërish në lëvizje.”
Nga e djathta në të majtë
Në librin e ri ka një kapitull, titulli i të cilit tregon historinë tjetër që rrëfen kujtimet: On Changing Your Mind – “Për ndryshimin e mendimit”. Fukuyama ka bërë udhëtimin politik relativisht të rrallë nga e djathta drejt së majtës.
Ish-zyrtar në administratat e Reaganit dhe Bushit, ai tregon për kohën kur ishte dishepull i studiuesit konservator të njohur Allan Bloom dhe pjesë e grupit të mendimtarëve neokonservatorë që përgatitën terrenin intelektual për pushtimin e Irakut në vitin 2003.
Fukuyama hoqi dorë nga mbështetja e tij për atë luftë në shkurt të vitit 2004.
Në libër, ai pranon hapur se ajo që e pengoi të shkëputej më herët ishte, pjesërisht, diçka më pak ideologjike dhe më njerëzore: nuk dëshironte të prishte miqësitë që kishte çmuar. Megjithatë, largimi i tij nga e djathta nuk lidhej vetëm me politikën e jashtme.
Ndërsa ish-kolegët e tij mund ta shihnin qeverinë vetëm si një pengesë që duhej hequr nga rruga, studimet e tij për shoqëritë në të gjithë botën e çuan në përfundimin se një shtet i aftë është thelbësor.
Për të konfirmuar se sa larg ka udhëtuar në këtë drejtim, një nga kapitujt e librit titullohet Learning to Love Bureaucrats – “Të mësosh t’i duash burokratët”.
Identiteti japonezo-amerikan
E pyes nëse këndvështrimi i tij për botën mund të ketë qenë i ndryshëm nga ai i republikanëve dhe konservatorëve të tjerë për shkak të rrënjëve të tij japonezo-amerikane, të cilat përshkruhen me shumë ndjeshmëri në libër.
Ai tregon për gjyshen e tij, një “nuse me fotografi”, e cila u largua nga Japonia në moshën 21-vjeçare, kur u vendos “e vetme në një anije drejt Los Anxhelosit, ku do të martohej me një të panjohur 10 vjet më të madh se ajo”.
Ai tregon edhe për një xhaxha që mbeti “pa asnjë qindarkë” pasi dyqani që kishte ndërtuar iu konfiskua në praktikë kur, si të gjithë japonezo-amerikanët në bregun perëndimor, u internua gjatë Luftës së Dytë Botërore.
A i shihte gjërat ndryshe sepse ishte pjesëtar i një pakice etnike që kishte përjetuar një histori të hidhur përjashtimi?
“Jo, nuk mendoj kështu”, përgjigjet menjëherë.
“Kam provuar ta shmang gjithë jetën së menduari për veten si japonezo-amerikan, sepse thjesht nuk më pëlqen kjo lloj politike e identitetit.
Është e vërtetë që, pas 11 shtatorit, disa njerëz të krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara thoshin: ‘Duhet t’i fusim arabo-amerikanët në kampe.’
Dhe, po, sigurisht që mendoja se kjo ishte krejtësisht e gabuar, bazuar në historinë e familjes sime. Por nuk mendoj se kjo më bëri veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve.”
Çfarë e ndryshoi Fukuyamën?
Ajo që ia ndryshoi mendimin ishte ndryshimi i botës. Edhe nëse ai ende mendon se pyetja e madhe është zgjidhur, ngjarjet kanë rëndësi. Lufta e Irakut dhe kriza financiare e vitit 2008 e përmbysën botëkuptimin e tij.
Siç shprehet ai: “Nëse je një intelektual dhe beson disa gjëra për përdorimin e forcës ushtarake në politikën e jashtme dhe për tregjet e parregulluara në ekonomi, dhe të dyja këto çojnë në katastrofa të mëdha, duhet t’i rishikosh disa prej këtyre supozimeve.”
Për Francis Fukuyamën, fundi i historisë nuk ka nënkuptuar kurrë fundin e të menduarit.
Nga Jonathan Freedland/ The Guardian, përgatiti për Lapsi.al, T.Çela

