
Atmosfera para Gjykatës Speciale në Hagë është intensifikuar në orët e fundit, në prag të shpalljes së vendimit të shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qindra shqiptarë janë mbledhur pranë ndërtesës së gjykatës, duke valëvitur flamuj të UÇK-së dhe flamuj kuq e zi, ndërsa me këngë patriotike dhe thirrje kanë shprehur mbështetjen e tyre për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Pamjet nga Haga tregojnë një numër të madh qytetarësh, të ardhur nga Kosova, Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës. Mbështetësit kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë të pranishëm në ditën kur pritet të publikohet verdikti për ish-drejtuesit e UÇK-së. Krahas tubimit të qytetarëve, në zonën pranë gjykatës është vërejtur edhe prani e shtuar e forcave të policisë, të cilat kanë vendosur masa sigurie për mbarëvajtjen e situatës.
Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë nesër vendimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së. Procesi gjyqësor është ndjekur me interes të madh në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve në diasporë. Ndërkohë, prania e qindra mbështetësve në Hagë ka krijuar një atmosferë të ngarkuar emocionalisht, me këngë patriotike, flamuj dhe mesazhe solidariteti për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.