Flash

Dy email-et për vilën/ Porosia e Ballukut para se në letra të shfaqej Igli Tare

Dy email-e të shtatorit 2020 tregojnë se Belinda Balluku merrte dhe diskutonte projektin luksoz të vilës në Palasë përpara se në dokumentet e pronës të shfaqej Igli Tare, të cilin SPAK e akuzon se u përdor për të fshehur pronësinë faktike të saj.

Lapsi.al 10 September 2026

Dy email-e të shtatorit 2020, të administruara si prova nga SPAK dhe që janë publikuar këtë të enjte në media tregojnë se Belinda Balluku merrte drejtpërdrejt nga studio “Atelier 4” projektet dhe variantet e vilës në Palasë, më shumë se një muaj përpara se në dokumentet e pronës të shfaqej emri i Igli Tares. Sipas prokurorwve tw SPAK, vila ishte në “pronësi faktike” të Ballukut që porositi detajet e godinws, ndërsa ish-futbollisti dhe ish-drejtori sportiv i Lazios u përdor për të fshehur pasuritë e ish-ministres.

Emaili i parë mban datën 14 shtator 2020. Studio e arkitekturës i dërgonte Ballukut një version të rishikuar të projektit dhe diskutonte me të deri në detaj mënyrën se si duhej të dukej vila. “Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel”, shkruhej në emailin e Alban Eftimiut.

Projekti parashikonte një pishinë infinity me tavolinë ngrënieje në nivelin e ujit, hapësira të veshura me teak për një “feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht” dhe dy vaska hidromasazhi sipas modelit të hotelit “Roccabella” në Santorini. Studio i shkruante gjithashtu se suitët do të punoheshin me variante të tjera dhe se, nëse zgjidhja e propozuar “s’të ngjit”, mund të riktheheshin “tek mermerët blu”. Më poshtë teksti i plotë i emailit.

“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum “infinity pool”. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë. Në 2 krahët anësore të shtëpive në nivelin e hyrjes dhe suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini). Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek “master bedroom” janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me “teak” për një “feeling” pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë dhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”.

Katër ditë më vonë, më 18 shtator, “Atelier 4” i dërgoi Ballukut një dokument prej 11 faqesh me planimetritë dhe projektet e dy objekteve të emërtuara “Vilat binjake”. Pra, në shtator 2020 Balluku merrte variantet e projektimit dhe propozime konkrete për arredimin dhe funksionimin e vilës.

Vetëm më pas, më 26 tetor 2020, u firmos kontrata e sipërmarrjes në emër të Igli Tares për shumën 250 mijë euro. SPAK thotë se kjo kontratë ishte fiktive dhe se Tare u përdor pikërisht “për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar”. Sipas Prokurorisë, kjo shumë mbulonte investimin deri në fazën e karabinasë.

Më vonë në skemë hyri Arbër Abazi, pronari i “Alko Impex General Construction”. SPAK thotë se ai mori përsipër pjesën tjetër të investimit në vilë, me një vlerë nga 288,616 deri në 410,526 euro. Në të njëjtën kohë, kompania e tij ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, një procedurë me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë pa TVSH.

Hetimet kalojnë te dyshimi për korrupsion. SPAK thotë se Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, “në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Alko Impex General Construction’”, ka kërkuar dhe marrë nga Arbër Abazi “vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve” në vilën e Palasës. Pra, sipas tezës së Prokurorisë, një pjesë e kostos së vilës u financua nga pronari i një kompanie që përfitoi avantazh në një tender publik nën juridiksionin politik të Ballukut.

Kur ndërtimi përfundoi, sipas SPAK-ut, Igli Tare u përdor përsëri. Më 12 shtator 2025 u hartua një kontratë shitjeje për regjistrimin e pronës në emrin e tij, të cilën Prokuroria e konsideron sërish fiktive. Në këtë mënyrë, Tare shfaqet në të dy skajet e skemës: në vitin 2020, kur vila nisi të formalizohej në dokumente, dhe në vitin 2025, kur u regjistrua pronësia.

Vila në Palasë është e dyta që SPAK ia atribuon faktikisht Ballukut dhe që rezulton e lidhur me emrin e Igli Tares. Më herët Prokuroria sekuestroi edhe një vilë në kompleksin “ëhite Rock” në Dhërmi, po ashtu të regjistruar në emër të Tares. Në atë rast, SPAK tha se vila dyshohej si përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik në një tender për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol-it, në kohën kur Balluku drejtonte institucionin.

Me sekuestrimin e vilës së Palasës, dosja u rëndua më tej. Përveç akuzave për shkeljen e barazisë në tendera në tetë procedura, Balluku dyshohet tashmë edhe për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Arbër Abazi dyshohet për korrupsion aktiv, ndërsa Igli Tare për pastrim parash.

E rëndësishme është të kujtohet se përgjatë mbrojtjes publike që Edi Rama i bëri Ballukut rreth një vit më parë kur kundërshtoi kërkesën e SPAK për masa ndaj saj, kryeministri deklaronte se Balluku nuk akuzohej për korrupsion, por vetëm për shkelje të barazisë në tendera. Më 13 mars ai shprehej se “në këtë rast nuk përballemi me një çështje korrupsioni, sepse vetë prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion”, një ide që e përsëriti disa herë në vazhdim.

Situata penale e Ballukut ka ndryshuar tashmë. SPAK ka gjetur përfitimet konkrete nga tenderat e rrugëve duke e rënduar ndjeshëm situatën e ish-zv.kryeministres. Kjo ka qëndruar në heshtje tashmë prej një viti.

Pas daljes së emaileve në media, mesazhi që shpërndau ishte ai i takimit me socialistët në Fier, atje ku i siguroi Edi Ramës 12 deputetë në zgjedhjet e fundit./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI