Flash

SPAK konfirmoi pazaret Balluku-Abazi/ Si lëvizën fijet për pengmarrjen e Aeroportit të Vlorës

Lapsi.al 10 September 2026

Njoftimi i fundit i SPAK për dosjen e Belinda Ballukut konfirmoi një lidhje të denoncuar më herët në media, që hedh dritë edhe mbi prapaskenën e konfliktit për Aeroportin e Vlorës.

Arbër Abazi, biznesmeni që SPAK e akuzoi për korrupsion në aferën e tenderave të Unazës së Tiranës dhe për përfitime të paligjshme bashkë me Belinda Ballukun, rezulton njëkohësisht ortak në biznese me familjen e Valon Ademit, pronarit të 2A Group, i cili me vetëm 2 për qind të aksioneve arriti të merrte kontrollin e aeroportit dhe ta mbante projektin peng, pavarësisht vendimeve të gjykatave shqiptare.

Lidhja mes Belinda Ballukut dhe Arbër Abazit

Në njoftimin e SPAK shkruhet se Arbër Abazi, biznesmeni që është marrë i pandehur për korrupsion aktiv, ka paguar qindra mijëra euro punime në vilën e fshehur të Ballukut në Green Coast, në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij në një tender publik.

SPAK thotë se në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, Belinda Balluku, Evis Berberi dhe anëtarë të strukturave të prokurimit “kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta” për bashkimin e operatorëve “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”.

Për ta shpërblyer Belinda Ballukun, pronari i Alko Impex, Arbër Abazi, ka marrë përsipër investimet në vilën që SPAK e konsideron pronësi faktike të saj. Vlera e punimeve, sipas preventivit të administruar nga hetuesit, varion nga 288 mijë euro deri në 410 mijë euro.

Sipas prokurorisë, Balluku, “në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Alko Impex General Construction’” ka “kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve” në vilën e Green Coast.

Për këtë episod Arbër Abazi dyshohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Edhe kompania e tij është marrë nën akuzë si person juridik, ndërsa Balluku dyshohet për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Lidhja mes Arbër Abazit dhe Valon Ademit

Por emri i Arbër Abazit është i rëndësishëm edhe për një tjetër dosje, shumë më të madhe financiarisht: Aeroportin e Vlorës. Në këtë aferë, u pa se si një biznesmen si Valon Ademi, i cili aktivitetin e tij e kishte përqëndruar në Kosovë arriti që të ketë një pushtet të pamatë në Tiranë. Në krah të tij veproi policia, Qendra Kombëtare e Biznesit, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, disa gjykatës të Shkallës së Parë që përmbysën vendimet e Apelit dhe të Gjykatës së Lartë, madje edhe mediat pranë qeverisë u rreshtuan në anën e Ademit në mënyrë që ky të mbante peng kantierin e aeroportit të Vlorës.

Prej kohësh mbi këtë çështje u ngrit një pikëpyetje e madhe: Si arriti ky biznesmen që deri dje kishte punuar në Kosovë të përqëndronte përreth vetes një pushtet kaq të fuqishëm, me media, ministra, gjykatës etj?

Dosja e SPAK që heton korrupsionin me rrugët, konfirmon edhe një herë se njeriu që e fuqizoi Valon Ademin në Tiranë ishte Arbër Abazi, dhe të dy bashkë ishin marionetat e Belinda Ballukut.

Abazi është pikërisht njeriu që bashkon dy anët e një skeme, që deri më tani qeveria është përpjekur ta paraqesë si një konflikt banal mes dy biznesmenëve kosovarë.

Arbër Abazi kontrollon në Shqipëri kompaninë “Alko Impex General Construction”, ndërsa kompania me të njëjtin emër në Kosovë lidhet me biznesmenin Ymer Ademi.

Abazi dhe Ymer Ademi rezultojnë gjithashtu të lidhur në shoqërinë koncesionare “Kukur Hydro Energy”, ku Arbër Abazi është regjistruar si administrator.

Ymer Ademi është babai i Valon Ademit, i cili si pronar i 2A Group, me vetëm 2 për qind të shoqërisë së Aeroportit të Vlorës arriti që arriti të nxjerrë jashtë administrimit MABCO-n e Behgjet Pacollit, megjithëse kjo e fundit zotëronte 98 për qind të kompanisë.

Pra, pas njoftimit të SPAK, fijet që luheshin në prapaskenë bëhen shumë më të lexueshme: Belinda Balluku lidhet me Arbër Abazin, për të cilin prokuroria tashmë pretendon se të dy bashkë ndajnë paratë e tenderave; Arbër Abazi lidhet në biznes me Valon Ademin nëpërmjet babait të tij Ymerit; ndërsa Valon Ademi është pikërisht ortaku minoritar në emër të të cilit u vunë në lëvizje gjykatat, administrata dhe më pas vetë Ministria e Infrastrukturës në konfliktin që përfundoi me prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.

Ky është mekanizmi që i jep kuptim asaj që ndodhi gjatë gjithë vitit të fundit.

A do t’i shkojë SPAK deri në fund hetimit për aeroportin e Vlorës?

Për muaj të tërë qeveria dhe mediat pranë saj e paraqitën bllokimin e aeroportit si pasojë të konfliktit privat Pacolli-Ademi për 47 për qind të aksioneve, ndërsa nën rrogoz ndërsa ndërhyrja e institucioneve shkoi drejt shprënësimit të Behgjet Pacollit.

Masat e sigurimit të marra nga gjykatat paralizuan të drejtat e MABCO-s mbi kompaninë dhe krijuan situatën absurde ku ortaku me 2 për qind kishte kontrollin efektiv të një kompanie që ishte financuar pothuajse tërësisht nga ortaku tjetër.

Në këtë konflikt hynë njëra pas tjetrës gjykatat, QKB-ja, policia dhe Ministria e Infrastrukturës.

Për muaj me radhë, MABCO u pengua të merrte vendime, të administronte kompaninë dhe të kontrollonte kantierin, ndërkohë që mbi të vazhdonin të rëndonin kreditë, interesat, garancitë bankare dhe kostot e projektit. Vetë Pacolli ka deklaruar se investimi dhe angazhimet financiare të tij në aeroport kalonin 300 milionë euro, ndërsa vetëm Valon Ademi, si punëkryes, kishte marrë mbi 35 milionë euro nga garancitë e MABCO-s.

Edhe kur Gjykata e Lartë e rrëzoi këtë skemë më 26 maj 2026 dhe riktheu të drejtat e MABCO-s mbi administrimin e kompanisë. Ishte momenti kur aksioneri me 98 për qind rimori atë që juridikisht i takonte.

Kronologjia e bën më të qartë intrigën, shtuar këtu edhe qëndrimet flagrante të ministrit të ri të Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi. Për sa kohë MABCO ishte jashtë administrimit dhe aeroporti kontrollohej nga struktura e lidhur me Valon Ademin, qeveria nuk e trajtoi vonesën si një arsye për të prishur koncesionin. Kur Gjykata e Lartë riktheu Pacollin në kontroll, vonesat u kthyen papritur në argument për t’i marrë projektin.

Por SPAK ka provuar tashmë diçka tjetër, që deri dje ishte vetëm pjesë e denoncimeve mediatike: Arbër Abazi ishte një biznesmen i besuar pranë Ballukut. Sipas hetimit penal, ai pasi ndanin tenderat, të dy ndanin paratë. Me gjasë, këtë kishin planifikuar edhe për aeroportin e Vlorës.

SPAK ende nuk ka thënë se kjo skemë shkon deri te Aeroporti i Vlorës, por prokurorët tashmë e kanë gjetur hallkën që e bën të domosdoshëm zgjerimin e hetimeve për një rrjet interesash biznesi dhe pushteti, që nis te Valon Ademi, kalon te Arbër Abazi dhe Belinda Balluku dhe përfundon te Edi Rama./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI