
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi deklaroi se bllokimi i pagave nga qeveria nuk është vetëm një çështje financiare, por prek funksionimin normal të gjykatave, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe rendin kushtetues. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të gjyqtarëve, ai theksoi se reagimi nuk duhet të shihet si një përplasje mes gjyqësorit dhe ekzekutivit, por si një çështje e detyrimit për zbatimin e vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese.
Sadushi argumentoi se ajo që po ndodh nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare, por një çështje që prek forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij. Sadushi nënvizoi se gjyqësori nuk po kërkon privilegje apo përfitime të reja, por që shteti të zbatojë detyrimet që burojnë nga kushtetuta, ligji dhe GJK.
“Kjo Mbledhje e Përgjithshme është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse e jashtëzakonshme është edhe situata që po përjeton pushteti gjyqësor. Për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me pagën e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Ky nuk është më një problem i administrimit financiar; është një pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave dhe një çështje që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues.
Për këtë arsye, reagimi institucional nuk mund të mbetej reagim i një gjykate, i një këshilli apo i disa drejtuesve. Kur pasoja prek të gjithë pushtetin gjyqësor, përgjegjësia për të folur dhe për të mbajtur qëndrim është e përbashkët. Ajo që kemi përpara nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare. Është një çështje që prek raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij.
Qëllimi ynë sot nuk është të prodhojmë një reagim emocional dhe as të ushqejmë një përplasje institucionale. Përgjegjësia jonë është më e madhe. Të flasim qartë, bashkërisht dhe institucionalisht për atë që ka ndodhur, për pasojat që ka sjellë dhe për rrugët kushtetuese e ligjore me të cilat duhet të mbrohen funksionimi i gjykatave, pavarësia e gjyqësorit dhe dinjiteti i njerëzve që i shërbejnë çdo ditë drejtësisë. Kjo, sepse çështja nuk kufizohet te masa e pagës. Ajo vë në provë nëse një vendim përfundimtar kushtetues zbatohet edhe kur zbatimi i tij krijon vështirësi institucionale apo financiare.
Kjo situatë po paraqitet shpesh si një “përplasje ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit”. Ky përshkrim e zhvendos vëmendjen nga thelbi. Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që kemi përpara nuk është garë force ndërmjet pushteteve, por provë e forcës së Kushtetutës mbi secilin prej tyre.
Dua ta them që në fillim. Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder. Gjyqtarët e Republikës nuk kanë vendosur as masën e pagës së tyre, as rritjen e saj dhe as formulën, mbi të cilën ajo përllogaritet.
Statusin tonë e ka përcaktuar Kushtetuta. Pagën dhe garancitë e saj i ka përcaktuar ligji. Për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri. Kërkojmë që shteti të përmbushë detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.”, tha Sadushi.