
Karabinierët në Padova po thellojnë hetimet për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar, Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet brenda një Fiat Bravo të fundosur në lumin Tergola. Mediat italianeshkruajnë se identifikimi i tij u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të jetës së 35-vjeçarit dhe lëvizjet e tij para vrasjes. Hoti jetonte në Mirano, por nuk kishte një banesë të regjistruar. Pista kryesore është se ai nuk është vrarë në vendin ku u gjet, ndërsa dyshimet e deritanishme janë se ekzekutimi mund të ketë ndodhur në zonën e Venecias.
Sipas të dhënave paraprake, Hoti është qëlluar me një plumb në kokë. Pas krimit, trupi dyshohet se është transportuar me automjet dhe më pas makina është fundosur në lumin Tergola. Për të rindërtuar itinerarin e autorëve, Karabinierët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në San Giorgio delle Pertiche dhe zonat përreth. Në Camposampierese ka rreth 200 kamera dhe 50 sisteme për identifikimin e targave, të cilat mund të ndihmojnë hetuesit të përcaktojnë lëvizjet e automjetit.
Në fokus janë edhe kamerat e një mobilierie pranë vendit ku Fiat Bravo përfundoi në lumë. Paralelisht, po analizohen të dhënat e antenave telefonike të aktivizuara gjatë natës mes së hënës dhe së martës, kur dyshohet se trupi është transportuar dhe fshehur. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që në vrasje të kenë marrë pjesë disa persona. Një tjetër pistë që po verifikohet lidhet me aktivitetin e shpërndarjes së drogës në zonën e Miranos dhe kontaktet që viktima mund të ketë pasur me persona të përfshirë në këtë aktivitet.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe një ngjarje të ndodhur në Mirano mes 30 qershorit dhe 1 korrikut, kur një tjetër shtetas shqiptar u qëllua me armë në shpatull teksa po kthehej në shtëpi me partneren. Për këtë sulm dyshohet se ishin përfshirë dy persona me origjinë shqiptare. Karabinierët po kthehen pas në pamjet e kamerave për të përcaktuar momentin kur automjeti ka mbërritur në zonë dhe nga cili drejtim. Dyshimi është se autorët e kanë studiuar paraprakisht vendin ku më pas fundosën makinën me trupin e pajetë të Hotit.