
Vendimi i Gjykatës Speciale për të dënuar me gjithsej 81 vite burg katër ish-drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shkaktoi hidhërim në Kosovë, por u shoqërua me entuziasëm Serbi. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian zgjodhën të mbështesin procesin gjyqësor dhe të bëjnë thirrje për respektimin e vendimit.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Gjykata i shpalli fajtorë për katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Por ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues vlerësoi se Prokuroria nuk provoi përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.
Përpara se vendimi të prodhonte reagimet politike, tensionet e para u shfaqën në Hagë.
Jashtë godinës së Dhomave të Specializuara ishin mbledhur shqiptarë dhe mbështetës të UÇK-së, shumë prej të cilëve kishin shkuar me pritshmërinë se procesi do të përfundonte me lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Flamujt shqiptarë dhe të UÇK-së dhe thirrjet “UÇK” shoqëruan pritjen e vendimit.
Por pas shpalljes së dënimeve atmosfera ndryshoi katërcipërisht. Mes protestuesve dhe policisë holandeze pati përplasje, ndërsa unifromat blu u detyruan të përdorin ujë me presion për të larguar protestuesit nga zona përreth gjykatës. Situata më pas u vu nën kontroll.
Pamjet nga Haga ishin në një farë mënyre zgjatim i asaj që po ndodhte në Prishtinë. Mijëra qytetarë ndoqën vendimin në ekrane të mëdha dhe reaguan me fishkëllima e thirrje në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së. Në shenjë irrimit një grup protestuesish goditi me gurë ndërtesën e EULEX-it në Prishtinë, përpara se të marshonte drejt godinës së qeverisë.
Kurti: “Padrejtësi e papranueshme”
Reagimi politik në Kosovë erdhi menjëherë nga kryeministri Albin Kurti, i cili vuri në diskutim edhe mënyrën se si është ndërtuar vetë mekanizmi i drejtësisë speciale.
“Dënimi dhe një masë kaq e rëndë dënimi për katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është një padrejtësi e papranueshme, një dënim i madh dhe i dëmshëm”, deklaroi Kurti.
Kurti gjithsesi la të kuptohet që mënyra e vetme për ta kundërshtuar dënimin është ndjekja e rrugëve ligjore në Apel.
“Ky aktgjykim patjetër duhet të ndryshohet dhe korrigjohet në shkallën e Apelit dhe sa më parë” u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës u ndal edhe te një element me rëndësi i vendimit sipas të cilit katër ish-drejtuesit e UÇK-së nuk u dënuan për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, vendimi rrëzoi pretendimin më të rëndë se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile.
Kurti e zgjeroi më pas argumentin duke sulmuar karakterin, sipas tij, selektiv të Dhomave të Specializuara.
“Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike”, deklaroi Kurti.
SHBA: Respektojmë vendimin

Në kontrast me reagimin e Prishtinës, Departamenti Amerikan i Shtetit mbajti një qëndrim institucional në mbështetje të procesit gjyqësor.
Një zëdhënës i DASH i tha Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara “respektojnë vendimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Mesazhi amerikan shkoi më tej duke u kërkuar palëve të shmangin përshkallëzimin pas vendimit:
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike.”
Qëndrimi amerikan qe institucional: njohje e vendimit të gjykatës dhe kërkesë që kundërshtimi ndaj tij të vazhdojë përmes procedurave juridike, jo përmes tensioneve politike apo në rrugë.
BE: Gjykata duhet të vazhdojë punën pa ndërhyrje

Një linjë të ngjashme mbajti Bashkimi Europian. Në reagimin e dhënë pas vendimit, një zëdhënës i BE-së deklaroi:
“Dhomat e Specializuara të Kosovës administrojnë drejtësinë përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.”
Brukseli kujtoi njëkohësisht se vendimi nuk është përfundimtar dhe se të dënuarit kanë të drejtën e ankimit përpara një paneli të pavarur të Apelit. Por mesazhi politik i BE-së ishte i drejtpërdrejtë:
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve, në Kosovë dhe në rajon, të tregojnë vetëpërmbajtje.”
Brukseli theksoi gjithashtu se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të lejohen të përmbushin mandatin e tyre “pa ndërhyrje”, veçanërisht në interes të viktimave. Ashtu siç pritej pozicioni i BE-së është se përgjegjësia e shqyrtuar në Hagë është individuale. Një përgjigje direkte për debatin që shpërtheu menjëherë pas vendimit, pasi gjykata nuk shpalli UÇK-në organizatë kriminale dhe nuk gjykoi karakterin e luftës së saj.
Rama, jo më shumë se një fjalë: “MARRE”

Shumë më i shkurtër ishte kryeministri shqiptar Edi Rama. Pas shpalljes së dënimeve, Rama publikoi vetëm një fjalë: “MARRE”
I shkruar me shkronja të mëdha, reagimi i Ramës nuk guxon të shkojë në një përplasje me ndërkombëtarë, për më tepër që Rama ka kontributin e tij në krijimin e gjykatës speciale në Kosovë.
Në Serbi, Vuçiç shfrytëzon momentin për kapital politik

Në Beograd, reagimi ishte diametralisht i kundërt me atë në Prishtinë dhe Tiranë. Ministri në largim i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, e përshëndeti vendimin dhe pretendoi se dënimet përbënin:
“Konfirmim se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale dhe terroriste” e quajti Ivica Daçiç vendimin e gjykatës së Hagës.
Gjithsesi presidenti serb Aleksandar Vuçiç do t'i drejtohet publikut në orën 18:30 lidhur me vendimin e dhënë ndaj udhëheqësve të të ashtuquajturës UÇK dhe situatën në rajon.
Më herët, më 4 shtator ai pretendoi se kishte marrë informacion “përmes kanaleve të inteligjencës” se Thaçi do të lirohej nga akuzat që lidheshin me krimet ndaj serbëve dhe se mund të merrte një dënim që mbulohej nga koha e kaluar në paraburgim. Kështu, i njëjti vendim prodhoi dy lexime pothuajse të papajtueshme në dy anët e kufirit.
Lajmi për dënimin e Thaçit në mediat e mëdha të globit

Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit mori një hapësirë të konsiderueshme në mediat kryesore ndërkombëtare, por raportimi ishte kryesisht juridik dhe faktik, jo një gjykim mbi UÇK-në apo luftën për pavarësi. Reuters e vendosi theksin te përmasat e krimeve për të cilat gjykata i shpalli fajtorë: vrasjen e 96 personave, ndalimin e paligjshëm të 385 vetave, torturimin e 303 të ndaluarve dhe trajtimin mizor të 49 të tjerëve. Agjencia e përshkroi Thaçin si ish-komandantin kryesor të UÇK-së dhe nënvizoi se viktimat përfshinin kundërshtarë politikë dhe persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe. Por Reuters evidentoi gjithashtu se gjykata rrëzoi një pjesë të akuzave, pasi Prokuroria nuk provoi ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj civilëve.
Associated Press bëri një dallim edhe më të qartë mes dënimit të katër drejtuesve dhe historisë së UÇK-së. AP kujtoi se Thaçi mbetet për shumë shqiptarë të Kosovës një figurë e luftës për pavarësi dhe një ish-aleat i Perëndimit, ndërsa vendimi shkaktoi protesta dhe zemërim në Kosovë. Por elementi më domethënës i raportimit ishte sqarimi se procesi nuk ishte një gjykim i UÇK-së: gjykata theksoi se po shqyrtonte përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo legjitimitetin e UÇK-së apo të luftës së Kosovës për pavarësi. Kjo është edhe arsyeja pse narrativa se Haga “dënoi UÇK-në” nuk përputhet me atë që vendosi juridikisht trupi gjykues. AP evidentoi gjithashtu reagimin e Amnesty International, e cila e përshëndeti vendimin si një sinjal se edhe zyrtarët e nivelit më të lartë mund të mbajnë përgjegjësi për krime lufte.
Edhe The Guardian e trajtoi vendimin si një nga zhvillimet kryesore europiane të ditës, duke e vendosur përplasjen mes dy realiteteve në qendër të raportimit: nga njëra anë, gjykata që e shpalli Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij përgjegjës për ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje; nga ana tjetër, zemërimi në Kosovë, ku ata vazhdojnë të konsiderohen nga shumë qytetarë heronj të luftës. Gazeta britanike evidentoi se gjykata i lidhi krimet me eliminimin e kundërshtarëve të perceptuar të UÇK-së, por njëkohësisht nënvizoi se gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit u rrëzuan, pasi nuk u provua standardi i një sulmi të gjerë ose sistematik kundër civilëve./Lapsi.al