Flash

“Fitorja” që mban peng Aeroportin e Vlorës/ Çfarë nuk tha Ministria për vendimin e Londrës

Ministria e Infrastrukturës shpalli fitore faktin që arbitri nuk pezulloi formalisht zgjidhjen e koncesionit, por dy procedurat në Londër i ndaluan qeverisë të ndryshojë status quo-në dhe, në rastin e VIA-s, të marrë në posedim aeroportin, asetet apo t’ia kalojë projektin një operatori tjetër, duke e lënë kantierin të bllokuar edhe më tej.

Lapsi.al 17 September 2026

Ministria e Infrastrukturës ka nxjerrë një njoftim me nota entuziaste për një fitore që ka arritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Londër por që në Vlorë përkthehet me zgjatjen e agonisë në kantierin e aeroportit, që mbetet ende i bllokuar dhe që qeveria nuk e merr dot në dorëzim.

Në njoftimin për mediat, MIE tha se në shqyrtimin e ankesës së Vlora International Airport, arbitri në Londër nuk pezulloi zgjidhjen e kontratës së koncesionit.

“Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s dhe nuk pranoi kërkesën kryesore të VIA-s, përkatësisht pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit”, deklaroi MIE.

“Si rrjedhojë, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi” theksoi Ministria e Infrastrukturës duke paralajmëruar se do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar duke shtuar se: “I vetmi lehtësim i dhënë ishte një masë e përkohshme afatshkurtër”.

Në fakt kjo masë afatshkurtër është pikërisht ajo që ia lidh duart qeverisë përballë projektit të aeroportit në Vlorë. Ministria ka të drejtë kur thotë se zgjidhja e kontratës nuk u pezullua formalisht. 

Por e vërteta shkon më tej. Në Londër u paraqitën dy kërkesa të ndryshme emergjente, një nga VIA, kompania koncesionare e Aeroportit të Vlorës, dhe një nga MABCO Constructions, kompania e grupit Mabetex që zotëron 98% të VIA-s. Dhe në të dyja procedurat, arbitri vendosi masa që i lidhin duart qeverisë për të ndryshuar situatën në aeroport.

Qeveria duarlidhur në raport me MABCO

Pas shqyrtimit të procedurës së MABCO,  arbitri ndërkombëtar nuk vendosi ende mbi kërkesën përfundimtare për masë emergjente, por nxori një “Preliminary Order”, një urdhër paraprak që synon të ruajë situatën derisa kërkesa të shqyrtohet.

Pika 38 e këtij urdhri thotë: “Në dritën e sa më sipër, nxjerr këtë urdhër paraprak në përputhje me nenin 7 të Shtojcës IV të Rregullave të ICC-së, duke urdhëruar MIE-n të mos pengojë qëllimin e Kërkesës Emergjente të paraqitur nga Aplikanti dhe të mos ndërmarrë, gjatë zhvillimit të këtyre procedurave të Arbitrit të Emergjencës, asnjë veprim lidhur me përfundimin e Kontratës së Koncesionit që do ta përkeqësonte këtë mosmarrëveshje ose do të rrezikonte këto procedura.”

Me fjalë të tjera, ndërsa shqyrtohet kërkesa e MABCO-s, Ministria e ka të ndaluar të hyjë në aeroport dhe nuk mund të ndërmarrë asnjë hap tjetër.

Qeveria duarlidhur në raport me VIA

Edhe në procedurën e VIA-s, kërkesa me efekt konkret mbi aeroportin, u pranua. Është pjesa që Ministria e përshkruan thjesht si një “masë të përkohshme afatshkurtër”.

Në pikën 210 arbitri ndërkombëtar i ndaloi shtetit shqiptar (i) hyrjen, marrjen në posedim ose marrjen e kontrollit operacional të zonës së Projektit, aseteve ose punimeve; (ii) kërkimin e dorëzimit të çdo pasurie të paluajtshme ose të luajtshme; (iii) përzgjedhjen ose zëvendësimin e Koncesionarit me një Operator Pasardhës; dhe (iv) ndërmarrjen e çdo veprimi tjetër që do të ndikonte status quo-në ose do të përkeqësonte mosmarrëveshjen, deri në momentin kur Tribunali i Arbitrazhit, i konstituuar rregullisht, të jetë në gjendje ta rivlerësojë situatën.”

Pra kontrata mund të jetë zgjidhur në letër, por qeveria nuk mund të bëjë asgjë për momentin. Nuk mund të hyjë e të marrë aeroportin, nuk mund të marrë kontrollin operacional apo asetet dhe nuk mund ta zëvendësojë VIA-n me një operator tjetër. 

“Fitorja” që vonon më tej aeroportin e Vlorës

Pas urdhrit të gjykatës së Londrës, qeveria shqiptare tani përballet me kufizime të dyfishta; në ato që parashikohen në vendimin e Vlora International Airport, ashtu edhe në urdhrin e siguruar nga MABCO. 

Kjo është pjesa që e bën disi të çuditshëm entuziazmin e Ministrisë për “fitoren e rëndësishme” që ka arritur në gjykatën e Londrës. Qeveria mund të deklarojë se kontrata është zgjidhur tashmë në letër, por meqënëse nuk mund të hyjë në aeroport për ta marrë në posedim, kuptohet se vonesat do të zgjaten më tej.

Mbajtja e aeroportit në status-quo mund të jetë një fitore për segmentet e korruptuara të qeverisë që e kurdisën skemën e kapjes së projektit, por e sigurtë është që vendimi në Londër nuk konsiderohet fitore për operatorët turistikë të jugut, të cilët presin më kot avionët me turistë që zbresin direkt në Akërni të Vlorës.

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI