
Fitorja 2-0 ndaj Finlandës në “Air Albania” ka sjellë reagimet e dy futbollistëve të Kombëtares, Etrit Berishës dhe Ernest Muçit. Portieri vlerësoi paraqitjen dhe soliditetin e skuadrës, duke theksuar synimin për t’u kualifikuar në Ligën B, ndërsa autori i golit të parë foli për momentin pozitiv që po kalon dhe sakrificat që ka bërë për të arritur deri këtu.
Berisha: Jemi një ekip solid, duam të kualifikohemi në Ligën B
Etrit Berisha u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Shqipërisë ndaj Finlandës, duke kujtuar edhe ndeshjen e parë mes dy skuadrave. Portieri theksoi se kuqezinjtë kanë një grup cilësor dhe se kundërshtarët e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e rrjetës ndaj tyre.
“E dimë që kemi një ekip shumë të mirë dhe sonte bëmë një paraqitje shumë të mirë. Edhe në sfidën e parë ndaj Finlandës e nisëm shumë mirë, por më pas ndodhi ajo që ndodhi.
Në ndeshjen ndaj Suedisë, kisha një kohë të gjatë pa pësuar gol. Shpresoj që edhe në ndeshjen e ardhshme të mos pësojmë. Duam të rritemi dhe të kualifikohemi në Ligën B.
Është e rëndësishme që në këto ndeshje të mos jemi gjithmonë të varur nga ndërhyrjet vendimtare të portierit për të mbajtur ekipin në lojë. Ne e dimë që jemi një ekip solid. Rivalët e kanë të vështirë të na shënojnë”, deklaroi Berisha.
Muçi: Kam kaluar shumë për të arritur këtu
Edhe Ernest Muçi, autor i golit të parë në suksesin ndaj Finlandës, ndau emocionet pas ndeshjes. Sulmuesi vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke veçuar edhe organizimin në mesfushë, ku Shqipëria luajti me katër futbollistë.
Muçi u ndal gjithashtu te besimi që po merr nga shokët e ekipit, trajneri dhe tifozët, duke pranuar se rruga deri në këtë moment nuk ka qenë e lehtë.
“Sot kishim katër mesfushorë në mesfushë. Kemi bërë një nga ndeshjet më të mira.
Momenti më i mirë në Kombëtare? Po, ky është momenti kur ndiej besimin e shokëve të ekipit, trajnerit dhe tifozëve. Kam kaluar shumë për të arritur këtu”, u shpreh Muçi.