
Aktorja e njohur Ana de Armas ka tërhequr të gjithë vëmendjen në tapetin e kuq, ku është shfaqur për herë të parë zyrtarisht si çift me të dashurin e saj të ri, muzikantin venezuelian Alberto “Beto” Montenegro.
38-vjeçarja mori pjesë në ceremoninë “Person of the Year” të Akademisë Latine të Regjistrimit, të organizuar në Las Vegas në nder të këngëtarit Daddy Yankee.
Për këtë dalje, ajo zgjodhi një fustan të zi nga marka Wiederhoeft. Por vëmendjen nuk e mori vetëm veshja e saj. Aktorja pozoi krah partnerit të ri, me të cilin u shfaq e kapur për krahu përpara fotografëve, duke konfirmuar kështu lidhjen e tyre në një tapet të kuq.
Thashethemet për romancën e tyre nisën gjatë verës së këtij viti, kur dyshja u fotografua së bashku në Madrid dhe më vonë gjatë pushimeve në ishullin Formentera, në Spanjë.
Montenegro, 37 vjeç, është këngëtar dhe kitarist, i njohur si vokalisti kryesor dhe bashkëthemeluesi i grupit venezuelian Rawayana.
Edhe pse dyshja ishte shfaqur më herët së bashku në publik, përfshirë sfilatën e Louis Vuitton në Javën e Modës në Paris në tetor, kjo ishte dalja e tyre e parë zyrtare së bashku në tapetin e kuq.