
Siç pritej gjerësisht, Florentino Perez fitoi bindshëm zgjedhjet për presidencën e Real Madrid duke mposhtur kandidatin tjetër, sipërmarrësin 39-vjeçar Enrique Riquelme, dhe do të qëndrojë kështu në krye të “Los Blancos” deri në vitin 2030. Për Perez, 79 vjeç, bëhet fjalë për mandatin e tetë në krye të klubit spanjoll (ka qenë president nga viti 2000 deri në 2006 dhe nga 2009 deri më sot) dhe verën e ardhshme do të bëhen plot 25 vite nga ardhja e tij në presidencë, periudhë në të cilën ka grumbulluar një numër të madh trofesh si në futboll ashtu edhe në basketboll, duke u bërë presidenti më fitues i të gjitha kohërave.
Florentino Perez, siç dihet, ka mbyllur tashmë tre operacione të rëndësishme: me Benfica-n, të cilës do t’i paguajë 15 milionë euro për Jose Mourinho, me mbrojtësin qendror të Liverpool, Ibrahima Konate, i cili do të vijë si lojtar i lirë, dhe me Inter, të cilit do t’i paguajë 20 milionë eurot e klauzolës së largimit për të siguruar shërbimet e Denzel Dumfries. Në shënjestër do të kishte edhe një goditje të madhe, të identifikuar te Michael Olise, por për talentin e Bayern Munich do t’i duhet të përballet me drejtuesit e kampionëve gjermanë, të cilët e kanë bërë tashmë të qartë se nuk kanë asnjë qëllim të heqin dorë nga ylli i tyre.
“Kemi fituar në të gjitha grupmoshat e votuesve, pra në të gjitha moshat, dhe kemi arritur rezultatin e dytë më të mirë në histori”, deklaroi Perez pasi mori urimet e rivalit të tij vetëm pak sekonda para shpalljes zyrtare të rezultateve. “Jam ende këtu dhe jam këtu për të mbrojtur Real Madridin. Do të vazhdojmë të punojmë që Real Madridi të vazhdojë të fitojë trofe dhe do të luftojmë deri në fund për të fituar Kupën e 16-të të Kampionëve. Ju keni treguar angazhimin dhe besnikërinë tuaj ndaj klubit. Ka fituar Real Madrid. Ne i kemi dhënë botës një shembull demokracie, transparence dhe bashkëjetese. Kemi treguar se jemi një familje e madhe, se e duam Real Madrid dhe se jemi gati për të ardhmen. Duam ta bëjmë Real Madrid, klubin më të madh në botë, edhe më të madh.
Një Real i pavarur, që nuk ka frikë nga sfidat dhe pengesat. Do të vazhdojmë të jemi krenarë për stadiumin Santiago Bernabeu, stadiumin më të mirë në botë. Krenarë që kemi lojtarët më të mirë në botë, krenarë që mirëpresim sërish një nga trajnerët më të mirë në botë, një madridist si José Mourinho. Dhe jini të sigurt se, me mua president, Real Madridi ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë pronë e anëtarëve të tij.”
