
Shqipëria është mposhtur edhe në miqësoren e dytë, këtë herë nga Luksemburgu, me të njëjtin rezultat. Në stadiumin "Air Albania" kuqezinjtë dorëzohen 0-1, të dënuar nga një gol i shpejtë i realizuar nga sulmuesi Sinani. Zotërim steril topi, raste pa saktësi para ported he një prapavijë kaotike karakterizuan edhe ndeshjen e dytë të Rolando Maran në pankinën e Shqipërisë, që tani duhet të mendojë një zgjedhje teorike për fushatën e shtatorit në Nations League, sepse ndeshje deri atëherë nuk ka më.
Ndryshimet e teknikut Italian, në krahasim me sfidën e humbur 0-1 me Izraelin tre ditë më parë, nuk i dhanë asgjë Kombëtares. Pllana ishte zhgënjyes, sidomos në rastin e golit të Sinanit. Sulmuesi i lindur në Beograd shënoi golin që vendosi ndeshjes në zemër të mbrojtjes, pasi Pllana ishte dribluar turpshëm nga kundërshtari i tij. Asllani u mundua të organizonte ekipin dhe mesfushori i Besiktas ishte më energjik se në ndeshjen e të mërkurës, por jo as për të vënë në pozicion goditje Uzunin apo Hoxhën. Për tu harruar ndeshja e Bajramit, ashtu si edhe e dy të tjerëve, shumë pak të rrezikshëm për Luksemburgun.
Laçi kishte një mundësi të mirë, por nuk e shfrytëzoi, ndërsa Ramadani duket sikur ka shpenzuar gjithë forcat në sezonin për shpëtimin e Lecce. Ndryshimet me Pajazitin, Shpendin e Seferin, por edhe Julian Shehun e Ajetin nuk ndryshuan fatet e ndeshjes, madje duhej Sherri me tre ndërhyrje vendimtare për të mos përkeqësuar humbjen e tretë në histori nga Luksemburgu.
Portieri Pereira nuk pati asnjë punë të vërtetë, sepse Shqipëria tregoi edhe njëherë limitet e saj në finalizimin e rasteve. Ajo që duhet të shqetësojë Maran është mbrojtja, që nuk është më hermetike me spostimin e skuadrës më përpara. Sidoqoftë, tentativa për të qenë më present në ofensive, për momentin po rezulton me faktin se jemi bërë më kaotikë në prapavijë. Kombëtarja e mbyll kështu me humbje muajin qershor, me dy gola të pësuar dhe asnjë të shënuar në stadiumin e të shtëpisë. E tani përpara është Nations League.